TIRANË, 29 gusht/ATSH/ Duke nisur nga ky vit shkollor, nxënësit e klasës së parë në Shqipëri e Kosovë do të mësojnë me Abetaren e re të përbashkët.
Kryeministri Edi Rama uroi sot nxënësit, ndërsa u shpreh se Abetarja e parë e unifikuar është krijesë e vullneteve të dy qeverive.
“Gëzuar Abetaren e parë të unifikuar, krijesë e bashkimit të vullneteve të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, për të gjithë nxënësit shqiptarë këtej e andej bjeshkëve”, shkruan Rama.
Më herët, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi zhvilloi një takim me mësues të klasave të para, me të cilët ndau për herë të parë Abetaren e re të përbashkët unike që do të përdoret në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë.
Duke qenë se viti i ri shkollor 2022-2023 nis më parë në Kosovë më 1 shtator, e më pas në Shqipëri me 12 shtator, ministrja Kushi informon se në 1 shtator së bashku me homologen Nagavci do të prezantojnë abetaren unike për nxënësit e klasave të para në Kosovë.
Në dhjetor të vitit 2021, ministrja e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Evis Kushi dhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës së Kosovës, Arbërie Nagavci nënshkruan marrëveshjen për Abetaren e përbashkët.