Hapja e teatrit për fëmijë në Tetovë, vazhdon të mbetet premtim i parealizuar i udhëheqësisë aktuale të Komunës së Tetovës. Edhe pse e premtuan, nga ky institucion thonë se nuk kanë aktivitete të tilla dhe se e njëjta nuk është kompetencë e tyre, por e Ministrisë së Kulturës, shkruan Portalb.mk.
Në programin zgjedhor ‘Me ka krejt për Tetovën’ 2021-2025 me të cilin kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami garoi dhe fitoi në zgjedhjet e fundit lokale tetorin e vitit 2021, mes shumë zotimeve përmendet edhe teatri për fëmijë në Tetovë.
Te pjesa e kulturës, në faqe 9 të programit thuhet se jeta kulturore është objektiv i rëndësishëm dhe se nëpërmjet projekteve konkrete do të përkrahen teatrot, bibliotekat, punëtorët e kulturës, shoqëritë kulturore dhe artistike.
“Hapja e një teatri për fëmijë në Tetovë”, thuhet në faqe 10 të programit.
Por sot, dy vite e gjysmë më vonë prej kur Kasami erdhi në krye të Komunës së Tetovës, ky premtim nuk është realizuar.
Pyetëm Komunën e Tetovës se pse nuk është hapur ky teatër, a është në plan, nëse po kur dhe nëse jo pse. Por nga Komuna e Tetovës u “shfajësuan”.
“Nuk kemi kështu aktivitet megjithëse janë në kompetenca të Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Kulturës sa i përket kësaj çështje”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Komunës së Tetovës, të cilën Portalb.mk u desh ta pres më tepër se dy muaj.
Kujtojmë që premtim të ngjashëm për teatër të fëmijëve në Tetovë ka pasur edhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në programin zgjedhor 2020-2024 të zgjedhjeve të fundit parlamentare me të cilin garuan. Ata premtuan themelim të teatrit për fëmijë dhe të rinj, por katër vjet më vonë kjo nuk u realizua, ndërsa BDI hesht.