9.8 C
Tetovo
E hënë, 30 Mars, 2026
BallinaLajmeEdhe në Tetovë pankarta Gjuha Shqipe thërrret .Studentët në protestë me 6...

Edhe në Tetovë pankarta Gjuha Shqipe thërrret .Studentët në protestë me 6 prill 2026

 Pakënaqësia e grumbulluar prej muajsh mes studentëve shqiptarë po kulmon me një mobilizim të hapur publik, që rrezikon të shndërrohet në një prej përplasjeve më të forta për të drejtat gjuhësore në arsimin e lartë në vend. Ajo që filloi si një kërkesë institucionale për të mundësuar zhvillimin e provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe, tashmë është kthyer në një lëvizje më të gjerë qytetare, e cila synon të vë në provë jo vetëm institucionet arsimore, por edhe vetë funksionimin e parimit të barazisë në një shoqëri multietnike, shkruan gazeta KOHA.

Për studentët, kjo nuk është thjesht një çështje procedurale apo teknike, por një betejë për dinjitet dhe përfaqësim të barabartë në sistemin arsimor. Refuzimi i deritanishëm për t’u lejuar që provimi të zhvillohet në gjuhën amtare është perceptuar si një formë diskriminimi, që cenon drejtpërdrejt të drejtat themelore dhe krijon barriera të panevojshme për avancimin profesional të tyre. Në një kohë kur ligjet garantojnë përdorimin e gjuhës shqipe, zvarritja e vendimmarrjes dhe mungesa e një përgjigjeje të qartë nga institucionet kanë shtuar frustrimin dhe ndjenjën e padrejtësisë. Në këtë klimë tensioni, studentët kanë vendosur të dalin nga auditorët dhe të zhvendosin betejën në rrugë, duke paralajmëruar protestë për më 6 prill në Shkup. Thirrja e tyre, e artikuluar përmes mesazhit “Gjuha shqipe thërret – zëri yt është fuqia jonë”, synon të mobilizojë jo vetëm studentët, por edhe qytetarët në përgjithësi, për të mbështetur një kauzë që ata e konsiderojnë legjitime dhe kushtetuese. Protesta pritet të jetë një test i rëndësishëm për reagimin institucional dhe për mënyrën se si do të trajtohen kërkesat që lidhen me të drejtat gjuhësore në vend.

“Që nga vera 2024 jemi duke pritur epilog në lidhje me kërkesën tonë, përveç zvarritjes së kërkesës sonë nuk pamë gjë tjetër. Gjuha shqipe dhe e drejta jonë nuk mund të mbahen peng nga vullneti dhe interpretimi i ministrave, prandaj ju ftojmë të gjithëve të merrni pjesë në protestën tonë me datë 6 prill (e hënë) në ora 12:30 para Urës së Gurit, aty ku fillon kultura jonë tek Çarshia jonë në Shkup dhe do të marshojmë andej Urës së Gurit drejt Ministrisë së Drejtësisë!”, theksoi njëri ndër nismëtarët e kësaj çështjeje Mevlan Ademi. Ai u bëri thirrje të gjkithë qytetarëve pa dallime politike të rreshtohen me studentët dhe ti përkrahin ato në të drejtën e tyre legjitime dhe kushtetuese që provimin e jurisprudencës ta mbajnë në gjuhën shqipe.

Ndryshe, qysh nga fundjava studentët shqiptarë në Shkup, Tetovë, Kumanovë, Gostivar dhe Kërçovë kanë nisur një aksion simbolik duke vendosur afishe në vende të ndryshme të qyteteve, përmes të cilave kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe. Në pankartat e vendosura, mesazhi është i qartë: “Shqip kemi mësuar – provimin shqip do japim”, duke shprehur pakënaqësinë dhe kërkesën për respektimin e të drejtës për arsimim në gjuhën amtare. Përmes mesazhit “Gjuha shqipe thërret – zëri yt është fuqia jonë”, ata kërkojnë të drejtën për ta zhvilluar provimin në gjuhën amtare. Kjo nismë vjen si reagim ndaj refuzimit për mbajtjen e provimit në gjuhën shqipe, duke nxitur pakënaqësi dhe mobilizim më të gjerë mes studentëve. Studentët theksojnë se kërkesa e tyre është legjitime dhe lidhet drejtpërdrejt me barazinë në sistemin arsimor, duke bërë thirrje që institucionet përgjegjëse të reagojnë dhe të mundësojnë mbajtjen e provimit edhe në gjuhën shqipe. Ky veprim vjen në një kohë kur çështjet e përdorimit të gjuhës shqipe në arsim vazhdojnë të jenë temë debati në vend

Sa i përket çështjes së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, ka pasur dallime edhe në mes partive politike për zgjidhjen që duhet ti afrohet studentëve. BDI insiston që nuk duhet të miratohet ligj i posaçëm për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, për shkak se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është i mjaftueshëm.

“Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është lex specialis dhe si i tillë ai zbatohet drejtpërdrejt dhe ka përparësi në raport me ligjet e tjera. Ky ligj është i qartë, preciz dhe i plotë në situatat që i parasheh, përfshirë edhe përdorimin e gjuhëve për provimin e jurisprudencës, noterisë dhe përmbarimit. Për këtë arsye, çdo iniciativë për harmonizim të ligjeve të tjera me arsyetimin se vetëm pas harmonizimit mund të zbatohet përdorimi i gjuhës shqipe përbën shkelje të rendit juridik dhe relativizim të një të drejte të garantuar me ligj”, thonë nga BDI.

VLEN disa herë ka theksuar se do të zgjidh problemin e studentëve shqiptarë përmes një metode ligjore, ndërsa kanë kritikuar BDI-në se ka lënë problem të trashëguar. Avokati i Popullit, nga ana tjetër, i ka rekomanduar Qeverisë që nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, të nis procedurë për ndryshimin e ligjeve për provimin e jurisprudencës, noterisë dhe përmbaruesit, me qëllim që të pranohet kërkesa e studentëve shqiptarë. Avokati i Popullit Faton Selami ka theksuar se kërkesa e studentëve është plotësisht legjitime dhe mbështetet në parimin kushtetues të barazisë dhe jodiskriminimit.

Në ndërkohë, Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve pas mbikëqyrjes së jashtëzakonshme ia tërhoqi vërejtjen Ministrisë së Drejtësisë në krye me Igor Filkovin se nuk e kanë mundësuar dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe pavarësisht detyrimit ligjor dhe kushtetues. Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë nuk e ka ndërmend t’i zbatojë rekomandimet, por kanë parashtruar ankesë ndaj këtij vendimi. (Ersan PAJAZITI – koha.mk)

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments