Edhe socialdemokratët kërkojnë garanci nga Bullgaria se në të ardhmen nuk do ta bllokojnë Maqedoninë në rrugën eurointegruese. Kryetari i partisë, Venko Filipçe nga Prilepi porositi se Bullgaria duhet qartë të tregojë se nuk do të vendosë kërkesa të reja joparimore ndaj Maqedonisë.“Bullgarët duhet të hedhin një hap të sinqertë kur kanë përballë një fqinj që ka aspirata të bëhet vend anëtar i BE-së. Të sillen në mënyrë më europiane. Nëse ne kemi frikë se nesër mund të ketë ndonjë bllokadë të re mbi baza të paarsyeshme – për shkak të gjuhës, identitetit e të tjera – atëherë le të tregojnë sjellje europiane dhe të thonë se nuk do të ndodhë një gjë e tillë. Le të thonë: – Ne duam që fqinjët tanë të jenë pjesë e Europës, do t’ju japim mbështetje. Mos u shqetësoni, nuk do të ketë kërkesa të tilla. Kjo është politikë e vërtetë e fqinjësisë së mirë. Jo vetëm të ushtrosh presion ndaj dikujt më të vogël e më të dobët”, tha Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së.
Ai i bëri thirrje Bullgarisë të tregojë sjellje europiane, duke theksuar se falë politikave të LSDM-së, gjuha maqedonase është njohur zyrtarisht në BE, ndërsa marrëveshja me Frontex është dokumenti i parë i nënshkruar në gjuhën maqedonase pa kushte dhe pa fusnota.