Përmbytjet që ndodhën ditët e fundit në fshatrat e Rajonit të Pollogut (Dobrosht, Tearcë, etj) nuk janë rezultat i rreshjeve të cilat s’kanë munguar asnjëherë në këto rajone, por janë rezultat i ndërtimit të hidrocentraleve në këtë rajon.
Dëmet që i janë bërë mjedisit për të hapur rrugët ku janë ndërtuar këto hidrocentrale po krijojnë një mundësi për të ndodhur përmbytje të këtilla. Prerja e drunjëve, gërmimi i tokës, devijimi i shtretërve të lumenjëve por edhe futja e ujit të lumenjëve nëpër gypa për qëllim profitin financiar të disa personave të afërt me qeveritë qendrore e lokale krijojnë rrëshqitje të dheut dhe përmbytje.
Disa herë deri tani i kemi paralajmëruar autoritetet që të ndalin menjëherë ndërtimin e këtyre hidrocentraleve me arsyetimin se shkatërrojnë mjedisin dhe ekosistemin, dhe ata janë treguar të shurdhër ndaj nevojave të qytetarëve, dhe të gatshëm t’i shërbejnë interesave të biznes-partnerëve të tyre.
Qeveria e ardhshme duhet të rishikojë vendimet dhe koncesionet e dhëna për ndërtimin e hidrocentraleve dhe t’i kërkojë prokurorisë t’i hetojë gjithë ata që kanë dhënë pëlqimin për lokacionin, lejet për shfrytëzimin e ujit dhe lejet për ndërtim të këtyre hidrocentraleve, dhe personat fizikë dhe entitetet juridike të mbajnë përgjegjësi penale për dëmin e shkaktuar.
I bëjmë thirrje banorëve të zonave përreth që këtë temë ta hapin në takimet me partitë që do ju kërkojnë votën gjatë fushatës, dhe të veprojnë në përputhje me interesat e tyre në ditën e zgjedhjeve.