Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka konfirmuar se do ta presë homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelenskyn, në Uashington të premten, mes negociatave për një marrëveshje që do t’i japë Shteteve të Bashkuara qasje në mineralet e rralla të Ukrainës.
“Presidenti Zelensky do të vijë të premten, kjo tani është e konfirmuar”, tha Trump të mërkurën, në mbledhjen e parë të kabinetit të tij, kur e cilësoi marrëveshjen si “një marrëveshje shumë të madhe.”Presidenti republikan është ankuar prej kohësh se Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar shumë para të taksapaguesve për të mbështetur Ukrainën në luftën me Rusinë, e cila filloi kur Kremlini pushtoi Ukrainën tre vjet më parë.
Trump e ka paraqitur këtë marrëveshje të re, që do t’i japë SHBA-së qasje në të ashtuquajturat depozita të mineraleve të rralla në Ukrainë, si një mundësi që Kievi të kompensojë ndihmën që SHBA-ja ka dhënë tashmë për përpjekjet e luftës gjatë administratës së mëparshme të presidentit demokrat, Joe Biden.
“Administrata e mëparshme na vuri në një pozitë shumë të keqe, por ne kemi arritur të bëjmë një marrëveshje ku do t’i marrim mbrapsht paratë dhe do të marrim shumë para në të ardhmen”, tha Trump.
Zelensky tha, në një konferencë për shtyp më herët të mërkurën, se ishte arritur një kornizë për një marrëveshje ekonomike, por që ende nuk përfshinte garanci sigurie nga SHBA, të cilat vendi i tij i sheh si jetike.
“Ukraina duhet të dijë më parë se ku qëndron SHBA-ja në lidhje me mbështetjen e saj të vazhdueshme ushtarake”, tha ai, duke shtuar se priste një bisedë gjithëpërfshirëse me Trumpin.
Marrëveshja ekonomike “mund të jetë pjesë e garancive të ardhshme të sigurisë, por unë dua të kuptoj vizionin më të gjerë. Çfarë e pret Ukrainën?”, shtoi Zelensky.
Marrëveshja, një kopje të së cilës e ka siguruar Radio Evropa e Lirë, nuk adreson disa pyetje kyçe dhe lë shumicën e detajeve për t’u qartësuar përmes një marrëveshjeje të ardhshme.
Ajo nuk përmban garanci specifike të sigurisë nga SHBA-ja për Ukrainën, një kërkesë kyçe nga Kievi. Marrëveshja gjithashtu nuk përcakton nëse Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë furnizimin me pajisje ushtarake dhe municione për Ukrainën.