linku
Kërçova me të madhe po boshatiset dhe se banorët e saj pa dallim të përkatësisë etnike po ikin drejt mërgimit për një jetë më të mirë. Sipas të dhënave të autoriteteve zyrtare në këtë komunë, gjegjësisht Entit për punësim, në vitin 2018, mbi 2 mijë banorë kanë braktisur vendlindjen, derisa në vitin 2019 kjo shifër pritet të jetë 4 mijë. Këtë e konfirmojnë edhe shkollat private ku mësohet gjuha gjermane, pasi që Gjermania tanimë është destinacioni më i preferuar. Nga këto shkolla kanë thënë për Dojçe Vele se interesimi për mësimin e gjuhës gjermane viteve të fundit është rritur për 30 për qind.
“Një pjesë e madhe e atyre që kanë mësuar gjermanishten janë familjarë dhe ata synonin që të gjenin punë dhe jetë më të mirë jashtë vendit”, tha për DW, Valentina Boshkovska nga shkolla e gjuhëve “Adams”. Të njejtën e nënvizon edhe Adelina Xhambazi nga shkolla “Aleanca”. “Këtë vit është dyfishuar numri i atyre që mësojnë gjermanishten dhe se kryesisht bëhet fjalë për familjarë që duan të largohen për një jetë më të mirë bashkë me familjet e tyre”, thekson Adelina. Por sipas kronikës së medias gjermane, ka edhe nga ata që largohen drejt Zvicrës, Anglisë dhe Amerikës.