0.5 C
Tetovo
E shtunë, 30 Nëntor, 2024
BallinaLajmeDW / A do të mbahen në Kosovë zgjedhjet presidenciale serbe të...

DW / A do të mbahen në Kosovë zgjedhjet presidenciale serbe të 3 prillit?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se ai është në kontakt me ambasadat e vendeve më të industrializuara QUINT dhe me Bashkimit Evropian, që të gjendet një zgjidhje për serbët e Kosovës.

3 prilli, dita kur pritet të mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Serbisë po afron, ndërkohë që presioni po rritet mbi udhëheqësit e institucioneve të Kosovës që ta lejojnë mbajtjen e tyre në Kosovë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se ai është në kontakt me ambasadat e vendeve më të industrializuara QUINT dhe me Bashkimit Evropian, që të gjendet një zgjidhje për serbët e Kosovës që duan të votojnë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të 3 prillit në Serbi.

Kurti: Të mos shkelen të drejtat e serbëve po as shtetësia e Kosovës

Sipas kryeministrit Kurti, qeveria që ai drejton synon që të drejtat e serbëve të mos shkelen, por në të njëjtën kohë edhe të mos cenohet shtetësia e Kosovës. “Konsiderojmë që në njërën anë, nuk duhet t’iu pamundësojmë serbëve në Kosovë, që e kanë përveçse nënshtetësinë e Kosovës edhe atë të Serbisë, ta kenë të drejtën e votës, mirëpo në anën tjetër, kushtetutshmëria, ligji në Kosovë, rezoluta e fundit e Kuvendit e 15 janarit, neve na e obligojnë bazën e çfarëdo zgjidhjeje që do të marrim në të ardhmen”, u shpreh Kurti.

Kuvendi i Kosovës me 15 janar, ka miratuar një rezolutë përmes së cilës është kundërshtuar mbajtja e votimeve të organizuara nga Serbia në Kosovë,  për një referendum të Serbisë për ndryshime kushtetuese. Kjo përfshin edhe organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Vendet e QUINT-tit dhe Bashkimi Evropian, e patën pritur me keqardhje vendimin e Qeverisë së Kosovës që nuk lejoi mbajtjen e referendumit në Kosovë.

Kosovo Wahlkampf Bürgermeisterwahl in Mitrovica

Vuçiq kërkon mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se zgjedhjet serbe të 3 prillit do të mbahen edhe në Kosovë. Ai ka paralajmëruar “pasoja”, nëse ato pengohen nga autoritetet e Prishtinës. “Shpresoj që të mos ndërhyjë dikush në votimin e serbëve në Kosovë dhe po ashtu shpresoj që dikush do ta kuptojë, se cilat do të ishin pasojat nëse ndërhyn”, citojnë mediet në Serbi presidentin Vuçiq.   

Ndikimi i bashkësisë ndërkombëtare

Dy ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bisedoi në telefon me Këshilltarin e  Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet lidhur me zgjedhjet e Serbisë edhe në Kosovë. Chollet tha në Twitter se pati “bisedë të mirë” me kryeministrin Kurti dhe përmendi rëndësinë që votuesit në Kosovë me të drejtë vote “të mund të marrin pjesë në zgjedhje”. “Pata një bisedë të mirë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. E falënderova atë për mbështetjen e tij të fortë në çështjen e Ukrainës dhe theksova rëndësinë e sigurimit të votuesve me të drejtë vote në Kosovë, që të mund të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme kombëtare serbe të 3 prillit”, shkroi zyrtari amerikan në Twitter.

Gjatë vizitës së saj në Kosovë javën e shkuar, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha se Kosova dhe Serbia duhet të gjejnë mënyra që të mbahen zgjedhjet. “Një ndër çështjet më të rëndësishme është forcimi i besimit në rajon. Para se gjithash nevojiten përparime në procesin e dialogut për normalizim e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Këto dy shtete duhet të gjejnë një zgjidhje edhe për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe ato presidenciale të Serbisë, me 3 prill”, tha Baerbock.

Bundesaussenministerin Baerbock in Pristina Selac-Windpark in Mitrovica

Ngecja e dialogut

Megjithë thirrjet e përfaqësuesve ndërkombëtarë që Kosova dhe Serbia të shënojnë përparim në dialog, kjo duket se nuk po ndodh aktualisht. Që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk po ecën mirë, e konfirmoi në një intervistë për DW edhe shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell. “Nuk po ecën. Unë jam i ngarkuar me këtë dialog dhe nuk po ecën. Të paktën nuk po ecën me ritmin që duhet të ecte. Bashkimi Evropian ka një mandat nga Kombet e Bashkuara për të koordinuar, shtyrë dhe aktivizuar këtë dialog. Unë kam caktuar një nga diplomatët më të mirë për këtë detyrë, dhe duhet të them që duhet bërë më shumë, duhet më shumë punë. Duhet të shtyjmë të dyja palët me qëllim që të kuptojnë se ka vetëm një zgjidhje për problemin dhe se ajo vjen përmes dialogut, duke e ditur ama që nuk do të jetë e lehtë”, tha Borrell për DW.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga ana e tij, tha se “pas agresionit të Rusisë në Ukrainë dhe vendosjen e Serbisë në anën e Rusisë, edhe takimet në mes Kosovës dhe shtetit serb janë vështirësuar shumë krahasuar me vitin e kaluar”. Megjithatë ai tha se “takimet në nivel të lartë mes tij dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq varen edhe nga Brukseli”. “Besoj që situata është më e vështirë sesa dikur, varet se kur na vjen ftesa nga Brukseli, por pas invazionit rus në Ukrainë dhe agresionit shokues ushtarak të Kremlinit mbi popullin e Ukrainës që po zhvillon luftë të paepur çlirimtare, me ç’rast ne edhe shprehëm gatishmërinë tonë për të marrë 20 gazetarë dhe 5 mijë refugjatë por edhe iu bashkuam sanksioneve të SHBA-ve dhe BE-së, ndërkohë që Serbia praktikisht u vendos në anën e Federatës Ruse takimet janë në një situatë tejet më të vështirë sesa vitin e kaluar”, deklaroi Kurti.

Serbien Wahlplakate in Belgrad,

Mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve

Ajo që dihet deri tani është se Kosova do ta shqyrtonte mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale serbe në Kosovë, nëse Beogradi zyrtar i dërgon kërkesë Qeverisë së Kosovës. Këtë e tha pas një mbledhje të kryesisë së kuvendit, shefja e Grupit Parlamentar të partisë në pushtet Mimoza Kusari-Lila. “Përgjigjja e institucioneve të Kosovës, tashmë e konfirmuar edhe në nivel të legjislativit, është që vetëm në një pranim të kërkesës zyrtare nga shteti i Serbisë drejtuar shtetit të Kosovës me kërkesë bazuar në ligjet e aplikueshme të Kosovës dhe në praktikat evropiane, do të shqyrtohej ajo kërkesë dhe do të merrej vendimi për apo kundër mbajtjes së zgjedhjeve”, tha Kusari-Lila pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit. Partitë opozitare ndërkaq, presin koordinim më të mirë ndërmjet qeverisë dhe opozitës lidhur me çështjen e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

Dallim mes referendumit dhe zgjedhjeve

Njohësit e çështjeve politike dhe të drejtësisë, thonë se duhet bërë dallimi ndërmjet referendumit të Serbisë dhe zgjedhjeve të saj. Drejtori i institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) Ehat Miftaraj, i tha DW-së  se, “institucionet e Republikës së Kosovës me të drejtë kanë pasur qëndrim të prerë për të mos lejuar organizimin e referendumit serb në territorin e Republikës së Kosovës, pasi lejimi i organizimit të referendumit serb në Kosovë, do të mund të ndërlidhej drejtpërdrejt edhe si ushtrim i sovranitetit të Republikës së Serbisë në territorin e Kosovës”. “Ndërsa, organizimi i zgjedhjeve nacionale në bazë të kushteve të përcaktuara nga Republika e Kosovës, për shtetasit e Republikës së Kosovës nga komuniteti serb, dallon skajshmërisht nga referendumi, dhe një gjë e tillë do të duhej të konsiderohej nga institucionet e Republikës së Kosovës. Kjo duke u bazuar edhe në kërkesën e partnerëve ndërkombëtarë më theks të veçantë të State-Departmentit Amerikan’, thotë Miftaraj.

Ehat Miftaraj, Analyst im IKD-Institut des Kosovo für Gerechtigkeit

Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë janë mbajtur më 21 qershor të vitit 2020. Ato zgjedhje janë mbajtur sipas një praktike të mëhershme, ku misioni i OSBE-së në Kosovë, ka grumbulluar votat, praktikë kjo e krijuar që nga viti 2017. OSBE-ja ka grumbulluar votat e serbëve të Kosovës pas mbylljes së qendrave të votimit, ndërsa, ato më pas janë dërguar për numërim në dy qytete kufitare të Serbisë.DW

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments