Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka falënderuar presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, për dhënien e dronëve kamikazë, për të fuqizuar industrinë ushtarake të vendit tonë.
Në deklaratën e përbashkët për shtyp, Rama u shpreh se kjo dhuratë e Turqisë, nuk duhet të shqetësojë askënd.
“Nga ana tjetër ne jemi shumë të interesuar dhe të përmbushur sot pas konfirmimit të një etape të re, në fuqizimin e industrisë ushtarake të Republikës së Shqipërisë dhe në fuqizimin e kësaj marrëdhënie, ku dihet botërisht që Turqia ka arritur një nivel shumë të lartë kapacitetesh për prodhimin e industrisë ushtarake dhe ku ne kemi identifikuar investime në këtë fushë. Unë e çmoj dhuratën e presidentit sot në këtë kohë të trazuar ku bota ka marrë një drejtim të çuditshëm, për t’i dhënë ushtrisë së Shqipërisë një numër të rëndësishëm dronë kamikazë”.
Sipas Ramës, kjo dhuratë, “nuk duhet të shqetësojë askënd se kë duhet të godasë Shqipëria, por mbart një mesazh të Turqisë, që Shqipëria është e pagoditshme”.
Sa i takon fushës së turizmit, Rama tha se “numri i qytetarëve turq që kanë vizituar Shqipërinë gjatë 8 muajve të parë të këtij viti është rritur me 98 për qind”.
“Në këtë aspekt, presidenti ritheksoi dhe ramë dakord që duhet bërë më shumë për investime të drejtpërdrejta nga ana turke në sektorin e turizmit, ku e dimë të gjithë, dhe falë zotërisë në krahun tim, Turqia ka bërë transformim marramendës dhe është kthyer në një vend që jo thjesht mikpret miliona turistë por edhe ka kapacitet të dijes në nivelin e ekselencës që për ne do të ishte shumë i vyer”.
Ndër të tjera, kreu i qeverisë shqiptare tha se sot firmosëm disa marrëveshje, ku më e shumëpritura ishte ajo për Universitetin teknik të Stambollit në Tiranë.
“Do të sjellë një hapësirë të re studimesh të larta të një niveli të lartë botëror pasi ai universitet është i kuotuar si ndër më të mirat të botës por dhe sepse është hera e parë në praktikën e Turqisë që bën dicka të tillë. Kjo thjesht dhe vetëm për përkushtimin e Erdogan ndaj kësaj marrëdhënie vëllazërore”.
Ndërsa, duke folur për rajonin Rama u ndal te Kosova.
“Një mik më të padiskutueshëm në të gjitha ditët sesa Turqia dhe presidenti, republika e Kosovës nuk e gjen dot asgjëkundi. Ne ndajmë shqetësimin që situate mes të dyja shteteve duhet të përmirësohet dhe se dialogu duhet të prevalojë. E them këtë përpara një personaliteti që dialogun e ka pasur dhe e ka mjetin më të zakonshëm të punës me të gjithë dhe gjithmonë”.
Gjithashtu tha se “Ukraina është një temë qëndrore, sot vec konfliktit të tmerrshëm në Ukrainë, që po godet një popull që është në të drejtën e vet për të jetuar i lirë, edhe ajo që ndodh në Gaza është një tragjedi me proporcione kolosale”.
“Bashkëndajmë vlerësime të njëjta për agresionin rus në Ukrainë dhe të drejtën e popullit palestinez për të jetuar i lirë në shtetin e tij. Në një pikë kemi këndvështrim të ndryshëm. Duke qenë të vendosur kundër terrorit për ne, terrori në çdo formë dhe me çdo pamje që shfaqet është i patolerueshëm. Kemi votuar në KS për një armëpushim, por për ne Hamas nuk ka vend në të ardhmen paqësore që duhet të vendoset mbi dy shtete sovrane Izraelit dhe Palestinës”.