27.3 C
Tetovo
E mërkurë, 26 Qershor, 2024
BallinaLajmeBotaDronë dhe raketa balistike, Ukraina dhe Rusia shkëmbejnë sulme gjatë natës

Dronë dhe raketa balistike, Ukraina dhe Rusia shkëmbejnë sulme gjatë natës

Ukraina dhe Rusia shkëmbyen sulme me dronë gjatë natës dhe mëngjesit të 14 qershorit, një ditë pasi Grupi i Shtatë (G7) vendeve më të industrializuara u pajtua t’ia japë Kievit një hua prej 50 miliardë dollarësh duke përdorur asetet e ngrira ruse.

Forcat e Armatosura të Ukrainës (FAU) thanë se kundërajrorët e tyre i rrëzuan të gjithë 17 dronët e llojit Shahed, me të cilët Rusia i sulmoi shtatë rajone ukrainase.

Rusia hodhi gjithashtu edhe 17 raketa balistike dhe lundruese, gjysma e të cilave u rrëzuan, sipas FAU-së. Nuk u raportua për viktima apo dëme. Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se forcat e saj i rrëzuan 87 dronë ukrainas në pesë rajone, si dhe në Gadishullin e Krimesë që është uzurpuar nga Kremlini.

Si pasojë e sulmeve kishte pengesa në furnizimin me rrymë në rajonin Rostov dhe u dëmtuan cisternat e naftës në një depo nafte në Vorondezh, sipas autoriteteve lokale.

Disa orë para sulmeve, liderët e G7-ës në Itali u pajtuan t’ia japin Ukrainës 50 miliardë dollarë hua.

Ata do t’i shfrytëzojnë të hyrat dhe normat e interesit nga asetet e ngrira ruse prej rreth 260 miliardë dollarësh, shumica e të cilave mbahen në Evropë, për ta siguruar huan prej 50 miliardë dollarëve nga SHBA-ja dhe hua të tjera shtesë nga vendet e tjera partnere.

Një zyrtar i lartë i administratës amerikane tha për gazetarë se marrëveshja “është një shenjë nga demokracitë kryesore të botës se ne nuk do të lodhemi duke e mbrojtur lirinë e Ukrainës dhe se [presidenti rus Vladimir] Putin nuk do të na mposhtë”. Zona e luftimeve brutale ku trupat ukrainase po i zmbrapsin sulmet ruse.

Më vonë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e nënshkruan një marrëveshje sigurie 10-vjeçare, të cilën ata e përshëndetën si një moment historik në marrëdhëniet midis vendeve të tyre.

Biden tha se qëllimi është “të përforcohen kapacitetet mbrojtëse dhe frenuese të Ukrainës”.

Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara kanë marrë zotime nga pesë vende, të cilat nuk i përmendi, për t’i dhënë Ukrainës raketa për kundërajrorin Patriot, si dhe sisteme të tjera për mbrojtjen ajrore. Zelensky e quajti marrëveshjen e sigurisë “urë për kalimin e Ukrainës në NATO”.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments