Një shok i luftës nga Kukësi më pat treguar menjëherë pas lufte një bisedë që e kishte bërë me një nga heronjtë e luftës së UÇK-së. Biseda ishte zhvilluar në vitin 1993 në Kukës. Gjatë asaj bisede heroi e pyet shokun e luftës: “A e di ti, Naz, se çfarë është UÇK-ja?”
Këtë pyetje e bënte në atë kohë një nga themeluesit e UÇK-së, shumë më parë se një formacion politik ilegal të merrte më pas autorësinë e formimit të kësaj ushtrie, Zahir Pajaziti.
M’u kujtua kjo pyetje e Zahirit në datën 1 Nëntor, datë në të cilën heroi ka edhe datëlindjen. U nisa të shkruaj një shkrim për këtë djalë të Kosovës, hero të Shqipërisë. Them dhe kam vendosur që t’u drejtohem të gjithë heronjve të rënë në luftën e UÇK-së si heronj të Shqipërisë, pasi për mua dhe veçanërisht për ta Kosova ishte dhe është Shqipëri.
E nisa këtë shkrim për të kujtuar veprën e këtij heroi pasi për heronjtë na ka marrë malli. Ndoshta edhe i nxitur nga kohërat që po jetojmë ku vlera për të cilën ata spikatën në jetën e tyre po venitet dita me ditë, ashtu si shkruan edhe Dritëroi: “Ç’digjeni nga malli për heronjtë?
Kushedi kur kthehen nga kjo anë…
Por nuk arrita të shkoj as deri në mes të mendimeve të mia kur dëgjova lajmin që Gjykata Speciale dhe ZPS-ja kish nisur fushatën e tyre të radhës të “gjuetisë së shtrigave”, e cila tashmë ka harruar statusin e saj Special e ka vendosur të merret, më tepër për frikësim, me vepra juridike të juridiksionit të përgjithshëm – me pengim të aluduar të drejtësisë.
Të ndodhura në një ngërç të vërtetë juridik në proceset të cilat po i zhvillon në Hagë ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, ata janë të detyruar që të prodhojnë lajme të tjera dhe të tërheqin vëmendjen nga proceset e tyre të montuara. Siç po del përditë, dëshmitarët e saj ose po pësojnë kriza nervore për arsye të presionit të prokurorisë për të dëshmuar kundër dëshirës së tyre, ose po dalin bllof me dëshmitë e tyre, të cilat në asnjë rast deri më tani nuk kanë qenë në asnjë mënyrë relevante me çështjet për të cilat akuzohen ish-pjesëtarët e UÇK-së.
Edhe ai proces që ndoshta për ZPS-në duket se po ecën mirë, procesi ndaj Pjetër Shalës, është një proces i gjithi i montuar me dëshmitarë të cilët janë të gjithë të rremë. Këta janë po ata dëshmitarë që morën pjesë në gjyqin e vitit 2011 në Mitrovicë ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, prej të cilëve tani prokuroria përmend vetëm Xhemshit Krasniqin dhe Sabit Gecin. Por në atë kohë u arrestuan edhe Riza Alia e Haki Hajdari, të gjithë këta u dënuan atëherë nga një gjykatë e Kosovës. Gjatë dëshmive të tyre në atë gjykatë atëherë u bë e qartë nga pyetjet e tyre se dëshmitarëve ju ishin paraqitur foto të personave të akuzuar për t’i identifikuar ata dhe gjatë seancave u pa qartësisht (kush ka dyshime mund t’i referohet shtypit të atij viti) se dëshmitarët në asnjë rast nuk arrinin të përcaktonin të akuzuarit kush- cili ishte e as t’i identifikonin ata, me përjashtim vetëm të një prej dëshmitarëve që atëherë në sallën e gjyqit nuk pranoi të mbante statusin e dëshmitarit të fshehur. Ai ishte Ymer Ymeri.
Atëherë asnjë nga këta dëshmitarë nuk e identifikuan në asnjë moment prezencën e Pjetër Shalës, as gjatë dëshmive të tyre dhe as gjatë identifikimit nëpërmjet fotografive. Kështu, llogjikisht, i bie që ose këta dëshmitarë kanë gënjyer atëherë, ose po gënjejnë sot.
Kur nuk kanë mundur të identifikojnë Pjetër Shalën atëherë, si kanë mundur ta identifikojnë sot, kur ai ka ndëryshuar fizionomi totalisht?! Dhe këtë e them me përgjegjësi të plotë pasi Pjetër Shalën e kam njohur personalisht kur u ndalua më datë 2 maj të 1999-ës nga Policia Ushtarake e UÇK-së së bashku me Ruzhdi Staramatën në Burrel, në Shqipëri, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Pjetër Shala u mbajt tek hotel Drenica në Durrës deri më datë 25 maj nga Policia Ushtarake e më pas ai është lejuar të vazhdojë dhe është dërguar ushtar i thjeshtë, me detyrën snajperist në forcat e UÇK-së që kishin filluar luftimet në Gorozhup. Ata që sot deklarojnë se e kanë parë Shalën të hyjë e të dalë lirisht tek Fabrika e Përpunimit të Metaleve në Kukës jam i bindur se janë duke gënjyer për hesap të ZPS-së dhe Gjykatës Speciale që, në perfiditetin që i karakterizon, duke qenë se nuk mund të marrin të akuzuar ata që janë dënuar njëherë për të njëjtat akuza në vitin 2011, pasi nuk ua lejon ligji, kanë vendosur të fabrikojnë të njëjtat akuza por mbi një person tjetër, në mënyrë që këtë proces ta përdorin më pas ndaj procesit tjetër në të cilin janë akuzuar Thaçi e Krasniqi, mbi të cilët ekziston një akuzë e njëjtë dhe, mbi bazën e procesit ndaj Shalës, ata të akuzohen nesër për përgjegjësi komanduese.
Ata që sot po gënjejnë në procesin ndaj Shalës, dje në 2011 prezantoheshin nga prokuroria si dëshmitari L,M,N,E, e kështu me rradhë. Plot 16 dëshmitarë.
Të gjithë këta që atëherë pretendonin se ishin mbajtur nga UÇK-ja, për interesa dhe përfitime të tyre të mëvonshme, para se të largoheshin nga Shqipëria, kanë bërë edhe nga një denoncim në policinë e Kukësit në atë kohë. (Dëshmi të tilla në Policinë Shqiptare nuk hyjnë as te të mbrojturat e as te konfidencialet, plus që ka kaluar edhe koha e sekretit të tyre, plot 24 vjet). Megjithatë, në asnjë nga dëshmitë e tyre në polici atëherë nuk kanë dhënë as edhe një emër personi se kush i ka ndaluar dhe kush i ka mbajtur. Kanë thënë se janë ndaluar te fabrika, asgjë më shumë. Ndërsa më vonë, në 2011, çuditërisht këtyre personave ju erdhi kujtesa dhe mbanin mend se ishin mbajtur edhe në Cahan. Dhe tani, 12 vjet pas gjyqit në Mitrovicë dhe 24 vjet pas Luftës, atyre ju është kujtuar se paskësh qenë edhe një person tjetër me emrin Pjetër Shala.
Do bënte sens kjo dëshmi e tyre në rastin se Pjetër Shala do kish qenë me detyrë komandant ose diçka tjetër por, ashtu si edhe ata vetë e deklarojnë, ai ka qenë thjesht një ushtar i thjeshtë i UÇK-së.
Ajo që e hedh poshtë gjithë këtë proces dhe që tregon se është thjesht një proces totalisht i fabrikuar është fakti se Shala është dënuar në vitin 2002 nga një gjykatë në Prizren për ngjarjen e ndodhur në bazën ushtarake të UÇK-së në Burrel. Gjatë atij procesi është shpjeguar me detaje vendndodhja e Shalës gjatë periudhës kohore për të cilën akuzohet nga ZPS-ja.
Dhe për këtë padrejtësi nuk ndihet as për një moment Avokati i Popullit në Kosovë. Nuk e di se cilin popull përfaqëson ai. Apo ndoshta vetëm partinë e radhës?!
Ndaj, ashtu si nisa të tregoj, nuk munda të mbaroj shkrimin për Zahirin.
Nuk munda pasi tani, ashtu si thotë edhe Dritëroi me vargjet e tij:
S’ka heronj.
Heronjtë i përzumë.
S’ka heronj.
Heronjtë u mërzitën
Prisnin ëndrrat, ëndrrat u vonuan
Duke pritur, heshtën e dremitën.
Dhe ashtu si Dritëroi, edhe unë mendoj në vargun e tij:
Kush e di kur kthehen nga kjo anë.