-0.2 C
Tetovo
E shtunë, 23 Nëntor, 2024
BallinaOpinionDRITAN GOXHAJ / Replikë e detyruar me Enver Bytyçin

DRITAN GOXHAJ / Replikë e detyruar me Enver Bytyçin

Vetëm para dy ditësh rastësisht konstatova në internet një reagim që, një farë Enver Bytyçi paska bërë “kritikë” kundër meje, duke marrë shkas nga një interviste timen dhënë në televizionin A2CNN, reagim ky i publikuar më datë 10 prill në gazetën “Bota Sot” e Kosovës. Për këtë arsye,kjo replikë e imja është gati katër muaj e vonuar.

Në këtë reagim timin kam vendosur t’i drejtohem Enver Bytyçit me etiketimin “shoku”, duke qenë se është rritur, shkolluar si dhe ka marrë edhe tituj shkencorë në epokën kur Shqipërinë e drejtonte Partia e Punës, respekti për personin që nuk ke pasur njohje dhe afimitet nuk shprehej me fjalën përshëndetëse “zotëri” ose “zonjë”, por me fjalën “shoku”.

Shoku Enver në reagimin e tij shkruan, dhe këtu poshtë po paraqes të plotë reagimin e tij ashtu si e ka publikuar gazeta “Bota Sot”:

“Rastësisht dëgjova një intervistë të Dritan Goxhajt në A2CNN. Në fakt më tërhoqi titulli “NATO nuk mund të përballet me Rusinë”! Dy elemente më ranë në sy:

E para se i intervistuari jep gjithkund mesazhin se Rusia është e fuqishme dhe me këtë maksimë ushqen pathyeshmërinë e saj, pra fatalitetin europian të varur nga orekset ruse!

E dyta, Dritani e mbyll intervistën duke thënë se “Rugova ia mbathi nga Kosova kur nisi lufta”! Madje e shumëzon me zero edhe Betejën e Koshares të udhëhequr nga Agim Ramadani! Të komentosh për të demantuar këto thënie më duket idiotësi! Sepse është idiotësi e një lloji të veçantë të thuash se Rugova ia mbathi, kur atë Milosheviçi e mori peng. Dhe është paturpësi të thuash se Beteja e Koshares ishte diçka e parëndësishme, kur Wesli Clarc në librin e tij “Të bësh luftë moderne” e konsideron si aktin më madhor të epopesë së UÇK-së, (pas betejës së Prekazit – shënimi im)!

E këto deklarime quhen ekspertizë nga mediet tona! E tmerrshme!”

Si fillim jam çuditur se unë, personalisht, nuk mbaj mend që, qoftë edhe një herë të vetme, ta kem përmendur ose t’i jem referuar në ndonjë dalje timen televizive, ose edhe në shkrime të miat shokut Enver Bytyçi, e aq më tepër ta kem ofenduar ndonjëherë shokun Enver Byryçi, ashtu sikundër bën “intelektuali” Enver Byryçi ndaj meje në këtë reagim të tij.

Duke qenë se nuk më lejon formimi im të shprehem si ky “intelektuali” dhe pedagog në Universitetin “Aleksandër Moisiu”,prandaj nuk mund t’i përgjigjem me të njëjtën kulturë të tij, por me shprehjen respektuese “shoku Enver”, meqenëse formimin e tij të plotë e ka kompletuar në atë epokën e sistemit socialist, sistem shoqëror që nuk arriti të realizohej në Shqipëri.

E para, sikundër u shpreha, nuk ma lejon as etika, as morali dhe as kultura ime të fyej dike, për çfarëdo lloj arsyeje; dhe, e dyta, se në moshën në të cilën ndodhet shoku Enver mund edhe të ketë njeriu lajthitje të vogla, të cilave, besoj se nuk u duhet kushtuar shumë rëndësi. Prandaj dhe unë nuk kam ndërmend t’i kushtoj rëndësi këtij ofendimi, si rrjedhojë e lajthitjes“të vogël” të shokut Enver.

Po i marr me radhë reagimet e shokut Enver, sipas radhitjes që i ka renditur edhe vetë ai.

Shoku Enver thotë: “Në fakt më tërhoqi titulli “NATO nuk mund të përballet me Rusinë”! Dy elemente më ranë në sy:

E para se i intervistuari jep gjithkund mesazhin se Rusia është e fuqishme dhe me këtë maksimë ushqen pathyeshmërinë e saj, pra fatalitetin europian të varur nga orekset ruse!”

Po, shoku Enver, unë e kam thënë dhe vazhdoj ta them se, aktualisht NATO-ja nuk ka kapacitete të tilla ushtarake që mund të përballet me Rusinë në këtë periudhë që jetojmë,dhe këtë nuk e them unë se dola në këtë përfundim gjatë asaj interviste,por këtë përfundim e kanë shprehur dhe e shprehin shumë institute ushtarako-shkencore prestigjioze që merren me studimin e luftës dhe studime të tjera ushtarake.

Madje, ka edhe shumë udhëheqës të lartë politikë të vendeve europiane anëtarë të NATO-s që deklarojnë se “do të jemi të gatshëm të përballemi me Rusinë në vitin 2030”. Pra, shoku Enver, kjo do të thotë se tashti nuk kanë kapacitete.

Për këtë, shoku Enver,të sugjeroj të lexosh studimet e bëra nga Instituti për Studimet e Luftës (THE INSTITUTE FOR THE STUDY OF WAR), si dhe të Institutit të Shërbimeve të Bashkuara Mbretërore (RUSI- Royal United Services Institute), si dhe deklaratat e Komandantit te Forcave Amerikane në Europë, Gjeneral Cavolit, i cili, në një intervistë për revistën “The Hill” konkludon: “The Russian army is actually now larger — by 15 percent — than it was ëhen it invadedUkraine- Ushtria Ruse është aktualisht 15% më e madhe sesa ishte kur pushtoi Ukrainën”; dhe nuk mbaron këtu por vazhdon: “Russia is expected to produce more ammunition than all 32 NATO allies combined per year – Rusia pritet që prodhojë për çdo vit më shumë armatim se të 32 vendet e NATO-s të marra së bashku.”

Unë mund të vazhdoj kështu me plot shembuj të tjerë, që mbështesin atë që unë kam deklaruar, dhe që ju qëllimisht,(apo nga paaftësia),po mundoheni ta manipuloni sikur jam vetëm unë ai që kam dalë në përfundimin se Rusia momentalisht është më e forte se NATO-ja.

Në këtë pikë po ju shtroj një pyetje retorike: Po Gjeneral Cavoli çfarë mesazhi është duke dhënë, kur flet edhe më konkretisht se unë? Përse nuk i drejtoheni edhe Gjeneral Cavolit, i cili po jep mesazhin e pathyeshmërisë së Rusisë së sotme?

Por jo, juve ju duhet të manipuloni vetëm këtu, për t’ju lëpirë në veçanti amerikanëve dhe në përgjithësi europianëve. Më vjen pështirë nga kjo lëpirja juaj, në këtë formë sulmi ndaj meje, e pabazuar aspak në fakte dhe prova, sepse në këtë moshë dhe pozitë tuajën që jini aktualisht merr formën e perversitetit, ndërkohë që unë thjesht po shpreh në gjuhën shqipe atë përfundim që kanë dalë edhe këta ushtarakë prestigjozë perëndimorë, të cilëve ju, shoku Enver, keni vendosur t’u lëpiheni duke tentuar të manipuloni kuptimin e asaj që unë them, por vetëm se ata e thonë në anglisht.

Pra, duke qenë se ju nuk doni kurrsesi ta pranoni këtë realitet të hidhur të deindustrializimit të sektorit të industrisë ushtarake perëndimore, thjesht keni vendosur të vrisni Dritan.

Më thoni, ju lutem, që kjo nuk është metodologji puniste, si dikur, kur në mjaft raste të njohura dikush që mundohej të thoshte diçka të veçantë nga të tjerët për shtetet perëndimore, etiketohej si armik i socializmit apo i parties, dhe segjoja po bënte propagandë për imperializmin dhe revizionizmin.

Tani po kaloj të pika e dytë e reagimit tuaj ku thoni: “E dyta, Dritani e mbyll intervistën duke thënë se “Rugova ia mbathi nga Kosova kur nisi lufta”! Të komentosh për të demantuar këto thënie, më duket idiotësi! Sepse është idiotësi e një lloji të veçantë,të thuash se Rugova ia mbathi, kur atë Milosheviçi e mori peng”.

Unë nuk do të hyj në shpjegimin e terminologjisë së pengmarrjes, sepse nuk mundem ta bëj atë, por thjesht po ju përgjigjem (kundërpërgjigjem) për dy aspekte të kësaj pjese të reagimit tuaj.

E para, kur ju thoni se “atë Milosheviçi e mori peng”. Në këtë rast po ju ballafaqoj me deklaratën e vetë Rugovës, të dhënë si përgjigje ndaj pyetjeve të bëra nga ana e prokurorit kur ishte dëshmitar i Prokurorisë në gjyqin ndaj Millosheviçit në Hagë, botuar nga ana e LDK-së në një libër me titull “Dr. Ibrahim Rugova triumfoi në Kosovë dhe në Hagë”, botim i vitit 2002, ku në faqen 58 shkruhet:

“Pyetje: Megjithëse nuk kishit dëshirë të shkonit dhe megjithëse nuk u është dhënë ndonjë arsye për të shkuar, ju të nesërmen keni shkuar në Beograd, apo jo?

Përgjigje e Rugovës: Po. Ishte jashtë dëshirës time dhe jashtë vullnetit tim, por kishte kërkuar i akuzuari, kështu ma kanë transmetuar. Dhe natyrisht, po të mos kisha shkuar, kishin pasur, ndoshta masa të tjera. Prandaj pranova të shkoj të nesërmen”.

Vetëm nga kjo përgjigje e Rugovës mua nuk më duket aspak si pengmarrje e tij.

Dhe vazhdojmë më poshtë, sërish po në këtë libër, gjatë kësaj dëshmie, të një përgjigjeje tjetër, e cila vërteton jo vetëm që nuk ishte pengmarrje, por që vërteton deklaratën time se “Rugova iku nga lufta”. Në faqen 71, të po këtij libri të lartpërmendur, gjatë dëshmisë thotë: “Më 4 maj më tha se duhet të jem atje. Nuk e kam ditë ekzakt përse, unë i kërkova që të dalë jashtë, atë që e kisha përsëritur edhe në takimin e parë më 1 prill me të akuzuarin.”

Dhe në një përgjigje tjetër më poshtë, po në të njëjtën faqe, thotë: “Mandej i akuzuari (Millosheviçi) ndau mendimin dhe tha se edhe familja mund të dalë me ju në Itali. Ajo arriti, dhe më 5 maj pasdite fluturuam me aeroplan”.

Pra, ashtu si edhe mund ta lexoni shoku Enver, Rugova ka kërkuar të ikte në Itali dhe jo të kthehej në Kosovë ku Serbia po vriste e masakronte popullin shqiptar që e kishte zgjedhur president, këtë idhullin tuaj shpirtëror.

Ndërsa Zekeria Cana, një bashkëpunëtor i Rugovës, për këtë takim të 1 prillit në librin e tij “Ditari i luftës”,Prishtinë 1999,në faqen 23 shkruan: “Njoftohet takimi i Rugovës me Millosheviçin. I buzëqeshin njëri-tjetrit! Nuk i besoj syve. A është e mundur që kryetari i Kosovës të tregohet aq burracak?”

Po të jap edhe një dëshmi tjetër, e cila vërteton që jo vetëm se Rugova nuk ka qenë i marrë peng, por edhe që iku me vullnetin e tij. Në 11 maj, në takim me gazetarët italianë, gazeta “La Stampa” i drejtohet duke i thënë:“Nuk i keni përkrahur kurrë bombardimet e NATO-s”. Dhe Rugova përgjigjet: “Jo, nuk e kam bërë kurrë, por duhet të kuptohet situata”.

Në këtë moment pyetet nga gazeta “Corriere della Sera”: “Po tani dëshironi që bombardimet të vazhdojnë?”

Rugova përgjigjet: “Tani dua që Beogradi të pranojë kushtet e ndërkombëtarëve. Nuk them më shumë”.

Pra, siç edhe e lexoni, edhe kur nuk ishte “peng” i Millosheviçit, ashtu si ju pretendoni, Rugova sërish mbante avazin e Serbisë!

Por qershia mbi tortë, shoku Enver, e gjithë kësaj historie të Rugovës që ju, nëpërmjet reagimit ndaj meje, keni marrë përsipër ta përdorni që të manipuloni opinionin publik, është deklarata e Rugovës në median italiane, më datë 23 qershor 1999, ndaj pyetjes: Përse ende nuk po ktheheni në Kosovë?

Rugova përgjigjet: “Do kthehem në Kosovë kur të çarmatoset edhe ushtari i fundit i UÇK-së”.

Që do të thotë se idhulli juaj shpirtëror, Rugova, ndihej i sigurtë vetëm kur në Kosovë ishte ushtria e Serbisë, dhe jo UÇK-ja.

Ndërsa Milazim Krasniqi, një bashkëpunëtor tjetër i ngushtë i Rugovës, në librin e tij: “Sekretet që nuk i mori me vete Ibrahim Rugova”, Prishtinë 2017, në faqen 180 shkruan: “Kontakte me përfaqësuesit e UÇK-së dhe të qeverisë së përkohshme nuk bëmë më, pasi ato i kishte ndaluar Rugova. Bllokimi i aktivitetit kishte ndodhur me urdhër të kryetarit Rugova”.

Këto që përmenda më lart, janë disa fakte për të vërtetuar edhe ikjen, por edhe mungesën e pengmarrjes.

Tashti po kaloj në pjesën e fundit të reagimit tuaj, aty ku ju shkruani: “Dhe është paturpësi të thuash se Beteja e Koshares ishte diçka e parëndësishme, kur Wesli Clarc në librin e tij “Të bësh luftë moderne” e konsideron si aktin më madhor të epopesë së UÇK-së”.

Edhe në këtë rast ju sërish, si një mjeshtër i manipulimit, ashtu si në gjithë këtë reagim tuajin, kërkoni të jepni idenë qesharake se ju, që në fakt nuk ishit askund në atë luftë të UÇK-së, edhe pse jeni me origjinë nga Kosova, ndërsa tashti po “mbroni” UÇK-në dhe luftën e saj, nga ne që ishim pjesë e asaj lufte dhe që kemi vendosur t’i themi të vërtetat e asaj lufte.

Pra, ju keni marrë përsipër të mbroni UÇK-në nga pjesëtarët e saj.

Ç’ironi! Komike e tragjike njëkohësisht.

E them këtë edhe për faktin kur shpreheni: “Beteja e Koshares e udhëhequr nga Agim Ramadani”, gjë që tregon se aq shumë e respektoni UÇK-në, duke mos ditur se Agim Ramadani nuk mundi ta udhëhiqte “betejën” e Koshares, pavarësisht se ishte planizuesi i saj, pasi u vra pas 36 orësh si filloi ai sulm në Koshare 9 prillin e vitit 1999, dhe ngaqë u vra Agim Ramadani, prandaj ata që e zëvendësuan atë qëndruan 65 ditë të tjera në atë vijë ku arritën sa qe gjallë Agim Ramadani .

Nuk po hyj për t’ju shpjeguar juve nga ana ushtarake se çfarë është e çfarë konsiderohet betejë, por vetëm po ju them që ajo nuk ishte betejë. E kam thënë dhe do vazhdoj ta them që ai luftim u kthye në të parëndësishëm, në të kundërtën e qëllimit të tij.

Kjo, pasi ai sulm në Koshare, pavarësisht luftës heroike të pjesëtarëve të UÇK-së në atë vend dhe kohë të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, nuk e arriti asnjëherë qëllimin dhe detyrën e ngarkuar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.

Detyra e dhënë nga SHP i UÇK-së ishte: Hapja e korridorit të furnizimit në drejtimin Padesh – Nikovaz, si drejtimi më i shkurtër. Detyra e afërt ishte dalja në bregun jugor të lumit Erenik, në thellësi 5-6 km. Detyra e largët – dalja në lumin Drini i Bardhë.

Kjo detyrë nuk u realizua, jo se dështoi për shkak të kundërshtimit të forcave serbe, por për shkak se drejtuesit e kësaj brigade, të cilët morën nën drejtim brigadën pas rënies heroikisht të komandantit të saj Agim Radani, vendosën të ndërpresin veprimtarinë luftarake sulmuese, në kundërshtim jo vetëm me urdhrin e SHP të UÇK-së, por edhe me logjikën e detyrës së dhënë.

Kjo ndalje e sulmit erdhi menjëherë pas vrasjes së Agim Ramadanit dhe Sali Cekut, ndaj mos u mundoni të manipuloni edhe me emrin e dëshmorit Agim Ramadanit.

Raporti i forcave ishte 2.600 nga ana jonë dhe 2.334 nga ana e serbëve. Në këto kushte, edhe pse kishim armatim më shumë se serbët dhe kishim edhe mbështetje me artileri tokësore nga Ushtria Shqiptare, 4-5 bateri artilerie-top me larghedhje të gjatë, sulmi u ndalua dhe u kalua në luftim mbnrojtës, prandaj dhe detyra nuk u realizua.

Dhe në këtë kuptim ky luftim i zhvilluar në Koshare është i parëndësishëm për gjithë mbarëvajtjen e luftës, pasi jo vetëm që nuk arriti dhe e la në mes detyrën luftarake, por edhe nuk e detyroi dot armikun që të tërhiqte një numër të madh forcash nga zonat e tjera ku po zhvilloheshin luftime, që do të thotë se ai luftim në Koshare nuk arriti asnjë sukses, jo vetëm të nivelit strategjik apo të nivelit operativ, por as edhe të nivelit taktik.

Dhe në këtë pikë vijmë te manipulimi punist që ju, shoku Enver, mundoheni të bëni duke vënë në gojën e gjeneral Klark-ut një të pavërtetë.

Ja ku po jua jap unë deklaratën e saktë tëKlark-ut, të shkruar në librin e tij “Të bësh luftë moderne”, Prishtinë 2003, f.372, pikërisht për rastin e Koshares:

“ UÇK kish tentuar të hapte një korridor në Koshare, gjë që nuk e hapën kurrë edhe pse luftuan 67 ditë duke u futur vetëm 2km thellësi në Kosovë”

.Por atë vlerësim të Klarkut për forcat e UÇK-së që sulmuan nga territori i R.Shqipërisë e ka për forcat që raelizuan Operacionin “Shigjeta, duke dhënë goditjen kryesore nga mali i Pashtrikut, operacion që filloi në orën 03.30 të datës 26 maj 1999, ndërkohë që forcat e FARK-ut në Koshare kishin 58 ditë që bënin duel artilerie me serbë.

Dhe ja se çfarë shkruan Klarku për këtë operacion, po në f.372: “Dukej se katër apo pesë batalione, me ndoshta 1.800 deri në 2.000 ushtarë, do të sulmonin nga maja e Pashtrikut, e cila formonte pikën më të lartë në veri-lindje të Kukësit, dhe do të ishte terreni kyç për ne, nëse invadojmë në Kosovë sipas opsionit B(-).”

Në asnjë rast Klarku nuk ka deklaruar atë çka ju ia keni vënë në gojë, dhe të luash kështu me figura të tilla është një manipulim tepër i madh dhe i rrezikshëm.

U mundova të shpjegohem sadopak edhe nga ana ushtarake, meqenëse në epokën e shokut Enver ke kryer zbor ushtarak 17 ditë në vit si ushtar, apo 60 ditë si oficer rezervë në rezervë që duhet të kesh qenë, meqenëse kishe kryer universitetin, se ndoshta edhe kupton diçka më shumë, nga kjo çështje për të cilën ke vendosur me një të rënë të lapsit të tregosh se merr vesh edhe nga çështjet ushtarake.

Është e hidhur që reagimi juaj i paarsyeshëm, zemërak e ofendues ndaj intervistës sime, i pambështetur në asnjë provë apo material faktik që të vërtetonte të kundërtën, apo të më kundërshtonit profesionalisht në ato fusha për të cilat unë jam prononcuar, gjë që na vërteton se gradat apo titujt shkencorë jo gjithnji përkojnë me dijet e vërteta.

Është e hidhur dhe e dhimbshme njëkohësisht, që njerëz me mllefe të akumuluar, për shkak se ju preket idhulli (në këtë rast Rugova), dhe manipulues në reagim, japin mësim në universitetet tona! O tempora! O mores!

Pyes: Vallë, çfarë mund të mësojnë këta të rinj universitarë nga pedagogë patronazhistë të kësaj derexheje?!

Tiranë, më 23 korrik 2024

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments