Ajo që dikur konsiderohej si e turpshme, për fatin tonë të keq, që pas ardhjes së kësaj
pseudo-demokracie, që na ka futur në një tranzicion të pa fund, ku vlerat janë kthyer në
antivlera, sot konsiderohet e domosdoshme!
Por, në këto vitet e fundit, veçanërisht të qeverisjes nga kjo paçavure që vetëquhet
“Rilindje”, është krijuar ideja se shërbimi public, kudo që ai bëhet, në institucionet e
qeverisë ose ato të bashkive, nuk është përgjegjësi por privilegj.
Pra, shërbimi publik në këtë Shqipërinë tonë thjesht është kthyer në një rrugë të shpejtë
për të bërë para.
Sociologu gjerman Max Weber ka shkruar se: “Shërbimi publik është një
thirrje/vokacion”.
Por vokacion/thirrje është diçka që e bën jo për para, është diçka që i dedikohesh
seriozisht për të arritur një qëllim që e tejkalon atë të personales.
Dikur, askush nuk hynte në shërbimin publik për tu bërë i pasur ose i famshëm, por,
thjesht për të bërë një jetë të dinjitetshme duke i shërbyer atdheut ose komunitetit.
Dhe karakteristika kryesore e atyre që duhej dhe normalisht edhe sot duhet të mbushin
rradhët e shërbimit publik, ishte dhe duhet të jetë integriteti personal dhe ai i
institucionit.
Por integriteti është kulturë, dhe jo një manual rregullash.
Por ne sot jetojmë në dekadat e një shoqërie liberale, dhe Liberalizmi si koncept ka të
bëjë i gjithi me individualen: Liberalizmi, që propagandon kjo shoqëria jonë, dhe politika
që kemi instaluar me ndihmën e ndërkombëtarëve, është ndjekja racionale e
autonomisë individuale dhe lirisë financiare, pa marrë parasysh pasojat për të tjerët,
dhe vetëm me ato kufizime të përcaktuara në mënyrë specifike nga ligjet.
Një ideologji e tillë nuk ka vend për ndershmërinë si koncept, por vetëm për sjelljen.
Në një ideologji të tillë individi i punësuar në shërbimin publik nuk pyet: –Cfarë duhet të
bëj? Por pyet: – Me çfarë do iki prej këtu?.
Në një situatë të tillë ndershmëria dhe integriteti bëhen më shumë çështje
përputhshmërie teknike sesa çështje primare, kulturore dhe morale.
Dhe, në një organizim, qoftë ai politik, burokratik, qeveritar ose bashkiak, do të duhet të
funksionoi mbi bazën e integritetit dhe të ndershmërisë si normë kulturore dhe morale,
nëse kjo do të propagandonte si normë morale parimin: “ Ne këtu nuk e lejojmë dhe nuk
e bëjmë korrupsionin dhe vjedhjen”.
Por, në një organizim politik si ai i “Rilindjes”, ku edhe në burokracinë qeveritare dhe atë
bashkiake mbizotëron mentaliteti i kthyer në normë: “Kush kapet, nuk është pjesë e
jona”, tregon se fajin nuk e ka brava por e gjithë dera, gjithë hyrja.
Dhe, kur sheh sesi disa drejtorë në Bashkinë më të madhe të vendit, në Tiranë,
nëpunësat e saj janë pasuruar me anë të korrupsionit nëpërmjet tenderave, aq sa edhe
SPAK-ut i kanë rënë në sy, gjithkush e kupton se shoqëria në të cilën jetojmë, dhe të
cilën po na e promovojnë me të madhe si një suskses të liberalizmit modern të tyre,
është thjesht një shoqëri e marrë peng nga tenderat, dhe ajo është kthyer thjesht në një
shoqëri e udhëhequr nga tender-kratët, të cilët vinë në pushtet dhe në shërbimin publik
vetëm me qëllimin e pasurimit të ngutshëm.
Duke e kthyer kështu sistemin në të cilin jetojmë nga një Demokraci Liberale, në një
Tendero-kraci Preferenciale.
Dhe në këtë Tendero-kracinë tone, kur disa hajdutëve të qeverisë ju shtohen edhe disa
hajdutë të qeverisjes vendore, pafuqia e të bënit tok për ta djegur deri në rrënjë sistemin
si dhe ata që janë brënda tij, thjesht të sjell nëpër mend një strofë të poezisë së Ali
Asllanit “Hakërrim”:
Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,
të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!
Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,
gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe!
Dhe, edhe atëherë kur me gjithë forcën e arsyes mundohesh të shohësh pak dritë në
fund të një tuneli të errët, ku na kanë futur tender-kratët, ta shuan atë dritë ajo që e
konsideron veten si një farë opozitë të vetëquajtur “Rithemelimi”, një term i ngjashëm
me “Rilindjen”!
Ku, për ineteresa të saja të ngushta dhe në mungesë totale të vlereva morale, vete e
bën marëveshje me “Rilindjen” për ligjin për amnistinë, ku pranon të japi votat për ligjin
vetëm në rast se në njërin nen të këtij ligji të përfitojnë aministi të gjithë ata të kapur në
korrupsion nga Drejtësia, që nuk kanë mbajtur ose mbajnë detyra të larta.
Dmth që të gjithë, duke filluar nga zv/drejtorë e poshtë që kanë vjedhur para në xhepat
tanë publik, këtej e mbrapa nuk do të dënohen më, e mund të vjedhin sa të duan, pasi
“Rithemelimi” ua ka garantuar aktivitetin korruptiv, në emër të Tendero-kracisë
Preferenciale.
Dhe sërish rrjedhën e mendimeve e mbyll Ali Asllani:
Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vendi,
që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dendi!