Nga Dritan Goxhaj
Një nga parimet kryesore të drejtësisë është ajo që njihet si “Parimi i
Prezumimit të Pafajësisë”, që nënkupton se, një person, që organi i akuzës i
ka atribuuar kryerjen e një vepre penale, konsiderohet sikur nuk e ka kryer
atë, deri në momentin që një gjykatë kompetente do të krijojë bindjen dhe
do të vendosë, nëpërmjet një vendimi gjyqësor të formës së prerë, që ai
është i fajshëm penalisht për kryerjen e faktit penal, dhe se gjatë procesit
gjyqësor barra e provës i takon ekskluzivisht organit të prokurorisë.
Por kur organi i akuzës i atribuon personit ose personave të akuzuar vepra
penale në një periudhë kohore në të cilën të akuzuarit nuk kanë qënë fare
në detyra dhe struktura përgjegjëse për atë çka ka ndodhur, atëherë ky
parim i prezumimit të pafajësisë ka rënë automatikisht.
Dhe kjo ka ndodhur, ose më sakt po ndodh në procesin gjyqësor në Hagë
kundër 4 (katër) ish anëtarëve të Shtabit të Përgjithëshëm të UÇK-së,
Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.
Pikërisht, dje, më 16 korrik 2025, kjo Gjykatë Speciale e Kosovës, e
stacionuar në Hagë, ka vendosur të rrëzojë mocionin e paraqitur nga ekipet
mbrojtëse të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: për të hequr nga
aktakuza të gjitha akuzat që lidhen me ngjarje të pretenduara para majit
1998 dhe pas 20 qershorit 1999.
Sipas mbrojtjes së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe
Rexhep Selimit, konflikti i armatosur në Kosovë ka zgjatur nga maji 1998
deri më 20 qershor 1999, dhe çdo pretendim për krime jashtë kësaj
periudhe është i pabazë në realitetin historik dhe ligjor.
Pamvarësisht se ideja e kësaj kërkese është e drejtë, formulimi i saj mbetet i
gabuar, dhe kjo Gjykatë Speciale nuk është organi kompetet për të
shtjelluar këtë këkrkesë, pasi në ligjin për Dhomat e Specializuara të vitit
2015, në Nenin Nr.7, Juridiksioni Kohor shkruhet: “Dhomat e
specializuara kanë juridiksion mbi veprat penale në kuadër të juridiksionit
lëndor të tyre, të cilat janë kryer mes periudhës 1 janar 1998 dhe 31 dhjetor
2000.”
Mbrojtja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep
Selimit duhet të kërkojë që këta të mos akuzohen për vepra penale që
prezumohet dhe që kanë ndodhur para dhe pas periudhës kur këta persona
kanë qënë pjesë e strukturës komanduese të UÇK -së.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë bërë
pjesë e strukturës Komanduese të UÇK -së në qershor të vitit 1998. Më
konkretisht: në 10 Qershor të vitit 1998, kur këta persona themeluan
Shtabin e Përgjithëshëm të UÇK -së.
Deri më këtë datë përgjegjës për gjithë veprimtarinë dhe atë çka ndodhte
brenda UÇK -së ishte një strukturë tjetër me persona të tjerë.
Dhe kjo strukturë quhej Sektori i Rëndësisë së Veçantë -SRV.
Ky sector, i quajtur SRV, është krijuar nga kryesia e LPK (Lëvizja Popullore
e Kosovës) në vitin 1993, me detyrë: për krijim e lëvizjes së armatosur për
çlirimin e Kosovës.
Dhe më datë 17 Dhjetor të vitit 1994, në një mbledhje të saja, Këshilli i
Përgjithëshm i kësaj force politike (LPK), me bazë jasht vendit, vendosi që,
Ushtrinë që do krijohej ta emërtojnë “Ushtria Çlirimtare e Kosovës- UÇK”,
dhe po në këtë mbledhje ju kërkua këtij Këshilli që të emëronte edhe
anëtarët e këtij Sektori të Rëndësisë së Veçantë.
Dhe në përbërje të këtij Këshilli Kryesia e LPK-së emëroi këta persona:
Xhavit Halitin, Azem Sylën, Jashar Salihun (i ndjerë) dhe Ali Ahmetin si
drejtues dhe përgjejgës të SRV për gjithë veprimtarinë e UÇK-së.
Jashar Salihu u caktua kryetar i Fondit Vendlindja Thërret, ndërsa tre të
tjerët, nga data 17 dhjetor 1994 e deri më 10 qershor 1998 kanë qënë
përgjegjës për gjithçka ndodhte në dhe me UÇK -në.
Prandaj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi,
duke mos qënë pjesë e kësaj Strukture të Rëndësisë së Veçantë, nuk mund
të mbajnë përgjegjësi për vepra të supozuara të ndodhura në periudhën
kohore nga 1 janar 1998 deri në 10 qershor 1998.
Por këta persona, nuk mund të jenë përgjegjës as për vepra penale të
supozuara të kryera në periudhën nga Qershori i vitit 1999 e deri në më 31
dhjetor 2000, sipas Nenit Nr.7 të larpërmendur.
Më saktësisht, më 20 qershor të vitit 1999 Shtabi i Përgjithëshëm i UÇK -së
ka nënshkruar me KFOR-in Marëveshjen e demilitarizimit dhe
transmormimit të UÇK -së. Kjo do të thotë se, në 20 Qershor të 1999, UÇK –
ja ka pushuar së ekzistuari dhe funksionuari si organizëm dhe, me
përjashtim të Shtabit të Përgjigjëshëm, i cili pësoi një ristrukturim të ri në
kuadër të transformimit, gjithë strukturat e tjera të UÇK -së u shpërbënë.
Pra UÇK-ja nuk ekzistone më, dhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup
Krasniqi dhe Rexhep Selimi nuk ishin më pjesë e UÇK-së, por anëtarë të
Qeverisë të Përkohëshme, të krijuar në Rambuje.
Prandaj, për gjithçka që ka ndodhur midis periudhës kohore: 20 Qershor
1999 dhe 31 Dhjetor 2000 është përgjegjëse Qeveria e Përkohëshme e
Kosovës.
Do thoni ju që këta kanë qënë anëtarë të Qeverisë dhe drejtues, po, por ama
këtu po akuzohen vetëm si strukturë e UÇK- së, ndërkohë që kjo structure,
për të cilën këta mbahen përgjegjës, ka funksionuar në periudhën kohore
10 Qershor 1998 deri në 20 Qershor 1999, vetëm një vit.
Mbrojtja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep
Selimit duhet të riformulojnë sërish kërkesën e tyre, drejtuar Dhomave të
Specializuara, që klientët e tyre të mos akuzohen për vepra penale të cilat
janë kryer në kohën që këta nuk kanë qënë përgjegjës të strukturës
drejtuese të UÇK -së, por, për to të mbajnë përgjegjësi ata që kanë qënë,
Xhavit Haliti, Azem Syla dhe Ali Ahmeti.
Pasi tashmë është evidente, ashtu si në rastin e Sali Mustafës, edhe në
rastin e Pjetër Shalës (që do e trajtoj në pjesën e dytë të këtij shkrimi), dhe
tashti në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep
Selimit, drejtësia që Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të
Specializuar pretendojnë të përçojnë dhe japin, është një drejtësi që i ka
humbur parimet e saja dhe nuk mund të pritet që ajo të korigjojë vetveten.
Ndërsa shoqata e Veteranëve të Luftës, të mos merret vetëm me deklarata
mediatike por të inicojë një kërkesë ligjore drejtuar Gjyaktës Kushtetuese të
Kosovës për ndryshim të Nenit Nr.7 të Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Si dhe njëkohësisht të fillojë organizimin e protestave massive, jo vetëm në
Prishtinë, por në të njëjtën kohë e ditë në gjithë qytetet e Kosovës, kundër
kësaj Gjykate e Prokurorie, në mënyrë të vazhdueshme.
Ndërsa partitë e dala nga rradhët e luftës në kuvendin e Kosovës, atëherë
kur të arrijnë ta konstituojnë atë, duhet të inicojnë një rishkim total të Ligjit
për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, duke
filluar që nga kopetencat e tyre, e deri të ndryshime thelbësore në nene të
veçanta.
Ndryshe çdo lloj retorike tjetër është e kotë.
Populli ynë thotë: “Llafet e tepërta janë fukarallëk.”
Tiranë, 17 korrik 2025