10.1 C
Tetovo
E premte, 22 Nëntor, 2024
BallinaOpinionDritan Goxhaj / DËSHMORËT, EULEX-i DHE REVOLJA

Dritan Goxhaj / DËSHMORËT, EULEX-i DHE REVOLJA

Ah revole, revole,
Sa të urrej, aq edhe të dua!

Këto dy vargje më erdhën menjëherë në mendje sapo pashë lajmin që policia e Eulex-it në Kosovë kishte bastisur shtëpinë e dy dëshmorëve të atdheut, dy heronjve të kombit, dy ish- luftëtarëve të orëve të para të UçK-së, Bahri dhe Fahri Fazlliut. M’u kujtuan këto vargje pasi ato janë shkruar nga dëshmori Bahri Fazlliu.
Luftuan vëllezërit dëshmorë për t’u çliruar nga pushtuesi e për të sjellë lirinë. Po nuk besoj se mund t’ju ketë shkuar në mendje se ne të gjallët që i pasuam ata në idealin e tyre do të zëvendësonim një pushtues me një pushtues tjetër.
Kurrë Bahriu nuk e ka çuar në mendje se shokët e tij të idealit do të themelonin një lloj prokurorie speciale me të njëjtat të drejta që kishte edhe prokuroria e Serbisë në Kosovë dhe se kjo prokurori, në bashkëpunim me një forcë policore të huaj, është sulur në një gjueti shtrigash ndaj asaj organizate politiko –ushtarake ku Bahriu e Fahriu ishin bashkëthemelues, një forcë policore kjo e cila vepron sot në Kosovë me mentalitetin se ata gjoja na kanë sjellë lirinë dhe tani po mundohen të na mbushin mendjen se po na dhunojnë e përdhosin simbolet dhe dëshmorët për të na sjellë demokracinë.
Dhe ne rrimë të heshtur, ne durojmë akoma, edhe pse i vetmi filozof politik që këto trojet tona kanë patur ndonjëherë, Ukshin Hoti, na e ka lënë me testament në librin e tij “Filozofia politike e çështjes shqiptare”, se “Demokracia nuk mund të importohet, ajo duhet të jetë vetëm autoktone”.
Prandaj, këta të huajt që e kanë marrë me kaq përpjetë duhet ta kuptojnë por, kur nuk e kuptojnë, ose bëjnë sikur nuk e kuptojnë që nuk janë zotër të këtij vendi dhe të fatit tonë, atëhere le t’ia kujtojmë ne. Në rast se nuk kuptojnë me fjalë, atëhere të veprojmë ashtu si vepronte Bahriu e Fahriu. Me të gjitha format e mënyrat duhet t’ua kujtojmë këtyre pushtuesve të rinj se ata nuk janë çlirimtarë të këtij vendi e të këtij populli. Maksimumi ata janë ndihmues në atë çlirim për të cilin Bahriu dhe nja 2000 dëshmorë të tjerë dhanë jetën.
Tanimë mos u çudisni kur kjo prokurori me këta policë të vazhdojë të bastisë edhe shtëpitë e dëshmorëve të tjerë. Ndoshta tani do e ketë radhën dëshmori Hyzri Talla ose Zahir Pajaziti e Adem Jashari. Dhe absurditeti më i madh i gjithë kësaj paçavureje qëndron në faktin se pjesë e këtyre forcave policore pushtuese të reja janë edhe ato vende që nuk e njohin aspak Kosovën. Por, si i thonë, çdo e keqe e ka një të mirë. Dhe e mira e gjithë kësaj që na ka rënë sërish, me bastisje të tilla, është se na risjell në kujtesë jo vetëm neve, ish-shokëve të idealit të dëshmorëve, heronjtë e ditëve të para, por sjell në këtë kohë edhë për brezin e ri mundësinë që t’i njohin edhe ata këta dëshmorë si Bahriu. Duke u interesuar për të do mund të kuptojnë idealin e tyre. E, në fund, të vijnë të gjithë te vargjet e Bahriut:
Ah, revole, revole,
Sa të urrej, aq edhe të dua!

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments