Ajo kishte ardhur e para te gurra në Zabel. Kishte pasur shumë arsye që të dilte nga shtëpia. Kunata e saj e kishte zëvendësuar në renin e magjes. Lotët e saj bëheshin bashkë me ujin e gurrës. Uji dhe lotët së bashku derdheshin nga korita, kalonin nëpër gurët mineralë dhe si prrockë derdheshin në lum, duke u bërë bashkë me vuajtjet lum të shumë grave tjera.
Gurra në zabel ishte vendi ku takoheshin. Zakonisht aty shkonin gra të moshës së të dyzetave e më të vjetra. Në shekullin e kaluar gruaja që hynte në të dyzetat konsiderohej e vjetër. Ndoshta edhe kishin të drejtë sepse, në atë moshë, ka pasur gjasa që shumica me qenë edhe gjyshe. Martoheshin në moshë fare të re, në raste të shumta edhe nën moshën pesëmbëdhjetë vjeçe, ndërsa mosha e burrit ka qenë shumë më e madhe. Disa familje të fisshme kanë ditur me e ruejt rininë e fëmijëve të tyre. I kanë martuar me djem të moshave të përafërta.
Martesat me mosha të mëdha në mes çiftit ku zakonisht femra ka qenë shumë herë më e re se mashkulli janë bërë edhe për rrethana të tjera, si:
-kur vajza ka qenë shumë e bukur dhe ka pasur ndonje ‘aferë dashurie’ me një moshatarë, për t’ia ulur kokën e kanë martuar me një të vjetër;
-kur një çift në të dyzetat e më shumë, nuk kanë pasur fëmijë, vetë gruaja ia ka lypur burrit gruan e dytë për ta shtuar hisen dhe ruajtur pasurinë;
-kur baba i vajzës në pamundësi materiale për t’i nxënë nuse djalit, ia ka dhënë çikën e re një miku, a dostit të ushtrisë dhe ai ia ka dhënë vajzën këtij të parit për djalë ose edhe e ka lypur vajzën e ndonjë miku për të;
-kur gruaja e parë ka lyp nuse për burrë të vetë ndonjë vajzë të re me të meta të ndryshme fizike, e shpesh edhe dëmtime mentale, të shpallur në kërkim të fatit si duam grua për fëmijë, se ai për shtrat e ka gruan e parë.
Sipas rendit nusja menjëher është dashur të lindë, pavarësisht moshës së re. Posa i kanë ardhur ‘ato’, ajo është dashur të mbetet me barrë dhe në moshë fare të re të bëhej nënë. Disa muaj pas dasmave dhe martesave, menjëherë është shtruar pyetja dhe debatuar bukur shumë për temën “hë a ka nusja naj sen”.
Rruga deri tek gurra nuk ka qenë e gjatë, por ka qenë një përpjetëz gozha e madhe. Me shku deri te gurra me tesha të ziera në shtëpia, gruaja është dashur me pasë goxha forcë me e shty karrocën me tesha të palara, me kazanin me tesha të ziera, me koritën nga druri. Kishte raste që disa kishin edhe korita të llamarinës.
Gjithashtu, perajka ka qenë njëri nga mjetet shumë të rëndësishme për larjen e rrobave e që ishte nga druri. Përdorej për të rrahur teshat dhe ndihmuar shtrydhjen. Disa gra që nuk kanë qenë në rendin e magjes, gjatë periudhave të ngrohta të vitit kanë preferuar që te gurra me ndez zjarrin dhe krejt procesin e larjes së rrobave me e kry një paradite aty. Gurra e kishte koritën e vet të drurit, të cilën e kishte gdhendur dhe vendosur një shpirtbardhë, që uji të mos derdhej furishëm në tokë por të mbledhej në koritë për ta përdorur për pije për kafshë dhe shërbime tjera të popullatës. Uji nga korita dilte dhe krijonte prrockën e vogël mbi fshat e cila bashkohej me lumin.
Shtëpitë e tyre ishin dendur të vendosura rrëzë Zabelit të vogël por shumë të bukur. Ulur në Zabel syri të pushonte duke soditur lugun e lumit, shelgjet e plepat në të dy anët e tij si dhe tokën lluki të mbjellur me perime e punuar me aq delikatesë nga duart e tyre.
Ajo kishte ardhur e para te gurra në Zabel. Kishte pasur shumë arsye që të dilte nga shtëpia. Kunata e saj e kishte zëvendësuar në renin e magjes. Lotët e saj bëheshin bashkë me ujin e gurrës. Uji dhe lotët së bashku derdheshin në koritë, nga korita kalonin nëpër gurët mineralë dhe duke krijuar prrockën derdheshin në lum, duke u bërë bashkë me vuajtjet lum të shumë grave të tjera.
Ashtu të përlotur e gjet shoqja e saj. Ajo ishte njëra nga nuset e lagjes, në të dyzetat.
Herët paske dalë, i tha. As unë nuk kam la tesha qe një javë, jonë bo shumë e thashë te grabiti sabahin me i la se nashti po më çojnë te të mitë mbas dite.
Ajo e vërejti se nuk po ia kthen asnjë fjalë dhe i tha: Çka ki mori që s’po fol?
Nga pyetja asaj iu shtuan dënesët edhe më shumë.
Shuj i tha, po vjen kush e po na gjonë, kujtojnë se çka u bo.
Jom mushëhelm motra jem, nuk po muj mo. I bona qe tridhjet vjet me to e kurr dajakun për atë punë nuk ma nalë. Sa here të vjen prej të tretës, nuk i pritet sa të dalin fëmijët për në shkollë, lyp me fjetë. E kanë hetu edhe fëmijët, mezi presin me dalë prej sobe, nisen të ngratit më herët, veç mos me ni kurgjo.
Mos me pasë bukë më rreh, me qenë buka e ftoftë më rrehë, mos me pasë kos taze ta gjun sahanin, me kos të djehit, sa atje. Boll jom munu me ja marrë tabiatin, por ky nuk din as çka don as qysh don. Zoti e vraftë. Krejt ia kisha falë, por kur po më shtren me zor tuj më rreh me ma bo atë punë, kurrë hallall nuk ia boj.
Mos e mallko, se po ta gjon diçka; i keq është e keq të len.
Pasha ndryshkun e ati vëllau, gjo s’ka çka më gjon. Ni copë bukë ma dhonë, mua e këtyne fëmijëve, që mi ka falë Zoti. Po a çohet jeta kështu. Mos me konë hatri i fëmijëve ma mirë me e myt vehten dikun.
Hajt oj motër se e kanë pakë si zanat. Dashni e dajak. Unë nuk po ja vnoj hiç menën këtij temit. Veç po ja boj rrafsh. S’ka me ty, qysh po din kështu me fol e me pleqnu, po i thom! Ai po kujton nime, e po rrina si karshi.
Sa herë më thotë me bo atë punë, e ka zanat e më rreh. Veç kqyre ku me ia gjet arsye. As nuk guxoj mi thonë kështu as ashtu. Me bo me pas qef unë më thotë ku po mësohesh, po ta kona dhe gjen arsye të më rreh, me bo me i thonë jo se u bo sabah dhe na nijnë fëmijët më thotë çka ki që s’po don dhe më rreh përsëri. A çohet jeta kështu, oj motër.
Po mos ja tepro mori, se pasha atë vëlla të hasretit, edhe Zaha e mahallës së re, para një jave çka më ka kallxu, me të lonë mendët e kresë. Ata janë shtëpi në zo, e nuk po guxojke as në gjini me kallxu. Më tha se kush se din çka po ndodh në atë dhomë kur po mshelet dera.
Këtij temit kush çka i thotë e merr çashtu. Na jena bo edhe kallabllak burra e gra, nuk kalon java pa u bo një hallakamë. Ky e merr përsipër për të gjithë të tjerët që konfliktet me i zgjedh duke më rreh. E për hatër të fëmijëve po më duhet me toleru. Po me kqyr holl edhe s’kom ku me shku, se me pas zemër me ik a mu myt dikun. Këta kujtojnë se edhe gruja e meriton me u rreh. Nuk e di sa herë gjyshja e tyne iu thotë: Oj loke, me gru dy punë jonë ja me e dashtë ja me e rreh. E këta kënaqen tuj u kesh.
Të kisha lind në qytet, se atje po i çojnë qikat në shkollë, nashta më kish ra më mirë, murmuriste me vete.
Po unë kurrë nuk i lypi kurgjo as me më ble mu as fëmijëve. Kur kom nejte në vjeshtë, në gjini, ua kam maru jelekat e dimrit të gjithë fëmijëve. Nana jeme ma ka tjerr leshin që i kish pas ra hise kur i kanë qeth dhentë.
Ajo nuk ndalej duke i treguar shembuj e shembuj të shumë shoqeve për situata kur ato i rreh i shoqi ose i qorton vjehrri e kunati i madh.
Kjo, e shtyrë në moshë, e vazhdon jetën pa folur, duke e pa kohën si ka ndryshuar, përderisa Covid-19 ishte i kobshëm për të.