16.9 C
Tetovo
E diel, 8 Shtator, 2024
BallinaLajmeDrejtori i RTK-së: “Slobodna Bosna” është medium serioz – s’ia kemi përmendur...

Drejtori i RTK-së: “Slobodna Bosna” është medium serioz – s’ia kemi përmendur emrin gazetave kosovare

Drejtori i Radio Televizionit të Kosovës, Rilind Gërvalla, ka reaguar pas lajmit të publikuar në portalin e mediumit publik dhe pas kronikes në lajme qendrore, duke e cituar mediumin boshnjak “Slobodna Bosna” se dy media nga Kosova, “Nacionale” dhe “Periskopi” i shërbejnë pushtetit në Serbi.

Gërvalla tha se RTK-ja nuk i ka përmendur këto dy media nga Kosova me emër, e që sipas tij, kjo është një mënyrë për ta mbajtur në konsideratë integritetin e profesionistëve që punojnë në ato media kundrejt obligimit profesional për ta informuar publikun.

“Vlerësimet profesionale për të botuar a jo lajme si këto s’janë asnjëherë të lehta. Meqë lajmi nuk është produkt i hetimeve vetjake, gazetari duhet të gjykojë për seriozitetin e medias që citohet. Aty do shtruar një sërë pyetjesh. A është anonim portal që citohet, apo ka redaksi profesionale me redaktor përgjegjës. Çfarë historie ka si medium. A ka vlerësime nga shoqatat e gazetarëve në vendin përkatës”.

“Këto pyetje dhe të tjera si këto kanë të gjitha përgjigje të bollshme. ‘Bosna e Lirë’ është medium serioz. Ajo është është publikuar e shtypur si gazetë e përditshme që nga vitet e 90-ta. Më 2015 ka kaluar tërësisht në edicionin digjital, si shumica e mediave në regjion dhe më gjerë. ‘Bosna e Lirë’ ka redaksi profesionale, me gazetaren e njohur boshnjake Mirha Dediç si kryeredaktore. Pos saj, aty punojnë shtatë gazetarë profesionistë dhe më përvojë, nga të tri kombësitë në Bosnje. Ajo ka edhe një fotograf profesionist, e një arkiviste administrative të redaksisë. Redaktor përgjegjës është gazetari i famshëm boshnjak Senad Avdiç”, shkroi Gërvalla, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, Gërvalla përmendi një rast kur një gjykatë boshnjake e pat dënuar redaktorin përgjegjës të “Bosna e Lirë”, për disa artikuj hetues më 2011, e kur sipas tij, Komiteti për Mbrojtje të Gazetarëve e pat quajtur atë vendim “sulm flagrant kundër gazetarisë së lirë”.

“Po atë vit, pra më 2011, redaktori përgjegjës i ‘Bosnës së Lirë’, Senad Avdiç, është shpallur atje ‘Gazetar i Vitit’. Pra, po përsëris, “Bosna e Lirë” njihet si medium serioz. RTK përcjell rregullisht lajme nga mediume të huaja me rëndësi që shkruajnë për Kosovën. Gjykoj se këtu nuk kishte motiv objektiv për të censuruar lajmin e një mediumi serioz”.

“Një ndër parimet bazë të gazetarisë është obligimi profesional e etik për të botuar lajmin pavarësisht prej pasojave, ajo që kolegët tanë gjermanë e quajnë “Konsekvensneutralitet”: detyra e gazetarit neutral nuk është që të ruajë prej pasojave personat që përmenden në lajme, por që të informojë publikun. Personat dhe mediumet në fjalë kanë patur çdo mundësi që të reagojnë në RTK, ata këtë e dinë se janë gazetarë me përvojë. Por kanë zgjedhur që të reagojnë në mediat e veta, e të ndjekin ligjërisht mediumin “Bosna e Lirë”. Kjo nuk mund të na ndalë ne do të raportojmë edhe për ato procese”, shkroi më tej Gërvalla, transmeton Klankosova.tv.

Gërvalla njoftoi se bordi i RTK-së dhe u.d, e drejtorit të RTK-së kanë njoftuar se do ta nisin një komision ad hoc për ta shqyrtuar vendimin për publikimin e lajmit në fjalë, e që sipas tij, është një mënyrë e mirë për t’i shqyrtuar detyrat dhe pritshmëritë profesionale në RTK.

“RTK nuk mund të bëhet mediumi i ankthshëm, që ec në majë gishtërinjsh për të mos trazuar askënd. Nuk mund të qëndrojë si status quo-ja. As nuk mund të shuhet jashtë zhvillimit të lajmit”.

“Jam i bindur se komisioni do të konfirmojë parimet bazë dhe caqet e standardeve etike të gazetarisë, duke vendosur në plan të parë të drejtën sipërore të publikut për informim. E mbi të gjitha të drejtën e RTK-së për të qenë në krye në raportimit edhe kur prej tij ka debat shoqëror”, shkroi ai.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments