9.6 C
Tetovo
E hënë, 3 Nëntor, 2025
BallinaLajmeDraft-Raporti i Progresit, vijon kërkesa e BE-së ndaj RMV-së: Duhet të bëhen...

Draft-Raporti i Progresit, vijon kërkesa e BE-së ndaj RMV-së: Duhet të bëhen ndryshimet kushtetuese për rrugëtimin eurointegrues

Në një draft të Raportit të Progresit në pjesën për Maqedoninë e Veriut për vitin 2024  të cilin e ka siguruar Radio Evropa e lirë, thuhet se vendi ende nuk i ka miratuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese për t’i përfshirë në Kushtetutë edhe banorët që jetojnë në zonat kufitare dhe e identifikojnë veten me shtetësi tjera, përfshirë atë bullgare.

Sipas draftit të raportit, autoritetet maqedonase kanë vazhduar të punojnë për të shënuar përparim në fushën e sundimit të ligjit, në reformën e administratës publike, funksionimin e institucioneve demokratike dhe mbrojtjen e minoriteteve.

“Maqedonia e Veriut duhet t’i intensifikojë përpjekjet për mbështetje të sundimit të ligjit, sidomos për ruajtje të pavarësisë dhe integritetit të gjyqësorit, si dhe të rrisë luftën kundër korrupsionit”.

Sa i përket Kosovës, thuhet se përparimi i saj në agjendën e Bashkimit Evropian është penguar nga politikat e brendshme përçarëse dhe nga ngërçi politik pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, pavarësisht se Kosova është e përkushtuar në rrugën evropiane, me nivel të lartë të mbështetjes publike.

Kosova, për dallim prej vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor, nuk e ka statusin e vendit kandidat, ndonëse ka aplikuar për anëtarësim në dhjetor të vitit 2022.

Sa i përket Shqipërisë, Bashkimi Evropian përmend se procesi i zgjerimit është duke u zhvilluar me ritmin më të shpejtë në 15 vjetët e fundit, dhe që prej fillimit të vitit 2024 janë zhvilluar 11 konferenca ndërqeveritare – prej tyre pesë vetëm me Shqipërinë.

Shqipëria përmendet për përparim të madh në reforma, dhe që ky vend ka arritur me shpejtësi të pashembullt që t’i hapë negociatat në pesë grupe kapitujsh.

“Kjo e reflekton përkushtimin e madh të Shqipërisë. Shqipëria ka vazhduar të shënojë përparim në reforma, veçanërisht në reformën gjithëpërfshirëse në drejtësi dhe me përfundimin e procesit të vettigut”, përmendet në draft-raport, pa harruar edhe rezultat e Prokurorisë Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në rastet kundër korrupsionit, bashkëpunimin aktiv ndërkombëtar kundër krimit të organizuar dhe zhvillimin e kapaciteteve për hetime financiare.

Në pjesën për Bosnje-Hercegovinën, përmenden tensionet e brendshme gjatë gjithë vitit 2024 për shkak të veprimeve të Republikës Sërpska – entitetit serb – përfshirë miratimin e ligjeve që më pas janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese vendore.

“Vendi duhet të ndërmarrë hapa relevantë për të mbajtur konferencën e parë ndër-qeveritare, duke nisur me miratimin e reformës në drejtësi dhe emërimin e një shefi negociator”.

Në pjesën për Serbinë përmendet se ky vend, ndonëse i ka hapur 22 prej 35 kapitujve në kuadër të negociatave për anëtarësim, ai duhet të marrë më shumë përgjegjësi për komunikim më proaktiv dhe objektiv në procesin e anëtarësimit dhe që duhet ta shmangë retorikën kundër BE-së.

BE-ja i përpilon këto raporte për vendet që synojnë anëtarësimin në bllokun evropian.

Raporti i KE-së për progresin i vitit të kaluar  u publikua më 30 tetor. Në fushën e luftimit dhe parandalimit të luftës kundër korrupsionit u tha se Maqedonia e Veriut nuk ka bërë përparim dhe se korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha dhe është një çështje shqetësuese serioze. Korniza institucionale për luftën kundër korrupsionit është e vendosur dhe është e kënaqshme për sa i përket masave parandaluese, megjithatë, nevojitet përmirësim në zbatimin e ligjit. 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments