Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës. Në fund të mbledhjes së Qeverisë ai ka bërë të ditur se ka dhënë dorëheqje të parevokueshme.
Shkak i këtij vendimi ka thënë se është një thirrje për t’u paraqitur për t’u marrë në pyetje nga Specialja si i dyshuar.
Haradinaj ka lexuar letrën e dorëheqjes në përfundimin e mbledhjes së Qeverisë. Ai tutje ka shtuar se taksa do të vazhdojë të mbetet.
Letra e plotë e dorëheqjes e Haradinajt:
Të nderuar kolegë
Dua të ju informoj se sot kam marrë këtë vendim:
Jap dorëheqje të parevokueshme nga detyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe dua që të ju falënderoj për besim dhe përkrahje
Arsyeja e këtij vendimi është se kam marrë thirrje të paraqitem për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara në Hagë si i dyshuar
Qeveritë dhe pushtetet janë të ndërrueshme, jetojmë në demokraci
Nderi i kryeministrit dhe shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtëroj asnjëherë. Në Hagë si Ramush Haradinaj do t’i dal përballë shpifësve ashtu si e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar
Pastërtia ime dhe e luftës së UÇK-së e konfirmuar nga dy aktgjykime nuk mund të njolloset nga askush dhe asnjëherë
Shteti im është Kosova e paprekshme në multietnicitet, shumëgjuhësi, në territor e kufij
Kosovës i bëhet presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia. Ndarja apo Dodik Republika janë të papërballueshme për Kosovën dhe stabilitetin e rajonit
Si kryeministër i Qeverisë së Kosovës besoj fuqishëm se çmimi për njohje është tregu dhe për këtë taksa duhet të jetë çmimi i njohjes
Bashkësia ndërkombëtare po bën gabim që po insiston në çmim të papërballueshëm për Kosovën për njohje. Lidershipi kosovar po bën gabim se nuk po e fuqizon legjitimitetin e vendimit për taksën ndaj Serbisë. Herët a vonë do ta kuptojmë se sa dëm i madh po i bëhet vendit me këtë mosunitet
Kosova euroatlantike është e interesuar për njohje reciproke në kufijtë ekzistues
Dialogu për njohje është edhe rruga për tregti të lirë me Serbinë
Kurrë s’është vonë të jemi bashkë – tregu për njohje e jo ndarja apo Republika e Dodikut
Më lejoni të ju siguroj se Taksa mbetet, ushtria e Kosovës shkon para, Trepça është e gatshme për investime
Pas kësaj dorëheqjeje, mandatin ia kthej popullit. Sovrani të vendos për udhëheqjen e ardhshme me zgjedhje të lira dhe demokratike
I drejtohem Presidentit që në afatin kushtetues të kryejë konsultimet me partitë politike dhe t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme
Qeveria e vendit vazhdon të kryejë funksionet e veta pa lejuar vakuum qeveritar deri në Qeverinë e re të dalë nga zgjedhjet e lira dhe demokratike
Menjëherë do t’i drejtohem me shkresa zyrtare për dorëheqjen e parevokueshme institucioneve të vendit dhe udhëheqëse të koalicionit qeverisës
Do t’i shërbej me besnikëri gjithë jetën, popullit, atdheut dhe shtetit tim Kosovës
Faleminderit!