Ish-ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, ka reaguar pasi iu përmend emri nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në çështjen e hartimit të doracakut të edukatës seksuale.
Bajrami tha se gjatë kohës së tij nuk ka ndodhur hartimi i doracakut.
Ai u shpreh se institucionet e shtetit duhet të jenë të hapura për reflektim dhe përmirësim kur gabojnë.
“Dëshiroj të sqaroj se në shkurt 2016, kur unë isha në udhëheqje të MASHTI-t, është paraqitur kërkesa tek UNFPA (Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë) për mbështetje në hartimin e doracakëve për mësimdhënës. Për këtë, shpreh mirënjohjen time ndaj UNFPA-së për gatishmërinë e tyre për të ofruar ndihmë duke qenë një agjenci e Kombeve të Bashkuara që punon për të përmirësuar çështjet që lidhen me popullsinë dhe zhvillimin”, tha Bajrami.
“Gjithsesi, hartimi dhe miratimi i përmbajtjes së doracakëve nga njësitë përkatëse të MASHTI-t nuk ka ndodhur gjatë periudhës kur unë isha në udhëheqje të ministrisë”, tha ai.