Kryetari i degës së Alternativës në Tetovës, Dritan Bexheti, i cili në fakt javë më parë është shkarkuar nga kryesia e partisë, për TV21 pohon se i ka 42 kuvendarë të nënshkruar të cilët e kanë zgjedhur atë. Thotë se listën me nënshkrime kuvendarësh e ka dorëzuar në parti dhe pret nga Kryesia e Alternativës të kërkojë falje veprimet e ndërmarra.
“Do i dorëzojmë nënshkrime pasi që çdo të hënë mbahet mbledhja e ngushtë e partisë, ata do i shqyrtojnë, pastaj le të mbajnë mbledhje me kryesin e ngushtë që na sollën vendim në na shkarkojnë pasi që akoma nuk është sjell procesverbali dhe kryesia fillimisht duhet t’i kërkojë falje publike degës së Tetovës dhe të gjithë aktivistëve pasi që bënë huti, si dhe kushtet që i vendosëm, ta largojnë nga pozita Zeqirja Ibrahimin dhe Bekim Sali dhe të ulemi ta forcojmë partinë tonë Alternativën.”- deklaroi Dritan Bexheti, kryetar i degës.
Sipas Bexhetit nëse kjo nuk ndodhë, ai do të vazhdojë me ngrirjen e aktivisteve dhe paralajmëron se edhe degë të tjera të Alternativës do të dalin me përkrahje.
“Po aktivitete do rrinë të ngrira po më vjen keq se edhe degët tjera do vazhdojnë t’i ngrinë aktivitetet pasi që unë kam pas kontakt me disa kryetra degës, disa nënkryetar degësh, të cilët më janë lajmëruar dhe më kanë dhënë përkrahje për këtë iniciativë që kemi marrë.”- tha Dritan Bexheti, kryetar i degës.
Për këto u përpoqëm të marrim qëndrim nga nënkryetari Bekim Sali gjatë konferencës për media që sot e kishte për një tematikë tjetër, por Sali nuk deshi të del nga tema dhe na tha se për këtë çështje duhet të drejtohemi në parti.
“Do të ju kisha lutur që të drejtoheni në shërbimin e partisë sot kisha dashur të mbes vetëm tematik tema shumë e ndjeshme aktuale dhe prandaj jam këtu.”- tha Bekim Sali, Nënkryetar i Alternativës.
TV21 me pyetje ju drejtua zëdhënësit të partisë Orhan Murezani, por nuk morëm përgjigje.