15.1 C
Tetovo
E shtunë, 15 Mars, 2025
BallinaLajmeBotaDodik kërkon ndihmë nga Trumpi: Mos e lejo NATO-n të ndërhyjë në...

Dodik kërkon ndihmë nga Trumpi: Mos e lejo NATO-n të ndërhyjë në Bosnjë

Presidenti i entitetit serb në Bosnje e Herzegovinë, Milorad Dodik, i ka bërë thirrje presidentit amerikan, Donald Trump, dhe nënpresidentit amerikan, JD Vance, që të parandalojnë çdo formë të ndërhyrjes së NATO-s në Bosnje e Herzegovinë.

Ai ka kërkuar nga ata që ta ndihmojnë në anulimin e çdo vendimi, që sipas Dodikut është jolegjitim dhe jodemokratik, të ndërmarrë nga administrata e Joe Biden.

“Ne nuk duam luftë, ne duam paqe. Ne synojmë të luftojmë për të drejtat e njeriut përmes mënyrave demokratike. Qëllimi ynë është të rikthejmë interpretimin origjinal të Marrëveshjes së Dejtonit. Na ndihmoni të anulojmë vendimet jo-legjitime dhe jo-demokratike të administratës së Joseph Biden”, ka thënë Dodik në një intervistë për revistën “The American Conservative”.

Ai ka theksuar se deklaratat e Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, i cili pati thënë se Dodiku është duke minuar institucionet e Bosnje dhe Herzegovinës, kanë qenë “të njëanshme dhe kanë shprehur pëlqim për palën myslimane”.

“Unë nuk e kritikoj atë, por e ftoj në dialog. Unë dua që ai të dëgjojë të tre perspektivat, jo vetëm perspektivën e myslimanëve në Bosnje dhe Herzegovinë, që po tentojnë të nënshtrojnë shumicën e krishterë në vend”, ka shtuar ai.

Asambleja Parlamentare e Republikës Sërpska e ka miratuar të enjten vonë një draft të kushtetutës së re, e cila synon ta përcaktojë si shtet entitetin serb të Bosnje e Hercegovinës.

Me Kushtetutën e re, ndër të tjera, liderët e Republikës Sërpska synojnë ta përcaktojnë këtë entitet si shtet të popullit serb, t’i japin të drejtën e vetëvendosjes, ta krijojë ushtrinë e tij dhe ta shfuqizojë Këshillin e Popujve dhe nënkryetarët nga dy popujt e tjerë përbërës.

Kjo është një lëvizje tjetër për ndarjen e Republikës Sërpska nga Bosnja e liderëve të këtij entiteti, pasi javën e kaluar Asambleja miratoi ligje që ndalojnë punën e institucioneve shtetërore të drejtësisë së Bosnjës në territorin e këtij entiteti.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments