Aktualisht nuk ka kërkesa të mëdha nga qytetarët për të siguruar bileta të udhëtimit drejt Evropës. Agjencitë thonë se rritje të kërkesave mund të ketë gjatë stinës së pranverës.
Dy ditë më parë kosovarët nisën udhëtimin pa viza. Përveç atyre që po udhëtojnë këto ditë me aeroplanë dhe automjete private, një numër i madh i tyre në zonën Schengen po udhëtojnë edhe me autobus.
Disa agjenci të udhëtimit i kanë konfirmuar sot RTK-së ka pasur kërkesa për bileta por jo me ndonjë ndryshim të madh.
“Nuk ka fluks, duket që ka, por në fakt janë mërgimtarët, sepse mbi 250 mijë qytetarë nga Disapora kanë ardhur në Kosovë për festat e fundvitit. Në dhjetë ditëshin e parë të gjithë kthehen në vendet nga kanë ardhur”, tha Ruzhdi Kurtishaj, nga njëri nga agjencionet që operon me udhëtime jashtë vendit.
Ai pret që kërkesat për bileta të shtohen nga muaji mars e tutje.
“Ne kemi arritur ta kuptojmë nga qytetarët se kërkesat e tyre do të shtohen nga muaji mars, kur përmirësohet koha, kur hapen mundësitë tjera për të punuar. Por, kjo prapëseprapë sa për të vendosur kontaktet, sepse ata duhet të kthehen në Kosovë dhe të përgatisin dokumentacionin e rregullt”, shtoi ai.
Liberalizimi i vizave që filloi më 1 janar u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë, brenda gjashtë muajsh, në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen. Pas heqjes së regjimit të vizave për kosovaret, autoritetet në Prishtinë presin nga qytetarët respektimin e të gjitha kërkesave dhe kritereve të këtij procesi.