1.6 C
Tetovo
E hënë, 3 Mars, 2025
BallinaOpinionDilaver Goxhaj / BETEJA E SHKALLËS SË VALIT - 3 Mars 1944

Dilaver Goxhaj / BETEJA E SHKALLËS SË VALIT – 3 Mars 1944

“Nuk duhet një hero për të udhëhequr njerëzit të hyjnë
në betejë, por duhet një hero që të hyjë në betejë.”
Gjenerali Norman SHVARCKOF
3 Mars 1944. “I vetmi shteg për të dalë Brigada e Parë nga rrethimi ishte
Shkalla e Valit në fshatin Peshk të Martaneshit,- thuhet në Historikun e asaj
bgigade,- nja 4 -5 orë larg prej fshatit Lenë. S’duhej humbur kohë. Lypsej
shfrytëzuar errësira e natës. Në orën 1 të natës, duke gdhirë 3 Mars,
kolona vazhdonte përsëri marshimin me masa të forta sigurimi.” Mbritën në
qendër të fshatit Peshk. Përballë ishte Shkalla e Valit me 72 dredha në
ngjitje pothuajse pingul, rreth 200 metra lartësi. Përfundi saj kalon përroi i
thellë i Çiçulit. I vetmi kalim i këtij përroi ishte një urë me dy dërrasa, në të
dy anët e së cilës ngrihen dy kodra. Ato ishin zënë nga xhandaro-ballistët,
por urën portative nuk e kishin hequr! Rastësi?! Ky quhet fat. Në këto
kushte vendimi i vetëm i mundshë për Brigadën e Parë Partizane ishte
shpërthimi i rrethimit në të vetmen pikë të mundshme: Shkalla e Valit. Ndaj
dhe për të marrë atë pikë, sikundër tregon Xhaferr Peçi, komandant
Mehmet Shehu, pasi theksoi se e gjithë brigada kishte rënë në rrethim,
urdhëroi: “Batalioni i parë të qëndroi ku është dhe të sulmoi në të dy anët
nga na kanë zënë prita. Batalioni III, çani përpara si rrufe, ngjituni dhe
kapni kryet e Shkallës! Kamber, merr dy pararojat dhe kap urën! Batalioni II
të siguroni krahët dhe shpinën e Batalionit I dhe III. Përpara!”.
Për ata partizanë, fjala “përpara”, pa dyshim, tingëllonte si muzikë qiellore.
Boria e Hakiut ra për sulm.
Një fjalë e tmerrshme kaloi gojë më gojë të të gjithë partizanëve: TË
RRETHUAR! Ishte e vërtetë. Ishte ajo që çdo njeri i trëmbet më shumë se
vdekjes: Rrethimi! Rrethi i hekurt ishte mbyllur. Ishte një rrethim më i egër
se ai në përroin e Skroskës, ku Brigada pas 8 orë luftime më në fund e gjeti
daljen, “u nis drejt malit të Shebenikut përpjetë duke çarë borën, me më
tepër se një metër të trashë”. Ndërsa në këtë rrethim, reaksionarët e kishin
mbyllur Brigadën e Parë në një rreth, duke lënë vetëm një shteg të hapur:
Tërheqje andej nga erdhën. Në rast se Brigada do të binte në atë kurth, të
tërhiqej prapa, ajo ishte vdekje e sigurtë. Por Brigada e Parë nuk mund të
binte në atë kurth. Ai rrethim ishte një shtrëngim i fortë i asaj hallke të
tmerrshme. Ishte një nga rrethimet më të papara deri atëherë nga kjo
Brigadë heroinë. Erën e barutit e ndjenin si një shije të hidhur në gjuhë. Në
secilën fytyrë lexohej qartë: “Jemi në rrethim”. E megjithatë ajo nuk ishte

frikë. Ata kishin qenë në dhjetra beteja dhe në shumë rrethime, dhe kështu
që u ishte argasur lëkura. Asnjë partizan nuk dukej i shqetësuar!
Vetë beteja rrezatonte një lloj elektriciteti. Me sa duket ishte vetëdija e të
qenit në rrethim që e shkaktonte atë lloj elektrizimi, i cili i kish pushtuar të
gjitha nervat e tyre. Në të tilla rrethana, qysh në vërshëllimat e para të
plumbave e të predhave, tek ata lindi mprehtësia e shqisave; trupat e tyre u
vunë në gatishmëri të plotë, ku çdo fjalë e shprehje merrte një tjetër tingull.
Thirrja “Përpara Brigad’e Parë!” u rikthente atyre burimin e fuqishëm të
jetës, duke eleminuar çdo çast ankthi dhe duke u mprehur instiktin e
vetëmbrojtjes, i cili i shtyn që të mbrohen pas çdo guri, apo të shtrihen në
tokë në të mijtën e sakondës para se të mbrijë plumbi. Po të mos ishte i
zhvilluar ky instikt luftëtari të regjuar, Brigada do qe asgjësuar qysh në
Skroskë. Në mos në Skroskë, në mal të Letmit. Në mos në mal të Letmit,
në Okshtun. Në mos në Okshtun, në mal të Kaptinës. Brigada nuk mund të
tërhiqej prapa. Çdo hap prapa do të ishte një hidhërim i madh, ndoshta i
pandreqshëm, pasi reaksioni ishte bërë edhe më i egër, edhe më i
bashkuar. Por ata dinin vetëm në gjë: të shkonin vetëm përpara. Tërheqja
do të ishte vdekje për gjithë brigadën. Një hap i vetëm prapa i bërë qoftë
edhe nga një partizan i vetëm do të ishte tradhëti. Nuk kishin ku të
tërhiqeshin.
Bazuar në terrenin, në kohën në dispozicion që kish Brigada për t’iu larguar
ardhjes së gjermanëve, në përbërjen e të dy palëve, në kohëzgjatjen e
mundshme të asaj lufte dhe në pasojat që mund të kish mos-shpërthimi i
atij rrethimi, si dhe në vendimin e marrë nga Komandanti i Brigadës, ajo
luftë, për marrjen e Shkallës së Valit ishte një BETEJË. E quajmë të tillë
nga që Br1S vepronte e pavarur, në një teatër lufte të veçantë, në zona të
pushtuara nga hitleriantë e tradhëtarët, shumë larg forcave të tjera të UNÇ.
Fati i të rrethuarve vendosej vetëm nga sulmi. I tillë qe edhe vendimi. Palës
së rrethuar i rritej probabiliteti i humbjes edhe për faktin se nuk kish rezerva
të tjera edhe pse ishte ajo që hidhej në sulm; gjë që rrethuesit ishin
komodë në këtë drejtim. Si rjedhojë e hedhjes menjëherë në sulm, si nga
pararojat e Batalionit të pare e të tretë ashtu edhe nga i gjithë Batalioni i
tretë, porsa ranë pushkët e para të rrethuesve, u bë e mundur edhe marrja
e inisiativës. Të dy këto rezultate nga ana e Brigadës, i hoqën mundësinë
armikut rrethues të ndërmerrte qoftë edhe një kundërsulm të vetëm.
Kur je më i dobët se kundërshtari ose në kushte më të disfaforshme se ai,
vetëm sulmi është mjeti që të bën më të fortë. Dhe kjo ndodh vetëm
atëherë kur forcat udhëhiqen nga komandantë të shkëlqyer ushtarakë, të
cilët sukseset e tyre ua dedikojnë sulmeve në shkallën më të gjerë,
sikundër veproi Mehmet Shehu dhe Brigada e komanduar nga ai.

Duke e hedhur të gjithë Brigadën në sulm, përveç që, “elementi vendimtar
për të përcaktuar fituesin, numëri i të shtimeve në një interval të caktuar
kohe”, e tejkaloi atë të armikut, por u arrit edhe faktori i tretë vendimtar, i cili
solli fitoren përfundimtare të betejës nga ana e Brigadës: E bëri betejën
shumë të ashpër. Ajo ashpërsi e shthuri armikun. Ashpërsia ishte arma
kryesore, që i dha fitoren asaj Brigade. Vetëm me ashpërsinë e luftimit ajo
mundi të kompesonte mungesën e epërsisë në forca, disfavorin e terrenit
dhe mungesën e artilerisë mortajë, aq e domosdoshme në ato kushte e në
atë terren.
Hedhja në sulm e të gjitha forcave që ke në dispozicion, kur nuk ke as
edhe një skuadër në rezervë, është mënyra më e rallë që mund të
përdoret, por që është mënyra e sigurtë e humbjes së betejës. Prandaj
“Mehmet Shehut i qeshi buza vetëm kur mbritëm në Dumre”, shkruan në
ditarin e tij zv.komisari i k3b1Br1S,Bedri Gjegji. Çuditërisht, ky lloj vendimi i
dha fitoren. Duam apo nuk duam, jemi të detyruar ta pranojmë se në këtë
rast ai ishte vendimi më i drejtë, vendimi më i mirë dhe i vetmi vendim i
mundshëm, gjë që u vertëtua si i tillë.
Gjithashtu mund të shprehemi se ajo betejë është një nga rastet më të
ralla, për mos të thënë se është i vetmi rast i fitores së betejës në këtë
mënyrë. Kjo betejë është e veçantë në tërë historikun e asaj Brigade
Partizane, prandaj beteja e Shkallës së Valit e meriton të jetë objekt i
veçantë studimi për historinë ushtarake. Por edhe për një fakt tjetër: ajo
Brigadë e fitoi atë betejë ngaqë mbështetej në forcat e veta dhe vetëm në
forcat e veta, ndërsa reaksionarët e humbën sepse mbështeteshin
kryekëput në ndihmën e gjermanëve, të cilët i konsideronin si mbrojtësit e
tyre të fuqishëm. Fakti që pas 8 orë luftimesh të pandërprera, në kushtet
më të disfavorshme që mund të përfytyrohen, ato forca mundënqë t’i
qëndronin tetë orë rrethimit sulmues të një kundërshtari shumë më të madh
në numër është diçka që e nderon pa masë trimërinë dhe qëndresën e
partizanëve.
Që të merrej Shkalla e Valit me 72 dredha nga Bataliomi III duhej t’i ngjitet
përpjetë një shkëmbi nja 200 metra të lartë duhej të merrej ura mbi përroin
e Çiçulit. Ajo urë mbrohej nga xhandaro-ballistët, të cilët ishin pozicionuar
në ato dy kodrat mbi të. Që të kaloje nëpër Shkallë e të dilje në qafë ishte e
domosdoshme që të dëboheshin armiqtë nga këto pozicione, në të kundërt
humbjet do të qenë shumë të rënda.
Cili ishte vendimi i komandantit të pararojave, Kamber Sadik Dinaj, për të
dëbuar armiqtë nga ato pozicione? Si duhej të vepronte, ndërkohë që
breshëritë e armëve vinin nga anash dhe përballë, nga dy kodrinat
shkëmbore në rrëzë të Shkallës, për të cilat kish marrë detyrë t’i kapte me

çdo kusht, pasi midis tyre ndodhej i vetmi shteg për të kaluar Brigada, Ura
e Çiçulit? Të hidhej në sulm me të dy skuadrat pararojë, apo të
groposeshin a të fshiheshin pas gurëve? Jo. E pamundur. Nuk kish aspak
kohë të mendohej më gjatë. Vetëm kalimi sa më shpejt në sulm. Ky sulm
do të ishte krejt ndryshe nga të mëparshmit. Armiku ishte vendosur jo
vetëm mbi dy kodrinat që duhej të merreshin me çdo kusht, por edhe nëpër
shtëpi dhe mbi shkëmbinjtë më tej. Situatë e paimagjinueshme! Nuk kish
rrugë tjetër përveç sulmit. O jetë, o vdekje!
Detyrë jashtzakonisht e vështirë. Ndoshta e pamundur, por e
domosdoshme. Derisa ishte e domosdoshme, patjetër që nuk mund të
ishte e pamundur. Dhe që të mos mbetej e pamundur, duhej të guxonte
dikush. Rezultatet më të mëdha në luftë arrihen në sajë të komandantit.
Dhe ai që duhej të guxonte ishte komandanti i dy pararojave, Kamberi. Dhe
ai vendosi. Çfarë vendosi? Vendosi të përdorte një tjetër mënyrë të fortë,
që e kish përdorur edhe më parë në pritat dhe rrethimet e mëparshme: Të
hidhej në sulm ballor njëherësh me dy skuadrat pararojë, me të gjithë
forcën e armëve të zjarrit që dispononin, duke vënë në veprim gjithë
dijenitë e tyre, gjithë shkathtësinë e tyre rinore, gjithë vitalitetin e tyre, nën
zjarrin e fortë e vdekjeprurës të xhandaro-ballistëve.
Rruga më e mirë për të çarë vështirësirë është t’i biesh mespërmes. Dhe
ashtu bënë. U hodhën në sulm ballor. Xhandaro-ballistët ikën nga sytë
këmbët. Dhe shtegu u çel. Nëse ato kodrina nuk do të ishin marrë në ato
moment, Brigada rrezik të mos e merrte në kohën e duhur qafën e Shkallës
së Valit ashtu si e mori. Ai vendosi që ta udhëhiqte sulmin vetë. Dhe jo se
dyshonte te partizanët e tij: Ai i njihte ata prej shumë muajsh, kish besim të
plotë, por këtë “copë” të mirë, e cila shpëtonte Brigadën, si duket desh ta
“merrte” për vete. Sa herë që i paraqitej rasti, e cila tregonte mprehtësinë e
mëndjes së tij, zotësinë e tij, që t’i hapte një fushë të gjerë mëndjes dhe
gjithë skuadrës së tij, ai dridhej i tëri nga ngashërimi. Nga e drejta e tij si
komandant e komisar, ai e ngarkonte kurdoherë vetëveten me detyrat më
të rrezikshme, pa e pyetur nëse kjo do t’i kushtonte edhe jetën. Ai nuk
kudesej për veten e tij, atij i interesonte vetëm një çështje: detyra e tij. Në
këtë moment ndodhi ajo që s’duhej të ndodhte: u vra komandanti i
pararojës së Brigadës.
Është një gjë e zakonshme që tërë këtë luftë në lagjen Peshk ta thërrasësh
thjesht “ferr”. Kamberi shkoi drejt tyre si një i gjallë që del nga ai ferr. Dhe,
pikërisht, në mes të këtij ferri qëllohet në shpinë Kamberi, pikërisht kur “në
këtë moment kompania e parë e Batalionit të 1-rë kapi kodrat mbi urën e
përroit të Çiçulit, – tregon Dalan Memushi-, në të cilën kishin zënë pozicion
mercenarët e Ballit dhe prej nga shtinin pa pushim kundër nesh. Në këtë

luftim mbeti i vrarë komunisti Kamber Sadiku, skuadërkomandant në
kompaninë III, nga fshati Golëm i Kurveleshit. Kamberi ishte një ndër
luftëtarët e vjetër të krahinës së Kurveleshit. Ishte arratisur nga ushtria
italiane me gjithë mitralozin që mbante gjatë një operacioni ndërshkimor që
ajo kishte ndërmarrë në dhjetor 1942 kundër krahinës së çliruar të
Kurveleshit”.
Nga erdhi plumbi, që goditi Kamberin? Këtë na e tregon zv.komisari Bedri
Gjegji në ditarin e tij: “Në këtë kohë, nga penxheret e nji shtëpije na vrasin
Kamberin, shokun tonë më trim e më komikun nga të gjithë. Lajmi i vrasjes
së tij na bani që ne të qajshim të gjithë. Në sulm si të tërbuar e me bomba
e pushkë vramë 6 xhandarë tue dalë nga shtëpijat. I gjithë katundi kish dalë
e na kish zanë prita.”
Batalioni III u hodh matanë përroit, dhe po ngjiste Shkallët duke hapur zjarr
majtas e djathtas, ndërsa pararoja e Batalionit i vijoi sulmin në krahun e
kodrës së djathtë, nga filluan të tërhiqeshin xhandaro-ballistët.
Kamberi ra dëshmor në minutat e para të orës së parë të asaj beteje 9
orëshe, në ditën e 13-të të atij marrshimi heroik. Ishte i 21-ti dëshmor në
atë marrshim, i 12-ti dëshmor komunist i brigadës, prej inaugurimit të saj
nga 76 të tillë, i 69-ti dëshmor i brigadës nga 372 që pati kjo brigadë
gjithsej deri në fundin e luftës. Kamber Sadik Dinaj binte dëshmor pas 576
ditë luftë partizane; 271 ditë para se të mbrinte 29 Nëntori 1944.
Duke kujtuar këtë tabllo, nuk mundet njeriu të rrijë pa i bërë homazhe një
trimërie të tillë. Jo më kot qau e gjithë Brigada kur u vra ky trim, sikundër
tregojnë zv.komisari dhe komandanti i kompanisë së tij, Bedri Gjergji e
Xhaferr Peçi, pasi nuk ishte hera e parë që Kamberi kish treguar trimëri të
tilla. Ai sulmoi me tërë forcën e urrejtjes e të hidhërimit që kish zënë vend
në të gjithë partizanët e Brigadës I, kur u gjendën përpara pamjes së
dhimbshme të atij rrethimi të pa besë shqiptarësh kolaboracionistë.
Armiku nuk e priste atë sulm aq të menjëhershëm të asaj pararoje. Armiku
ishte i bindur se me atë rrethim, duke e mbajtur Urën e Çiçulit, Brigada, për
ata, ishte zënë si miu në çark; duke u mbajtur ura, mbaheshin në rrethim
450 partizanë; mbajtja e Urës nga mercenarët siguronte kohën e
mjaftueshme për të arritur forcat gjermane dhe… shfarrosej Brigada e
Parë.
Por… reaksionarët dështuan. Pse dështuan? Sepse nuk e dinin se me cilët
kishin të bënin. Ata nuk e njihnin aspak armikun e tyre, Brigadën e Parë
dhe pararojën e saj, që vërsulej drejt tyre, edhe pse sulmonin në kushtet
më të vështira: nga poshtë – lart. Mercenarët i kishin bërë hesapet pa
“hanxhinë”. Për këtë arsye ata nuk e kishin shkatërruar Urën, ndaj dhe nuk
e kishin organizuar me aq kujdes shërbimin roje, si në fshatin Peshk ashtu

edhe në Val. Prandaj u kapën tre herë në befasi: së pari, ishte Brigada që u
doli në befasi në mes të fshatit, në kohën që ata nuk e prisnin, atëherë u
zgjuan; së dyti, sulmi i menjëhershëm dhe i fuqishëm i pararojës dhe
eleminimi i pritës te Ura e Xuxllit. Këto dy befasi mundësuan befasinë e
tretë: kalimin e Urës nga Batalioni III, pa u dëmtuar, dhe kapja e Qafës së
Shkallës para se të mbrinin e ta kapnin mercenarët e Valit. Në të kundërt,
Brigada e Parë ishte asgjësuar. Befasitë e arritura si rjedhojë e shpejtësisë
së kalimit në sulm dhe çlirimi i dy kodrave dhe kapja e Urës së Çiçulit me
guxim, i krijuan Brigadës epërsi numerike: faktori kryesor që solli fitoren.
Lufta që u ndez në Shkallën e Valit dukej si një oshëtimë e tmerrshme e
tokës dhe e qiellit, ku dallohej vetëm plasja e granatave dhe e bombave të
dorës; ajo luftë të jepte përshtypjen se po përmbyseshin shkëmbinj dhe
shtëpi të tëra. Koka u oshëtinte partizanëve si një goditje e fortë por me
pak dhimbje. Një kaos i tërë zhurmonjës. Krisma granatash të ndezura
flakë, zhurma, vajtje e ardhje partizanësh e xhandaro-ballistësh, shkëmbim
fyerjesh. Dukej sikur qielli po zbriste në tokë me një vërshëllimë ngjethëse
përherë e më shpejt, për herë e më me vrull. Toka dridhej. Bombat
pëlcisnin përherë e më afër. Qielli i tërë po shkulej dhe lëshonte një shi të
madh breshëri prej plumbash drejt e mbi partizanët e mbrojtur pas gurëve.
Të gjithë e shikonin njëri-tjetrin të alarmuar e të ndezur sikurse ndodh në
një betejë të papritur. Granatat i thyenin gurët si goditjet e qysqive e të
varéve, ndërsa plumbat i shponin shkëmbenjtë si sqepi i zogjve. Tymi i
hidhur i plumbave dhe i granatave po shtohej gjithnjë e më shumë. Në hijen
e tij të vrenjtur e të hirtë, kthjelltësia e qiellit po zhdukej dalëngadalë. Një
njeri që do të mund të shihte nga jashtë këtë mish-mash, por të mund të
mos i dëgjonte ato zhurma, do të kujtonte se kish të bënte me një grumbull
të marrësh, një grumbull i madh njerëzish që nuk ishin në vete dhe që
pëpiqeshin në një kazan natyror në mes të një atmosfere të zjarrtë, ku nuk
mund të merrje frymë. Ç’mrekulli fishekzjarrësh!, do të thoshte. Një pamje
disi e bukur dhe prekëse, por vetëm se të bën gjëmën. Nuk merrej vesh
nëse luftonin apo mbroheshin nga asgjësimi. Breshëritë e mitralozave të
shurdhonin me të kolliturën e tyre të thatë. Sipër tyre ajëri përshkohej prej
vërshëllimave dhe ulërimave të predhave që plasnin para, anash dhe prapa
çdo partizani. Përpara tyre binte “shi” prej copra gurësh. Duket sikur nuk
fishkëllenin flurudhat e plumbave e të coprave të granatave, por sikur ishte
vet toka ajo që ulërinte. Duhej që të shihej nga afër për të kuptuar se këtu
kishe të bëje me një lloj shregullimi të regulluar më së miri dhe se të gjithë
ata që ishin grumbulluar kishin të drejtë.
E gjithë brigada u hodh në luftë. Këtu ishte e pamundur tërheqja. Të gjitha
shtigjet e malit ishin zënë nga mercenarët. Nuk mund të mendohej edhe

një sulm direkt prej kësaj grope gjigande shkëmbore. Një gjë e tillë do të
kërkonte sakrifica shumë të mëdha, prandaj Batalionit të tretë ju dha urdhër
që t’i ngjitej sa më shpejt Shkallës së Valit. Nuk kishte rrugë dhe as shtigje
të tjera përveç ngjitjes me çdo kusht të asaj Shkalle. Ndoshta shumë prej
partizanëve u shkoi ndër mend se shumë prej tyre edhe mund të vriteshin,
por atyre u kish rënë një detyrë e madhe: Të qëndronin fort gjer në vdekje
dhe të çahej me çdo kusht rrethimi. Kjo ishte ndërgjegja partizane e asaj
Brigade. Dhe, meqenëse nuk kishin qëllim të tërhiqeshin, ata të Batalionit
III i ngjiteshin përherë më lart Shakallës së Valit, ndërsa ata të batalioneve
të tjera hidheshin në sulme të njëpasnjëshme mes këtyre katakombeve prej
guri. Armiku kishte vendosur mitraloza të veçuar në vendet më të
favorshme të mbrojtjes së tij. Me sa dukej, armiku ishte i bindur se
shkëmbinjtë e mbronin në mënyrë të sigurtë, dhe se askush nuk mund të
delte i gjallë apo të kërkonte shtigje nga ky rrethim me shkëmbinj e
mitralozë.
Deti i zjarrtë shkëlqente, shpërthehej, duke vërtitur dallgët e nxehta.
Fishekët gjurmëlënës fishkëllenin nga të gjithë shkëmbenjtë dhe nga
dritaret e shtëpive të fshatit Peshk dhe dukej sikur era po sillte një shi
shurdhonjës prej zjarri. Përvoja u kish treguar partizanëve se rreziku sa më
i madh të jetë, aq më shumë e ndryshon njeriun. Këtë ata e kishin provuar
shumë herë, sidomos gjatë atij marshimi, dhe atëherë ata e ndjenin se u
zhdukej çdo ankth dhe nervat e tyre të ndezura jashtzakonisht ua
mbushnin trupin me një forcë të madhe. Në ato çaste ata arrinin të kuptonin
forcën e madhe që fshihej në trupin e tyre, forcë që nuk ndjehet në kushte
të zakonshme, sepse kjo zgjohet vetëm përpara rrezikut të vdekjes. Atyre u
dukej sikur tërë musklataura dhe vullneti i njëqind njerëzve të fortë
përmblidhesh brënda një trupi të vetëm dhe sikur e ndjenin veten ngushtë
brënda këtij trupi. Kjo bindje e çuditëshme nuk u shkëputej kurrë në minutat
më të vështira të jetës së tyre në atë luftim. Herë-herë, atyre u dukej se nuk
qenë ata që ishin rrethuar, që ishin mbyllur në atë katakomb të rrethuar me
male shkëmborë, por përkundrazi, ishin rrethuar xhandaro-ballistët, ngaqë
partizanët shkëmbenin thirrjet me njëri-tjetrin. Skuadra! Kompania!
Batalioni! Brigada! A mundej partizani i Brigadës së Parë të ekzistonte pa
brigadën? E pamundur, e pallogjikshme! Kur qëllonte secili partizan, secili
e kish të qartë se atë krismë e dëgjonte e tërë skuadra, e tërë kompania, i
tërë batalioni, e tërë brigada e tij e dashur.
Si kurdoherë, përpara se partizanët e dy pararojave të komanduara nga
Kamberi, e Batalionit I dhe e Batalionit III, të hidheshin në atë sulm të
rrezikshëm, ata u “përqafuan” me shikim, një gjest i shpejtë dhe si i
inatosur. Ky zakon lufte bëhet i natyrisht, sepse në luftë njeriut i ndodh

edhe të vritet dhe, në përgjithësi ka rrezik. Kamberi i pa me bisht të syrit
edhe partizanët e tjerë të pararojave që u hodhën në sulm njëherësh me të,
në të dy kodrinat. “Trimi nuk mundet të shkojë i vetëm përpara, frikacaku
nuk mundet i vetëm të ikë pas. Ky është ligj i udhëheqjes së efektivit”, thotë
Sun Xu. Asnjë partizan nuk qëndroi në vend. Të gjithë të krusur gjer në
mes vraponin përpara dhe thërrisnin: “Përpara Brigad’ e Parë!” Kjo i dha
kaq forcë Kamberit, saqë edhe një urdhër i vet Komandantit të Brigadës
nuk do të mund ta ndalonte. -“Të marrim hakën e Kamberit!”, bërtiti një zë
dhe ai njeri u lëshua edhe më përpara në mes të britmave dhe zhurmës së
luftës. Kjo thirrje u dha energji të egër dy pararojave dhe gjithë Batalionit I e
III, pasi emëri i Kamberit filloi të gjëmonte si një britmë lufte: “Të marrim
hakën e Kamberit!”. Kazani shkëmbor gjëmoi nga britmat. I gjithë Batalioni i
parë po rendëte dhe po kacafytej me xhandaro-ballistët, të cilët me sy të
trembur vraponin paditur se ku të shkonin, ndërsa Batalioni III iu qep si
macet shkallëve përpjetë. Qytat e pushkëve fishkëllonin në ajër dhe
dëgjoheshin britma dhe rënkime të shumta. Rrethimi duhej çarë duke
sulmuar nëpër shkëmbinjtë e papërshkueshëm. Partizani e urren mbrojtjen,
pasi e quan bezdi të hapurit e llogoreve dhe qëndrimin gjatë në vend, futur
në gropë apo prapa një guri. Sulmi. Ja, kjo është në luftë një gjë e mirë,
thotë partizani. Vetëm kur sulmon dhe përparon, vetëm atëherë partizani e
ndjen veten se jeton.
Në Shkallën e Valit u përleshën me njëri-tjetrin ata që nuk duhej të
përlesheshin kurrë. Ata që vranë Kamberin, një urdhër i kish shndërruar në
vrasës për gjithë Brigadën Partizane. Ai urdhër i kish bërë armiqë për
vdekje kundër shqiptarëve çlirimtarë të rrethuar; pushkët mercenare të
atyre lartë mbi shkëmbenj qëllonin kundër atyre poshtë shkëminjve, kundër
partizanëve çlirimtarë! Nëse këta nga poshtë nuk do të mund t’i
shpartallonin e t’i largonin mercenarët atje lartë, atëherë do të shfaroseshin
këta poshtë nga ata lartë, nga mercenarët. Për këta poshtë ishte çështje
jete dhe çështje kombëtare. Për ata lartë ishte çështje shpërblimi dhe
çështje hitleriane. Interesa diametralisht të kundërta! Për këta poshtë
çështja shtrohej: O jetë për Brigadën dhe Shqipërinë, o vdekje e të dyjave.
Për ata lartë mbi shkëmbinj çështja shtrohej: O vrasim partizanët dhe
marrim stërlinat, o na ikin partizanët dhe nuk fitojmë gja. Injoranca s’paska
kufi!
Ata mbi shkëmbenj ishin të ngrënë dhe të veshur. Ata poshtë, të rrethuarit,
ishin të zbathur, të xhveshur dhe zorrëthatë; më i lumturi prej tyre ishte ai
që kishte disa thërrime buke misri në xhep.
Kujt i shëbente lufta që bënin ata mbi shkëmbinj? Atyre që i kishin
urdhëruar për t’i zënë pritë kolonës partizane. Kush ishin ata? Bejlerët

kolaboracionistë. Ç’fitonin kolaboracionistët? Moslargimin e hitlerianëve
nga Shqipëria, kolonizimin e saj, e cila u garantonte të qenët sundimtarë të
popullit. Lufta në mal është një luftë për të pushtuar shtigjet ose për të
kapur shtigjet, e cila kërkon manovrim të shkathët në pikat më të vështira,
në labirinthe të pakapërcyeshme për t’i bërë ata nga armiq në miqtë e tu.
Dhe këtë e kishin bërë realitet mercenarët këtu, në Shkallën e Valit.
Ballisto-zogistët, duke i pushtuar këto prita e këto shtigje malore, kishin
kujtuar se kjo pengesë natyrore do të ishte e pakapërcyeshme nga Brigada
e Parë. Por ajo Brigadë e kapërceu! Si? Kur marshonin, ata dukeshin pak,
prandaj dhe zogisto-ballistët u trimëruan dhe u ngritën pusinë e rrethimit.
Por, kur partizanët u shpërndanë sipas urdhërit të dhënë me zë nga
Komandanti i Brigadës, kur u dëgjua krisma e pushkëve të tyre dhe kur filloi
lufta, dukej sikur numëri i tyre u dhjetëfishua.
Kujt i shërbente sakrifica dhe mbrojtja që bënin ata poshtë të rrethuarit?
Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Luftonin për lirinë dhe pavarësinë e
Shqipërisë; jetë ose vdekje e saj.
Lind pyetja: Si është e mundur që kreu i Shkallës nuk qe zënë qysh gjatë
natës nga forcat xhandaro-balliste? Përgjigjen e kësaj pyetje na e jep
historiku i Brigadës së Parë: “Armiqtë qenë penguar prej një kohë, prej
fshatarëve të Valit, të cilët kundërshtonin të zihej qafa nga do të kalonin
partizanët. Ata i qenë kanosur njëri-tjetrit edhe me armë.” Intuita popullore
nuk gabon kurrë. Rreth orës 16.00 të datës 3 mars 1944 e gjithë kolona
kishte ngjitur Shkallën dhe të gjithë partizanët ecnin të zymtë, thuhet në
historikun e asaj brigade. “E si mos të ecnim të zymtë! – shprehet
komandanti i kompanisë së Kamberit, Xhafer Peçi, – Kamberi, përveç që
ishte ndër më trimat e batalionit tonë, ai kishte cilësitë e një njeriu të dashur
e të dhimbshëm, shumë simpatik dhe me një fizik atleti; shpërndante
gjithmonë zgjuarsi dhe sinqeritet, i këngës dhe i shakasë, apo që e hidhte
me gjithë shpirt vallen popullore, një propagandist dhe orator i rallë, jo
vetëm para Batalionit, por edhe me popullin; e donim pikërisht sepse te
Kamberi ne shihnim vetveten, fuqinë tonë; humori i tij gjallërues të bënte të
shpërfillje çdo vështirësi, të cilin e përdorte atje dhe atëherë kur vihej në
diskutim morali; nuk mbahet mend të ketë përsëritur dy herë të njëjtën
shaka, dhe kurrë nuk qeshte vetë; shumë herë me shakatë e tij arriheshin
ato që nuk mund të arriheshin me kurrëfarë arsyesh; ishte edhe pjestar i
teatrit partizan të Brigadës, ku rolet e ballistave, veçanërisht të
komandantëve të Ballit, i qante, sa e tërë Brigada mekej nga të qeshurit.
Ç’të të them, ishte i jashtëzakonshëm dhe i gjithanshëm. Për trimëri, të
rrallë ishin ata që i viheshin në krah”.

“Kamberi, ende i ngrohtë e i pamposhtur, pa lëshuar mitralozin nga duart,
bëri një përpjekje për të marrë një pozicion, por s’ia arriti dot., – vijon Sotir
Andoni.- E mbuloi gjaku; u turbullua… Mori kurajo, bëri edhe një përpjekje
tjetër kur i vajtën pranë dy nga shokët, por prapë s’mundi të ngrihej.. Gjaku
i ridhte, plaga po i ftohej. “Më lini, më lini!, – u thoshte atyre… Ja…
mbështetmëni këtu në këtë ledhin dhe vraponi, kapini, se ja ku janë të
poshtërit, këtu pari… Shpejto se ikën!”-shkruan në kujtimet e tij
bashkëluftëtari i Kamberit, Sotir Andoni. (f.237). “Duke manovruar me vrap,
i shkoi atje për t’i lidhur plagën Haxhire trimja… Edhe dikush prej familjeve
të shtëpive të afërta eci në atë drejtim e desh t’i ndihte, por s’i qaste… – Jo!
Mirë jam këtu. Lermëni të prëhem këtu ku jam! … Vetëm shokët të më rrinë
pranë!…Shokë! Shokë! … Haxhire, motra!, – thirri disa herë si i turbullt…
Dua të vdes në duart e shokëve!… Osh e zvarrë të më tërhiqni dhe këtu në
duar të të tjerëve mos më lini!.. Ose pritmëni sa të më dalë shpirti e më
varrosni!… Shokë, nuk dua nga ju veçse një gjë, marshoni bashkë, mos u
ndani kurrë!.. Merrini që tani të gjitha ç’kam me vete! Asgjë mos më lini!
Hiqmëni këpucët dhe pallton, jepjani ndonjë shokut që s’ka!… Gjendia e tij
shumë e rëndë, si dhe fjalët që thoshte i bënë të gjithë të preken thellë. –
Nuk ka gjë, nuk ka gjë. Jemi në luftë edhe do vritemi!”, përfundon tregimin
Sotir Andoni.
Fjalët e fundit të heroit të kësaj beteje të krijojnë përshtypjen sikur e ka ditur
poezinë e poetit Halek, kushtuar suljotit Marko Boçari, heroit të betejës së
Misolongjit, 9 Gusht 1823, gjatë luftës për pavarësinë e Greqisë:
Të gjith’ luftuan me trimëri,
Pushtuesin turk e grinë, e korrë,
Armiqt’u vranë mizëri,
Po n’luft ra Boçar’i gjorë.
Kur sokëllitën shokët “Urra!”,
Dhe e shfaros’n hordhin’ mizore,
Panë heroin që shpirt dha,
Me buz’ në gas për kët fitore.
I qetë, i qeshur mbylli sytë,
Sikur po lindej për her’ të dytë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments