Dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump dhe CEO i Affinity Partners, Jared Kushner ka treguar sesi është njohur me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, teksa është shprehur tejet i impresionuar nga vizioni i këtij të fundit për të transformuar Shqipërinë.Gjatë një fjale të mbajtur online në Forumin “Future Investment Initiative” në Tiranë, Kushner, i cili është një nga folësit e Forumit, tregoi historinë se si është njohur fillimisht me kryeministrin Edi Rama dhe si vendosi që të investonte në Projektin e Sazanit.“Pra, si të gjitha gjërat në jetë, çdo gjë merr rrjedhën e vet. Isha me pushime pasi u larguam nga qeveria (amerikane) në verën e vitit 2021. Ishim në varkën e mikut tonë, Matt Rothschild, na morën në Mal të Zi dhe pastaj filluam të lundronim nëpër Korfuz dhe kaluam disa ditë në Shqipëri. Një natë kryeministri Rama erdhi në anije. Nuk e kisha njohur kur ishim në qeveri, por isha shumë i impresionuar me vizionin e tij se çfarë dëshironte të bënte me Shqipërinë. Vërtet nuk dija asgjë për vendin. Nuk e njihja historinë dhe errësirën e historisë me komunizmin dhe lidershipin e tmerrshme që çoi të jetë plotësisht e pazhvilluar si komb, por më pas erdhi Edi. Ajo që më tërhoqi ishte fakti që ai është një politikan i aftë, një lider i fuqishëm dhe i mençur, por gjithashtu edhe fakti se ishte artist. Mendova se do të ishte interesante të shoh sesi mund të jetë një vend i udhëhequr dhe ndërtuar nga një artist. Një njeri me shije të mrekullueshme dhe kreativitet dhe thjesht u intrigova. Para se të shkonim në Korfuz, ndaluam në Butrint, që gjithashtu ishte pjesë spektakolare. Dhe thjesht më tregoi potencialin e vendit me shumë bukuri. Uji, notuam shumë, bëmë hiking. Vendi kishte bukuri natyrale, por dukej si një vend që nuk e njihte apo nuk e kuptonte askush dhe kështu nuk mendova shumë, rreth një vit. Pas një viti filluam të mendojmë për mundësi në Ballkan. Dhe partneri që udhëhoqi mundësitë, i thash e di çfarë, le të shkojmë në Shqipëri. Kisha një eksperiencë të mirë atje. Shko kontrolloje nëse ka diçka. Dhe menjëherë na tërhoqi që po bënin një aeroport në Vlorë dhe shteti do ta bëjë një aeroport në bregdet, në një vend të bukur dhe shkuam atje, kërkuam mundësi dhe gjetëm mundësi të mrekullueshme”, tha Kushner.