Ndërmarrja Publike “Parkingu i Qytetit” në Tetovë, vitin 2021 e ka mbyllur me rreth 100 mijë euro humbje, konkretisht dallimi mes të hyrave dhe të dalave për vitin 2021 është 6.100.101 denarë. Ndërsa sa i përket gjashtë-mujorit të parë të këtij viti, ndërmarrja pas shumë kohësh është në fitim. Konkretisht ka gjeneruar të hyra prej 20.979.820 denarësh, prej të cilave të dala kanë qenë 14.661.240 denarë, ndërsa fitimi i ndërmarrjes për këtë gjashtë mujor është 6.318.580 denarë apo mbi 100 mijë euro, shkruan Portalb.mk.
Nëse krahasohen këto të dhëna i bie se kjo ndërmarrje vetëm për gjashtë muajt e vitit 2022 ka gjeneruar të hyra afërsisht sa viti 2021 në total. Konkretisht të hyrat për vitin 2021 në këtë ndërmarrje janë 23.883.205, ndërsa vetëm për gjashtë muajt e parë të këtij viti ndërmarrja ka gjeneruar të hyra prej 20.979.820 denarësh.
Më poshtë mund të shihen në formë të detajuar këto raporte.
Viti 2021
Në periudhën 01.01.2021-31.12.2021 NP “Parkingu i Qytetit Tetovë” ka realizuar të hyra të përgjithshme prej 23.883.205 denarë. Shuma e përgjithshme e të dalave për të njëjtën periudhë është 29.983.306 denarë. Ndërsa rezultati financiar është humbje në shumë prej 6.100.101 denarësh.
- Të hyrat e NP “Parkingu i Qytetit” për vitin 2021:
Kjo ndërmarrje të hyrat i realizon përmes bllokatorëve, shërbimit të merimangës, parkingjeve të mbyllura, parkingjeve zonale, biletat e shitura, banorët parapagues të parkingjeve dhe të hyra tjera. Në total për vitin 2021 shifra e të hyrave është: 23.883.205 denarë.
- Të dalat e NP “Parkingu i Qytetit” për vitin 2021:
Për vitin 2021, NP “Parkingu i Qytetit ka të dala të përgjithshme prej 29.983.306 denarë.
Të dalat sipas raportit financiar janë të ndara në pesë grupe. Ndërmarrja në total për të punësuarit ka shpenzuar 19.768.886 denarë, për lëndë të para dhe materiale të tjera- 992.943 denarë, për shërbimet me karakter të shpenzimeve materiale 6.419.793 denarë, për shpenzime të tjera që dalin nga puna- 2.374.784 denarë, ndërsa të dala të tjera financiare- 420.900 denarë.
Sipas raportit të punës për vitin 2021,numri i vendeve të parkimit në kuadër të ndërmarrjes (zonale dhe të mbyllura) për vitin 2021 ka qenë gjithsej 764. Numri i kartelave të shpërndara për banorët në parkingjet e tipit te hapur zonal dhe atyre të mbyllur ishte 397. Shërbimi i bllokatorëve në këtë periudhë ka bllokuar 5 mijë vetura ndërsa shërbimi i merimangës 3100 vetura. Numri i biletave të shitura ka qenë gjithsej 83.600 ndërsa pagesa me sms porosi ka pasur gjithsej 354.064. Për personat me invaliditet janë dhënë 200 kartela falas.
Viti 2022, periudha janar-qershor
Janar- mars 2021:
Në periudhën 01.01.2022-31.03.2022 NP “Parkingu I Qytetit Tetovë” ka realizuar të hyra të përgjithshme prej 12.385.053 denarë. Shuma e përgjithshme e të dalave për të njëjtën periudhë është 6.780.784 denarë. Rezultati financiar është pozitiv në shumë prej 5.604.269 denarë.
- Të hyrat e NP “Parkingu i Qytetit” për periudhën 1 janar 2022 – 31 mars 2022:
Ndërmarrja të hyrat i ka realizuar nga burimet e njëjta si në vitin 2021. Në total për periudhën 1 janar- 31 mars 2022 ndërmarrja ka të hyra prej 12.385.053 denarësh.
- Të dalat e NP “Parkingu i Qytetit” për periudhën 1 janar 2022 – 31 mars 2022:
Për këtë periudhë kohore ndërmarrja ka pasur të dala prej 6.780.784, denarësh.
Të dalat sipas raportit financiar janë të ndara në pesë grupe. Ndërmarrja në total për të punësuarit ka shpenzuar 5.279.514 denarë, shpenzime për lëndë të parë dhe materiale të tjera- 464.015 denarë, shërbime me karakter të shpenzimeve materiale 627.326 denarë, shpenzime tjera që dalin nga puna 408.970 denarë, të dala të tjera financiare- 959 denarë.
Në tremujorin e parë të vitit 2022 ndërmarrja publike “Parkingu i Qytetit Tetovë” ka realizuar rezultat financiar pozitiv prej 5.604.269,00 denarë.
Prill-Qershor 20222:
Në periudhën 01.04.2022-30.06.2022 NP “Parkingu I Qytetit Tetovë” ka realizuar të hyra të përgjithshme prej 8.594.767,00 denarë. Shuma e përgjithshme e të dalave për të njëjtën periudhë është 7.880.456,00 denarë. Rezultati financiar është POZITIV në shumë prej 714.311,00 denarë.
- Të hyrat e NP “Parkingu i Qytetit” për periudhën 1 prill 2022 – 30 qershor 2022:
Ndërmarrja të hyrat i ka realizuar nga burimet e njëjta si në vitin 2021. Në total për periudhën 1 janar- 31 mars 2022 ndërmarrja ka të hyra prej 8.594.767 denarësh
- Të dalat e NP “Parkingu i Qytetit” për periudhën 1 prill 2022 – 30 qershor 2022:
Për këtë periudhë kohore ndërmarrja ka pasur të dala prej 7.880.456 denarësh.
Të dalat sipas raportit financiar janë të ndara në pesë grupe. Ndërmarrja në total për të punësuarit ka shpenzuar 5.726.434 denarë, shpenzime për lëndë të parë dhe materiale të tjera- 449.095 denarë, shërbime me karakter të shpenzimeve materiale 1.043.636 denarë, shpenzime tjera të dalin nga puna- 590.334 denarë, të dala tjera financiare- 70.957 denarë.
Në tremujorin e dytë të vitit 2022 ndërmarrja publike “Parkingu i Qytetit Tetovë” ka realizuar rezultat financiar pozitiv prej 714.311,00 denarë.
Në total për gjashtë mujorin e parë, ndërmarrja ka gjeneruar të hyra prej 20.979.820 denarësh, prej të cilave të dala kanë qenë 14.661.240 denarë, ndërsa fitimi i ndërmarrjes është 6.318.580 denarë.
Sipas raportit të punës, numri i vendeve të parkimit në kuadër të ndërmarrjes (zonale dhe të mbyllura) për periudhën janar-qershor 2022 ka qenë gjithsej 834 (është shtuar zona C me 70 vende parkimi) . Numri i kartelave të shpërndara për banorët në parkingjet e tipit te hapur zonal dhe atyre të mbyllur ishte 454. Shërbimi i bllokatorëve në këtë periudhë ka bllokuar 3.418 vetura ndërsa shërbimi i merimangës 1.389 vetura. Numri i biletave të shitura ka qenë gjithsej 19.000 ndërsa pagesa me sms porosi ka pasur gjithsej 193.098. Për personat me invaliditet janë dhënë 200 kartela falas.
Krahasimi i raporteve gjashtë mujore për vitin 2020, 2021, 2022
Sipas raporteve financiare të ndërmarrjes NP “Parkingu i Qytetit” për periudhën janar-qershor apo gjashtë mujorin e parë të vitit 2020, 2021 dhe 2022 rezulton se:
- Në gjashtë mujorin e parë të vitit 2020 ndërmarrja ka dalë në humbje prej 3.442.474 milion denarë.
- Në gjashtë mujorin e parë të vitit 2021 ndërmarrja ka dalë në humbje prej 1.363.000 milion denarë.
- Në gjashtë mujorin e parë të vitit 2021 ndërmarrja ka dalë në fitim prej 6.318.580 denarë.
Kujtojmë që pas ndryshimit të udhëheqësisë në pushtetin lokal në Tetovë si rezultat i zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar, u ndryshua edhe drejtori në këtë ndërmarrje. Aktualisht me këtë ndërmarrje udhëheq Igor Dodevski, kuadër i VMRO-DPMNE-së.