Ndaj njoftimit të Departamentit të Shtetit të ShBA-ve, ku bëhet e ditur se ish kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski dhe ish drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, Sasho Mijallkov janë vendosur në listën e zezë – si persona të padëshiruar, ka reaguar Ambasada e ShBA-ve në Shkup, transmeton TV21.
Mes Gruevskit dhe Mijallkovit, në listën e sanksioneve gjenden edhe 5 persona të tjerë.
Bëhet fjalë për Svetzar Maroviçin nga Mali i Zi, Yllin Bahrin nga Shqipëria, Aqif Rakipi nga Elbasani, Asim Sarajlic nga Bosnja e Hercegovina dhe Gordana Tadiq nga Bosnja e Hercegovina.
“Gjithashtu, Zyra e Departamentit të Thesarit të SHBA për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) ka imponuar sanksione ekonomike në zbatim të Urdhrit Ekzekutiv (E.O.) 14033 ndaj shtatë individëve dhe një enti në katër vende të ndryshme të Ballkanit Perëndimor. Si rezultat i veprimeve të sotme në zbatim të E.O. 14033, të gjitha pronat dhe interesat në prona të atyre që janë sanksionuar që janë në Shtetet e Bashkuara ose vijnë brenda Shteteve të Bashkuara ose që janë në zotërim të personave të SHBA duhet të bllokohen dhe t’i raportohen OFAC-ut. Të gjitha së bashku, këto përcaktime riafirmojnë përkushtimin e SHBA për të mbështetur
sundimin e ligjit dhe për të forcuar institucionet demokratike të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bosnje-Hercegovinës. Departamenti do të vazhdojë të përdorë autoritete të tilla për të promovuar llogaridhënie për aktorët e korruptuar në këtë rajon dhe në nivel global”, njoftoi mes tjerash Ned Price, zëdhënës i Departamentit të Shtetit.