Sjellja e ligjit për prokurorinë publike do të jetë një nga momentet kyçe të cilat do të jenë vendimtare në vendimin për hapjen e bisedimeve, duke i pas parasysh rekomandimet e bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht nga Bashkimi Evropian. Mendoj se të gjitha partitë politike të cilat angazhohen për hapjen e bisedimeve duhet ta kenë këtë në mëndje dhe të jenë të vetëdijshëm se në fund gjithçka që kemi bërë mund të jetë e kotë nëse nuk e japin mbështetjen për Ligjin për Prokurori Publike.
Këtë e theksoi ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska sot në Shkup para promovimit të Raportit të parë kombëtar për performancat dhe reformat në gjyqësor.
“Ka drejtime të qarta nga BE-ja në lidhje me tekstin ligjor. Gjithsesi ne nisemi nga teksti ligjor që do të ishte ideal, por nën linjat e kuqe, nën atë që nënkupton standard evropian në rregullimin, ne nuk guxojmë të biem, sepse atëherë do të jetë e kotë sjellja e ligjit. Domethënë ligji i cili nuk do të marrë notë kaluese në BE, nuk do të lëshohet në Kuvend”, tha Deskoska.
Ministrja e Drejtësisë theksoi se për momentin nuk është siguruar shumicë prej dy të tretave të deputetëve në Kuvend për tekstin ligjor që ishte përpunuar nga Ministria e Drejtësisë në konsultim me ekspertë të huaj.
“Bëhet fjalë për zgjidhje që do të mundësojë sistem cilësor të prokurorisë publike në të cilin Prokuroria Speciale Publike do të ketë rolin e saj në ndjekjen e korrupsionit të lartë dhe gjithsesi vazhdimin e të gjitha lëndëve të cilat kanë filluar në PSP, pa dallim se a janë në fazën e akuzës, në hetim ose parahetim”, theksoi ajo.
Në këtë kontekst shtoi se teksti të cilin e përpunoi Ministria e Drejtësisë i përmban këto dispozita, dhe është dërguar deri te deputetët të cilët duhet të sigurojnë shumicë prej dy të tretave në Parlament.
Deskoska sqaroi se bëhet fjalë për ligj me të cilin është rregulluar Prokuroria Publike dhe në këto suaza edhe Prokuroria Speciale Publike.
“PSP-ja është kufizuar nga prokuroritë e tjera dhe veçanërisht nga Prokuroria për Krim të Organizuar, me atë që e fokusuam kompetencën e saj për ndjekjen e korrupsionit të lartë. Domethënë jo të gjitha veprat të cilat do t’i kryenin funksionarët, por ato që kanë të bëjnë me ta për korrupsion, si pengesë e drejtësisë, ndikimin ndaj dëshmitarëve… Kjo ishte një nga dispozitat të cilën e morëm nga ekspertët ndërkombëtarë se është mirë të lidhim vetëm korrupsion të lartë me qëllim që të mos zbehet puna”, theksoi Deskoska.
Ajo sqaroi se me ligjin parashihet vazhdimi i kompetencës së PSP-së për të gjitha lëndët të cilat i kanë punuar në të gjitha fazat, me qëllim që të mos ketë kurrfarë dispozite që do të nënkuptonte fshehje dhe amnisti me ligj për çfarëdo lloj krimi.
“Nga aspekti i vendosjes PSP-ja është organ i veçantë në kuadër të PP-së, si dhe të tjerët, me atë që ka garanci të caktuara të cilat duhet t’i mundësojnë që të ketë mekanizma efikase në luftën kundër korrupsionit më të lartë të cilin e ndjekin”, tha Deskoska dhe shtoi se e vendosin PSP-në në sistemin me garancitë e caktuara të cilat duhet t’i mundësojnë pavarësi të plotë në kryerjen e funksionit.
Në zgjidhjen e re ligjore në lidhje me mandatin e prokurorëve të PSP-së, Deskoska tha së në konsultimin me ekspertët ishte theksuar që të mendohet për mandat prej një deri në dy vite.
“Ky ishte rekomandimi të cilin e morëm me qëllim që të mundësohet vazhdimësia dhe të mundësohet sistem me të cilin nuk do të ndërrohet e gjithë prokuroria në një moment të njëjtë. Ata propozuan rotacion periodik, gjegjësisht një e treta e prokurorëve të ndërrohet në një periudhë, pastaj një e treta e dytë dhe në fund një e treta e tretë, që të ketë vazhdimësi. Domethënë në këtë afat prej dy viteve të ketë ndryshim të përshkallëzuar të prokurorëve, me qëllim që të rinjtë që do të vijnë të mund të vazhdojnë rastet të cilat kanë filluar”, theksoi ministrja e Drejtësisë.