EMV nuk ka dorëzuar ofertë për energji elektrike për furnizimin e amvisërive dhe konsumatorëve të vegjël në tenderin e katërt të EVN Houm. Informacionet që i siguroi Alsat thonë se në këtë tender të katërt asnjë kompani nuk ka paraqitur ofertë, me çka do të shpallet edhe një tender i ri. Sipas informacioneve tona, arsyeja pse EMV nuk ka paraqitur ofertë është se nuk ka siguruar 100 për qind të energjisë elektrike të nevojshme për 12 muajt e vitit 2022. Por kompania shtetërore në një deklaratë të shkurtër ka thënë se arsyeja e mosparaqitjes në tender këtë herë është se qeveria ka përgatitur çmim për gjashtëmujorin e parë e jo për të gjithë vitin.
“Vendimi i Qeverisë për çmimin e rekomanduar me të cilën SH.A EMV duhet të paraqitet në tenderin e EVN Houme për vitin 2022 ka të bëjë me periudhën 6 mujore ndërsa tenderi aktual i EVN Houm është shpallur për periudhë 12 mujore. Prandaj, SH.A EMV sot nuk dorëzoi ofertë. SH.A EMV do të paraqitet në thirrjen e radhës të Furnizuesit universal, që i përket periudhës janar-shkurt 2022”, thonë nga EMV.
Nga MEPSO për Alsat thonë se do të kërkojnë nga KRRE t’ua pranojnë shpenzimet për furnizimin e energjisë të humbjeve në rrjetin e shpërndarjes së rrymës që për vitin 2022 do të jenë 23 milionë euro. Për këtë vit, ky shpenzim i MEPSO-s, si kompetent për përçimin e rrymës, është 7 milionë euro.
“Shpenzimet e rritura të kompanisë për furnizim të energjisë që duhet të miratohen nuk do të ndikojnë dukshëm ndaj çmimit final të rrymës. Vlerësimet janë se, shpenzimet e MEPSO-s do ta rritin çmimin e rrymës prej 2 deri 2,5%”, njoftojnë nga MEPSO.
Ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi tashmë deklaroi për Alsat se garanton 100 për qind furnizim me energji elektrike të Furnizuesit universal nga kapacitet shtetërore. Por tani për tani ky prodhim është i pasigurt. Ndryshe, EMV nuk ka paraqitur ofertë në tre tenderët e mëparshëm radhazi, atëherë arsyeja sipas EMV ishte se nuk është bërë kalkulimi për çmimin e propozuar me të cilin do t’i shitet rryma Furnizuesit universal./Alsat.mk