7.1 C
Tetovo
E diel, 18 Maj, 2025
BallinaLajmeDështon edhe përpjekja e 17-të për ta konstituar Kuvendin e Kosovës.

Dështon edhe përpjekja e 17-të për ta konstituar Kuvendin e Kosovës.

Në tentativën e 17-të për ta konstituuar përbërjen e re të Kuvendit, është dhënë propozimi që deputetët të mblidhen më rrallë se çdo 48 orë. Reduktimin e takimeve në një herë në javë, për aq kohë sa zgjat seanca konstituive, e propozoi të shtunën kryesuesi Avni Dehari. Idenë ua dha përfaqësuesve partiakë në konsultën që e ftoi me ta, para se të niste vazhdimi i 17-të i seancës konstituive që ka nisur një muaj më parë.

“Para se të fillojmë me seancën konstituive, e shoh të nevojshme që të vijnë për një konsultim shumë të shkurtër përfaqësuesit e subjekteve politike”, tha kryesuesi.

Dehari nuk e gjeti konsensusin që e kërkoi për ta anashkaluar kërkesën e Rregullores së Kuvendit, sipas së cilës pauza mes vazhdimeve të seancës konstituive nuk mund të jetë më e gjatë se 42 orë.

Vazhdimi i së shtunës nisi me një minutë heshtje, në 26-vjetorin e zhdukjes me dhunë të veprimtarit Ukshin Hoti që ndodhej i burgosur në Serbi.

Pa deputetët e AAK-së që munguan dhe me deputetët e LVV-së që në sallën e Kuvendit u paraqitën me 40 minuta vonesë, Dehari vazhdoi me pikën e rendit të ditës, në të cilën ligjvënësit kanë ngecur që 9 seanca – formimin e Komisionit për ta menaxhuar votimin e fshehtë për kryeparlamentarin.

Ai kërkoi propozime nga subjektet politike që në tentimet paraprake nuk kanë dhënë emrat për anëtarë të komisionit. Njëjtë si herëve të tjera, PDK-ja, LDK-ja dhe Lista Serbe nuk propozuan anëtarë.

Në votim, 56 votat që ishin për nuk qenë të mjaftueshme për formimin e Komisionit me anëtarët e propozuar më herët, dhe seanca u ndërpre. Pas kësaj, 99 deputetët që u mblodhën në vikend me qëllimin për konstituim të legjislaturës së re, u kthyen prapa pa bërë gjë.

Idenë që vazhdimet e seancës të mbahen më rrallë, përfaqësuesit e partive që në mandatin e shkuar ishin në opozitë, e cilësuan shkelje dhe mesazh që partia fituese nuk do zgjidhje.

“Është krejtësisht e papranueshme që të bëhet një kërkesë e tillë për të shkelur rregulloren me vetëdije dhe e dyta kjo tregon se vullneti i tyre nuk është në asnjë mënyrë për të tentuar për të bërë zgjidhje apo për të lëvizur përpara”, u shpreh kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Interpretim të njëjtë i dha edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

“Ne këtë e shohim indikacion shtesë që LVV-ja nuk është absolutisht e interesuar që ta bëjë konstituimin e Kuvendit. Ata mungesën e institucioneve të Kuvendit dhe të Qeverisë e kanë reduktuar në problem të mbledhjes çdo 48 orë të deputetëve”, ka thënë Bajrami.

Por, deputetja e koalicionit fitues, LVV-Guxo-Alternativa, Mimoza Kusari-Lila, tha se propozimi u bë si pasojë e mungesës së rezultateve nga vazhdimet që janë mbajtur çdo të dytën ditë.

“Në rast se janë të barrikaduar në ato pozicione dhe nuk e ndiejnë peshën e përgjegjësisë për të marrë pjesë në votim as për procedurë, le ta presim interpretimin e Gjykatës Kushtetuese. Se nuk është që po bëjmë ndonjë hair që po vijmë këtu çdo 48 orë, përderisa ata nuk po lëvizin nga pozicioni i tyre i mos votimit”, deklaroi Kusari-Lila.

Në PDK e LDK përsëritën se përgjegjësia për zhbllokim i takon LVV-së, subjekt ky që nuk e ka siguruar shumicën në Kuvend.

Kryetari i PDK-së, Krasniqi, tha se problemin nuk e kanë vetëm me emrin e Albulena Haxhiut për kandidate për kryeparlamentare.

“Partia Demokratike e Kosovës, përveç zonjës Haxhiu nuk do të votojë për asnjë propozim që mund të vijë si zëvendësim i saj e që është ish ministër i qeverisë Kurti II”, ka thënë ai.

E, ngërçi në Kuvend është produkt i kalkulimit të partive për zgjedhjet lokale të cilat mbahen kah fundi i këtij viti, ka thënë analisti Arbnor Sadiku.

I ftuar në “Specialen” e KTV-së për vazhdimin e 17-të të seancës konstituive, ai theksoi se Lëvizja Vetëvendosje mund të kalkulojë që me lokalet të organizohen edhe zgjedhjet e parakohshme nacionale.

“Lëvizja Vetëvendosje si duket nuk ka asgjë me urgjencë dhe është e interesuar të vazhdojë kësisoj për faktin që i ka levat e pushtetit në dorë dhe nuk i ngutet asgjë, kurse opozita është e fokusuar tashmë në zgjedhjet lokale dhe ka filluar përgatitjen e kandidaturave për kryetarë komunash dhe siç po shihet jemi në një skenar ku praktikisht Lëvizja Vetëvendosje do ta zvarrisë situatën për aq sa është e mundur dhe kësisoj kur të vijmë te zgjedhjet lokale mund të kemi edhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, ka thënë Sadiku.

Sipas tij, historia ka treguar se në mungesë të vullnetit politik për të dalë nga bllokada, presioni ndërkombëtar për zgjidhje ka qenë shpesh faktor vendimtar.

“Po të na liheshin neve nuk do të dinim dhe nuk do të donim t’i bënim, siç po ndodh aktualisht. Fatkeqësisht Kuvendi i Kosovës po duket sikurse sokaku i të marrëve në romanin e Kadaresë ku njerëzit që kalojnë andej janë vërtet të marrë dhe kuvendin e kanë shndërruar në të tillë, ku nuk ka asnjë zgjidhje politike për zhbllokim të situatës”, ka thënë ai.

Në mungesë të zgjidhjes, presidentja Vjosa Osmani nuk e ka përjashtuar mundësinë që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. E në këtë gjykatë, ditë më parë e ka deponuar një kërkesë AAK-ja.

Pavarësisht procedurës në gjykatë, seanca do të vazhdojë çdo 48 orë. Vazhdimi i radhës do të mbahet të hënën në orën 10:30.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments