Kërkesën e Qeverisë që VMRO-DPMNE-ja të dorëzojë propozime në formë të amendamenteve për projektligjin për prokurorinë, nga partia opozitare maqedonase e quajnë përpjekje për pazar me principet themelore që ata tashmë i kanë dorëzuar në 120 faqe vërejtje.
“Bëhet fjalë për principe dhe në këtë drejtim i ofrojmë parimet. Me çfarë duhet bërë pazar që të arrihet tekst cilësor? Kërkesa e tyre për dorëzim të amendamenteve nënkupton pikërisht këtë, tregti, sa u pranuan e sa u refuzuan, dhe nuk bëhet fjalë për thelbin e asaj që kërkohet të futet në një zgjidhje ligjore të këtillë”, deklaroi Naum Stoillkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
Por për këto principe që VMRO-DPMNE-ja i ka dorëzuar, dje Ministrja e Drejtësisë Deskoska i quajti debate abstrakte dhe humbje kohe, duke kërkuar amendamente konkrete. E deri sa pret për amendamentet e VMRO-DPMNE-së, Deskoska paralajmëroi vazhdim të bisedimeve me deputetë dhe grupet e tjera parlamentare, në përpjekje për kapjen e 2/3-tave. Me këtë mendje është edhe zëvendëskryeministri Bujar Osmani.
“Konsideroj se duhet të vazhdohet të punohet paralelisht në dy trajektore. Edhe në vazhdimin e përpjekjeve për arritjen e konsensusit por edhe me komunikim me deputetët për sigurim eventual të shumicës në Kuvend”, theksoi zëvendëskryeministri,Bujar Osmani.
Kjo për Arjanit Hoxhën nga Lëvizja “Besa” është shqetësuese, sepse sipas tij, sa herë kur dy partitë me të mëdha maqedonase nuk arrijnë marrëveshje, Qeveria e sheh opozitën shqiptare si gomë rezervë, megjithatë shton se janë të gatshëm të ulen për të dhënë vërejte edhe sugjerime.
“Qeveria e sheh opozitën, respektivisht opozitën shqiptare, si një gomë rezervë për të dalë nga këto situata të cilët ata edhe vetë i sjellin. Sa i përket projektligjit deputetët tanë janë duke e shqyrtuar, me siguri në jemi që të vazhdojë puna e prokurorisë Speciale, pa e fshehur faktin se jemi të dëshpëruar që nuk u arritën pritshmëritë që duheshin arritur nga Prokuroria Speciale. Ne i japim mbështetje institucionit prokurori Speciale duke mos e lidhur këtë me individë të caktuar që punojnë, dhe jemi të interesuar që ky institucion profesionalisht ta kryejë punën që e presin qytetarët”, u shpreh Arjanit Hoxha, Sekretar Gjeneral i Lëvizjes Besa.
Për përjashtimin e opozitës shqiptare në këtë proces, “Aleanca për Shqiptarët” po përgatit një ankesë që do t’ua dërgojë edhe përfaqësuesve ndërkombëtar, tregon zëdhënësi Flakron Bexheti. Nga “Aleanca” nuk pajtohet me propozim ligjin aktual sepse konsiderojnë se me të po cenohet pavarësia e Speciales.
“Jemi kategorik kundër që kjo Prokuroria Publike Speciale t’i japë llogari Prokurorisë Publike të Përgjithshme. Gjithashtu tani për tani kemi qenë kundër edhe për atë që materialet e dala nga përgjimet e paligjshme të ashtuquajtura “bomba” të mos bëhen pjesë e hetimeve të mëtutjeshme të PPS-së. Do të flitet për disa modalitete që të jepet një afat plotësues që të gjitha lëndët të procesuohen pasi që vlerësojmë se kemi drejtësi selektive ku për një pjesë kemi aktgjykime ndërsa për një pjesë tjetër as që janë hapur akuza”, tha Flakron Bexheti, zëdhënës i Aleancës për Shqiptarët.
Më fjalëpakë për projektligjin për prokurorinë është grupi i pavarur i 8 deputetëve të përjashtuat nga VMRO-DPMNE-ja. Megjithatë përmes telefonit, deputeti Zekir Ramçilloviq na tha se e kanë parë projektligjin, por për shkak të rëndësisë së ligjit nuk kanë në plan të futen në debat të përmbajtjes ose mangësive të tekstit. Kjo për shkak se konsiderojnë se ende ka vend për përpjekje për bisedime dhe arritjen e një konsensusi mes partive më të mëdha.
Përgatiti: Besir Arifi