8.9 C
Tetovo
E hënë, 25 Nëntor, 2024
BallinaLajmeDer, Die, Das, të gjithë po ikin nga Maqedonia e Veriut

Der, Die, Das, të gjithë po ikin nga Maqedonia e Veriut

Gjuha gjermane çdo ditë e më shumë po mësohet në qytetet e Maqedonisë së Veriut! Në Kërçovë, për shembull, tani ka më shumë se katër shkolla që ofrojnë mësimin e gjermanishtes. Por interesi për të mësuar gjuhën gjermane është gjithnjë e më në rritje. Shkolla “Adams” ofron nga viti 2012 kurse në gjuhën gjermane, shkruan Dojçe Vele.>

“Fillimisht gjuha gjermane mësohej për të studiuar jashtë vendit. Por vitet e fundit ndiqet trendi i shpërnguljes së qytetarëve jashtë vendit familjarisht. Numri më i madh i nxënësve janë njerëz familjar, ata mësojnë gjuhën gjermane për të gjetur një jetë më të mirë jashtë Maqedonisë”, thotë Valentina R. Boshkoska, menaxhere e shkollës “Adams” në Kërçovë. Në shkollën “Adams”, interesimi për gjuhën gjermane është rritur për 30 për qind. Kurse shkolla “Deutsch” është shkolla e parë në gjuhën gjermane në Kërçovë, e hapur para 15 viteve. Çfarë i nxitë këta nxënës që të mësojnë gjermanisht?

“Shumica e nxënësve janë që dëshirojnë të punojnë jashtë vendit, sidomos në Gjermani, dhe shumica e tyre janë që dëshirojnë të bëjnë bashkim familjar. Zakonisht programi nuk ndryshon, për arsye se qëllimi i çdo kandidati është që të mësojë gjuhën. Sipas informatave, në vitin 2018, gati 2000 veta janë larguar nga Kërçova në Gjermani, dhe në vitin 2019 ky numër pritet të dyfishohet. Fluksi i njerëzve që migrojnë, kryesisht është Gjermania”, tregon Adelina Xhambazi, profesoreshë e gjuhës gjermane. Por, cilat janë arsyet konkrete për largimin e të rinjve? Liridona Zeqiri, stomatologe, thotë se arsyeja pse e mëson gjuhën gjermane është se dëshiron të depërtoj në Gjermani, të punojë si stomatologe andej, për ta vazhduar karrierën dhe për më shumë profesionalizëm. “Kjo është arsyeja pse e mësoj gjuhën gjermane”, thotë Zeqiri.

LARGIMI ZVOGËLON NUMRIN E TË PAPUNËVE

Edhe shkolla tjetër “Der Die Das” filloi me punë para një viti. Në jubileun e parë, shkolla ka ndryshuar shumë. “Ka gati pesë muaj që jam vendosur në qytetin e Kërçovës. Fillimisht isha në vendlindje – në fshat, por nga kërkesat e mëdha dhe interesimi i madh, u detyrova të vij këtu në qytetin e Kërçovës”, Rahman Ahmedi, profesor i gjuhës gjermane në “Der Die Das”.

Edhe Fatbardha Zendeli, infermiere, ka nis mësimin intensiv të gjermanishtes. “Arsyeja pse mësoj gjuhën gjermane dhe kam ardhur në kursin ‘Der Die Das’ është se jam e interesuar që profesionin tim që e kam studiuar, ta punoj në një vend më të zhvilluar, siç është Gjermania, sepse siç shihet, vendet e punësimit këtu në Maqedoni nuk janë aq të zhvilluara e unë studioj për motër medicinale”, thotë Zendeli. Në Agjencinë për Punësim në Kërçovë thonë se numri i të papunëve në vitin 2018 ka rënë për afër 1000 veta. Shkaku kryesor nuk është puna e re e gjetur në Kërçovë, por me sa duket largimi nga qyteti.

Situatë e ngjashme me Kërçovën mund të haset gjithandej Maqedonisë. Në Kumanovë, Shkup, Tetovë e Gistovar, kërkesat për profesorë të gjermanishtes dhe shkolla të gjuhës gjermane janë rritur dukshëm. Madje, shkollat e gjuhëve kanë mungesa të profesorëve. Është rritur edhe numri i studentëve që studiojnë gjuhën gjermane në Universitetin e Evropës Juglindore dhe në Universitetin e Tetovës.

Vetëm vjet, mbi 50 mjek kanë lëshuar vendin dhe tashmë gjenden në Gjermani, ndërsa dhe punonjës tjerë shëndetësorë kanë marrë dokumentin e shpërnguljes Oda e mjekëve të Maqedonisë. Ndërkohë, edhe 70 punëtorë shëndetësor janë në pritje të nostrifikimit të diplomave për të vazhduar punën në ndonjë nga vendet evropiane.

Informacionet për largimin masiv të të rinjve, personave të kualifikuar, por edhe të familjeve drejt Evropës konfirmohen edhe nga numri i kërkesave për viza pune në Evropën Perëndimore që mbërrijnë çdo muaj në ambasadat. Zyra gjermane e vizave dy vitet e fundit ka regjistruar rritje enorme të kërkesave për viza nga shtetasit e Republikës së Maqedonisë së Veriut, nga Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia. Kërkesa e vetme për të marrë vizë është që aplikantët të kenë një kontratë pune në një kompani gjermane. Dhe numri i tyre që kanë një kontratë nuk është i vogël. Vetëm në 2018, Gjermania për shtetasit e Maqedonisë ka ndarë 3675 viza pune.

EDHE POLICËT PO MIGROJNË

Për fat të keq, problemi i ikjes së mjekëve nuk është i vetmi në shoqërinë tonë. Efektet e ikjes janë regjistruar edhe tek pjesëtarët e policisë. Gazeta KOHA merre vesh se mijëra policë kërkojnë pushime pa pagesë për të shkuar në shtetet evropiane deri në tre muaj për të punuar në Gjermani apo në Zvicër e Itali. Sipas informatave që kemi arritur në redaksinë tonë, janë rreth 2000 punonjës të MPB-së, të cilët vitin e kaluar kanë shfrytëzuar pushim pa pagesë deri në tre muaj, ndërsa vetëm në territorin e Qytetit të Shkupit ky numër i policëve-migrantë kap shifrën prej 30 për qind. Bëhet fjalë për policë që në vendet evropiane kanë familjarë dhe që mund të punojë deri në tre muaj. Me kursimet që fiton atje, në Maqedoni as për nëntë muaj muaj s’mund të fitojë. Ndryshe, pjesëtarët e policisë në Maqedoninë e Veriut marrin pagë mbi mesataren në shtet, deri në 25 mijë denarë, kështu që përfitimet nuk janë të mjaftueshme për ata që punojnë vetëm për rrogë. (koha.mk)

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments