Deputetja e VLEN-it, Kaltrina Beqiri, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), duke i akuzuar për hipokrizi në raport me çështjet studentore.
Ajo theksoi se është ironike që pikërisht BDI sot përpiqet të japë leksione për mbështetjen e studentëve, ndërsa për 22 vite në pushtet, sipas saj, nuk ka arritur të zgjidhë problemet kryesore me të cilat përballen studentët, duke përfshirë kushtet në konvikte, cilësinë e arsimit dhe standardin studentor.
Beqiri vlerëson se protestat aktuale të studentëve janë pasojë direkte e dështimeve shumëvjeçare të kësaj partie, ndërsa përpjekjet e saj për t’u paraqitur si mbështetëse i cilëson si tentativë për të shmangur përgjegjësinë politike.
“VLEN nuk ka nevojë të instrumentalizojë protestat për pikë politike. Problemet nuk zgjidhen me deklarata boshe, por me punë konkrete dhe reforma ligjore”, theksoi ajo.
Në fund, deputetja ngre pyetjen drejtuar BDI-së se pse për më shumë se dy dekada nuk kanë ofruar zgjidhje për problemet e studentëve.
