12.5 C
Tetovo
E premte, 22 Nëntor, 2024
BallinaLajmeDeputeti Bekim Sali: Ali Ahmeti kanoset me destabilzim, mbase në koordinim edhe...

Deputeti Bekim Sali: Ali Ahmeti kanoset me destabilzim, mbase në koordinim edhe me Levicën, në Maqedoni të Veriut ka piromanë që duan ta ndezin këtë zjarr për interesa të vetë Putinit

I nderuari drejtues i kësaj seance, z. Milloshovski,
Të nderuar kolegë deputetë dhe
Ju qytetarë të dashur

Më lejoni fillimisht t’i falënderoj deputetët e Së Majtës, që përmes kësaj interpelance na kanë dhënë mundësi që ta bëjmë dallimin mes nesh e atyre dhe, së dyti, që të shpjegohemi se kush çfarë përfaqëson në këtë kuvend, por edhe në përgjithësi në shoqërinë dhe në shtetin tonë. Siç thotë Hantingtoni në librin e tij të famshëm “Përplasja e qytetërimeve”: “Që ta dish se kush je duhet ta dish se kush nuk je dhe kundër kujt je”. Ndonëse njohje përmes kundërshtimit, kjo interpelancë është ilustrimi më i mirë se kush nuk jemi ne dhe kundër kujt jemi ne. Prandaj, ju faleminderit deputetë të Së Majtës që i treguat kësaj shoqërie dhe këtij shteti se ne dhe ju jemi në pole të kundërta të veprimit politik dhe ju jeni kundërshtarët tanë politikë.
Duke qenë kështu, pjesa tjetër është në fushën e debatit të asaj që ju e keni shtruar gjoja si argumente për ta përligjur dhe arsyetuar interpelancën tuaj. Ndonëse jeni përpjekur që arsyetimin ta bëni duke u referuar në norma juridike, është fare lehtë e lexueshme se interepelanca juaj është jo interpelancë kundrejt kryetarit të Kuvendit, as si institucion e as si person, por është interpelancë ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe marrëdhënieve ndëretnike në vendin tonë. Juve thjesht u pengon që një shqiptar të ulet në karrigen e kryeparlamentarit dhe kjo ju lexohet në gjithë tekstin e interpelancës. Kjo vërehet lehtë kur flisni për shkeljen e shtetit sekular, kjo lexohet kur flisni për të a.q. incident ne Aeroportin e Shhkupit, kjo ju lexohet kur flisni për gjoja mosrespektimin e gjuhës maqedonase dhe kjo ju lexohet kur flisni edhe për përdorimin e flamurit të NATO-s.
Nëse i marrim gjërat me rend, gjëja e parë me të cilën ju merreni e për çfarë unë dua t’ju përgjigjem është “A është shkelur sekularizmi me atë që në shënimin e gjenocidit të Srebrenicës, nga një OJQ boshnjake, gjatë shprehjes së respektit për viktimat, disa nga të pranishmit, mes të cilëve edhe kryetari i Kuvendit, i kanë ngritur duart dhe janë lutur për shpirtrat e viktimave të gjenocidit?”. Jam i sigurt se ju jeni mjaftueshëm të mençur që ta dini se çka është sekularizmi dhe si shkilet ai. E që ta kuptoni se sa jeni lajthitur, po jua jap shembullin e SHBA-së, ku presidenti betohet duke e vënë dorën mbi Bibël dhe duke e bërë këtë në një kishë. Megjithatë, SHBA-ja është një shtet sekular dhe madje shembull i sekularizmit në botë. Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut as nuk ka pasur betim mbi Kuran, as nuk ka pasur rit fetar në publik, as nuk ka pas pasur ndonjë klerik, as ndonjë uniformë fetare, por thjesht – derisa është mbajtur një minutë heshtje – atë heshtje dikush ka vendosur ta plotësojë me lutje pa zë. Megjithatë, jo që ju nuk keni pasur arsye të tjera për ta ngritur këtë çështje. Që nga imazhet e kësaj salle me freska që përmbajnë motive të krishtera, te imazhet e valutës së denarit, por edhe kryqet e ngritura nëpër pika malore, ju keni mundur ta ngrini këtë çështje, por asnjëherë nuk e keni bërë këtë. Dhe, këtë e bëni tash dhe e bëni kundër një profili të politikanit që e ka dëshmuar më shumë herë se nuk abuzon kurrë me religjionin për qëllime politike. Prandaj, unë nuk mund të mos them se arsyeja e reagimit tuaj nuk është shkelja e sekularizmit, por është vetëm shënimi i gjenocidit në Srebrenicë. Meqë deri tash nuk kemi dëgjuar që ju ta keni dënuar këtë gjenocid ose që më 11 korrik të jeni deklaruar për këtë çështje, më keni krijuar përshtypjen se ju jeni me vendet që kanë votuar kundër rezolutës për përkujtimin e gjenocidit në Srebrenicë. Prandaj, meqë nuk mund ta thoni zëshëm se juve ju ka penguar që është shënuar gjenocidi ndaj boshnjakëve në Srebrenicë, jeni kapur për një detaj të parëndësishëm për ta defokusuar vetë ngjarjen. Të mos kesh empati as për viktimat e gjenocidit, të mos shprehësh falënderim për atë që kryetari i Kuvendit i respekton ato viktima, por të merresh me një detaj sekondar të ngjarjes, kjo më shumë flet për ndërdijen tuaj sesa për atë që e thoni në publik. Por, meqë jeni të majtë dhe gjithnjë pretendoni se atë që e keni në mendje, e keni edhe në gojë, dua t’ju bëj ftesë publike që të dilni e ta pranoni se juve ju dhemb që Serbia akuzohet për gjenocid ndaj boshnjakëve në Srebrenicë. Mos u tutni, tregoni hapur se jeni me Serbinë dhe punoni për agjenda serbe e ruse. Kjo do të ishte më e mirë sesa ta mbështjellni këtë me akuza të pabaza e qesharake.

Përveç kësaj, në atë pikë ju i sulmoni gratë me mbulesa dhe i quani të prapambetura, që nuk është vetëm paragjykim dhe ofendim, por flet edhe për animozitetin që keni ju ndaj Islamit dhe traditës islame të veshjes. Ndonëse e kemi të qartë tendencën tuaj, uroj që kjo të mos jetë arsye që të luhatet kohezioni ndërfetar në vendin tonë.

Ky nëntekst i ksenofobisë ju lexohet edhe kur flisni për të a.q. incident në Aeroportin të Shkupit. Ju nuk keni guxim ta pranoni se juve ju pengon që Afrim Gashi ka shfaqur interesim dhe kujdes ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. E ju, si parti që jeni deklaruar publikisht kundër njohjes së Kosovës si shtet, që paraqet mbrojtje të drejtpërdrejtë të interesave të Serbisë, nuk mund ta duroni që kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut të kujdeset për presidenten e Kosovës. Unë dyshoj shumë se ju do të kishit bërë reagim nëse, fjala bie, presidentja e Maqedonisë së Veriut do të kujdesej kështu për presidentin e Serbisë? Matrica ideologjike jua zbulon urrejtjen që e keni për shqiptarët dhe për Kosovën.

Por, ajo që dua t’ua them qytetarëve, sepse e di që te ju nuk ngjet kjo, është se duke bërë këso veprime, ju – me apo pa vetëdije – po e dëmtoni seriozisht një element të rëndësishëm të ndërtimit dhe qëndrueshmërisë së këtij shteti dhe ato janë marrëdhëniet ndërtnike dhe dëshironi t’i vini flakë diversitetit religjioz. Ndërsa unë dua të deklaroj se nëse dikush dëshiron ta rrezikojë Maqedoninë e Veriut, këtë mund ta bëjë duke ngritur tensione ndëretnike dhe ndërfetare. Dhe, përmes kësaj interpelance, E Majta po e bën pikërisht këtë. Duke ngritur tensione ndërfetare në emër të shkeljes së sekularizmit, duke ngjallur urrejtje kundër shqiptarëve në rastin e kujdesit ndaj presidentes Vjosa Osmani, duke shfaqur animozitet të hapur ndaj gjuhës shqipe, kjo në emër të kujdesit për maqedonishten, si dhe duke u shprehur kundër çadrës së sigurisë globale – NATO, deputetët e Së Majtës janë vënë në shërbim të trazirave ndërtenike dhe ndërfetare në vendin tonë. Prandaj, përveç neve që – si deputetë e kemi për detyrë të reagojmë – këto janë sinjale edhe për organet e sigurisë. Në kohën që Rusia e vazhdon agresionin në Ukrainë dhe dëshiron që konfliktin ta fusë sa më thellë në Europë, si dhe në kohën që Ali Ahmeti kanoset me destabilzim, mbase në koordinim edhe me Levicën, në Maqedoni të Veriut ka piromanë që duan ta ndezin këtë zjarr për interesa të vetë Putinit.
Ajo që është indikative është se këta deputetë kanë gjetur mbështetje edhe nga deputetët e LSDM-së, që deri dje shtireshin si opsioni qytetar dhe “një shoqëri për të gjithë”, ndërsa sot garojnë me të majtën kush është më antishqiptar. Përveç atyre, E Majta ka gjetur mbështetje të heshtur edhe nga Fronti i Kuq Popullor i Enver Hoxhës, i kamufluar nën emrin “Fronti Europian”, që po ashtu i ka shpallur luftë Afrim Gashit. Se a është ideologjia komuniste ajo që i ka bërë bashkë këto tri subjekte apo ka edhe ndonjë lidhje tjetër, këtë do ta kuptojmë sigurisht më vonë, edhe pse kjo interpelancë flet shumë për këto relacione.

Duke e ditur se cila është mbështetja e kësaj interpelance në Kuvend, unë nuk mërzitem për epilogun e saj, por për demokracinë e vendit tonë është keq që një profil i politikanit si Afrim Gashi të sulmohet kështu, ndërkohë që politikanë me plot afera korrupsioni janë mbajtur si “nacionallno bllago”.
Megjithatë, fati në fatkeqësi është se kjo interpelancë ka mbetur pa përmbajtje. Sepse Afrim Gashi nuk ka asnjë aferë korrupsioni, asnjë aferë nepotizmi, asnjë aferë të abuzimit me detyrën dhe asnjë aferë të shkeljes së ligjit. Andaj janë shpikur tema periferike dhe të paqëndrueshme, si ajo për sekularizmin, sepse nuk ke ku ta kapësh e për çka ta akuzosh Afrim Gashin. Ndërkohë që Afrim Gashi e garanton shtetin sekular, e garanton respektimin e kushtetutës, ligjeve dhe rregulloreve, e garanton mbrojtjen e diversitetit etnik e religjioz, e garanton interesin gjeopolitik dhe të sigurisë së Maqedonisë së Veriut.
Prandaj, gjuani krejt gurët që i keni, goditni sa më shumë, merrni edhe plumbat e Frontit Popullor të Kuq dhe të LSDM-së amorfe dhe hidhni sa më shumë, sepse vetëm kështu u ndihmoni edhe qytetarëve që ta kuptojnë se kush nuk jemi ne dhe kundër kujt jemi ne.

Ju faleminderit!

Bekim Sali, deputet

Shkup, 03.09.2024

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments