Me 83 vota “për” dhe 17 “kundër”, deputetët votuan për ndryshimet ligjore, të cilat mënjanojnë zgjedhjet e parakohshme lokale për kryetarë komunash në komunat Aerodrom, Gostivar dhe Saraj, përcjell TV21. Bëhet fjalë për ndryshime në Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, i cili është ligj sistematik dhe kërkon një shumicë prej dy të tretash, respektivisht mbështetjen e së paku 80 nga 120 deputetët.Përveç deputetëve të shumicës qeverisëse (VMRO-DPMNE, ZNAM dhe VLEN), përkrahjen për këto ndryshime deklaruan edhe deputetët e BDI-së opozitare.
Zgjidhja e mëparshme ligjore parashikonte që një komunë mund të ketë u.d. kryetar komune për maksimum gjashtë muaj, por ndryshimet do të lejojnë që tashmë ushtruesit e detyrës, kryetar i komunës në Aerodrom, Gostivar dhe Saraj, t’i udhëheqin komunat deri në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Ndryshe, të tre komunat mbetën pa kryetar pas zgjedhjeve parlamentare të 8 majit. Kryetari i mëparshëm i Sarajit, Blerim Bexheti nga BDI, u bë deputet, ndërsa ish-kryetari i Gostivarit, Arben Taravari u bë Ministër i Shëndetësisë pas formimit të qeverisë, kurse ish kreu i Aerodromit, u bë ministër i Punëve të Jashtme.