5.1 C
Tetovo
E enjte, 14 Nëntor, 2024
BallinaLajmeDeputetët e LSDM-së dorëzuan 200 amendamente për propozim-buxhetin për vitin 2025

Deputetët e LSDM-së dorëzuan 200 amendamente për propozim-buxhetin për vitin 2025

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) vlerëson se propozim-buxheti për vitin 2025 është jorealist, jozhvillues, pa vizion dhe kreativitet, prandaj kanë dorëzuar 200 amendamente që synojnë përmirësimin e politikave kyçe fiskale.

“Ky buxhet do të jetë gjenerator i borxheve të reja dhe një vit i humbur për ekonominë dhe për qytetarët”, tha në konferencën e sotme për media, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.

Sipas tij, propozim-buxheti është bërë për të përmbushur nevojat e qeverisë, jo të qytetarëve.

“Me një rritje të PBB-së prej 3.7 përqind që parashikon Qeveria, e cila nuk ka shanse të realizohet, ky buxhet është një përpjekje tjetër për të mashtruar opinionin. Qeveria me propozimin e parë të buxhetit po vepron në mënyrë të kundërligjshme, me një deficit prej 4 përqind të PBB-së, në kundërshtim me kufijtë ligjorë që lejojnë maksimalisht 3 përqind”, tha Filipçe.

Filipçe tha se projeksionet e Bankës Popullore dhe të Bankës Botërore janë nën këto shifra, gjë që e bën të qartë se buxheti nuk do të sjellë rritje reale ekonomike, por rritje të borxhit publik.

“Të gjitha këto të dhëna tregojnë se Qeveria është e gatshme t’i obligojë qytetarët për tri gjeneratat e ardhshme, pa krijuar zhvillim”, nënvizoi Filipçe.

Kryetari i LSDM-së kritikoi Qeverinë për rritjen e shpenzimeve joproduktive dhe për zvogëlimin e investimeve kapitale në sektorët kyç si shëndetësia dhe arsimi.

Sipas Filipçes, investimet kapitale në propozim-buxhet tregojnë mungesë të plotë ideje, ku Qeveria, siç tha ai, nuk ka paraparë mjete të konsiderueshme për modernizimin e kapaciteteve energjetike, gazifikimin apo projektet për efikasitet energjetik.

Filipçe theksoi se LSDM-ja nuk do të votojë për një buxhet të tillë, duke shtuar se kanë dorëzuar 200 amendamente përmes të cilave propozojnë rritje të pagave në sektorin publik, veçanërisht në arsim, polici dhe zjarrfikës, si dhe investime në mjete të avancuara teknologjike për të përmirësuar sigurinë e qytetarëve.

LSDM me amendamentet propozon ndarjen e mjeteve për rritje të pagave në sektorin publik, për mësimdhënësit e arsimit fillor dhe të mesëm, në polici dhe për zjarrfikësit.

Në amendamentet që janë dorëzuar, tha Filipçe, ka edhe për ato në sektorin e shëndetësisë që kanë për qëllim përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve mjekësore, si dhe investimet në pajisje të reja dhe trajnimin e stafit mjekësor.

Përveç kësaj, tha Filipçe, ndryshimet në seksionin e energjisë dhe mjedisit kanë për qëllim zhvillimin ekologjik dhe të qëndrueshëm, duke përfshirë subvencionet për automjetet elektrike dhe mbështetjen për projektet e prodhimit të hidrogjenit.

Amendamentet, tha Filipçe, janë dorëzuar pas analizave serioze nga ekspertët të cilët kanë vite që punojnë në ato sektorë dhe ka një arsyetim solid për të gjitha amendamentet e paraqitura.

“Ndryshimet janë të përmasave bazuar në nevojat e njerëzve që punojnë në ata sektorë. Ka ndryshime dhe investime në ato pjesë që qeveria nuk i ka paraparë, para shtesë për përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve ku edhe qeveria nuk ka paraparë mjete”, tha ai.

Filipçe pret që qeveria të tregojë vullnet të mirë dhe t’i mbështesë ndryshimet sepse ato janë bërë për të mirën e qytetarëve dhe ekonomisë.

“Sinqerisht shpresoj se qeveria do të ketë një qasje konstruktive ndaj propozimeve tona. Besoj se do të gjejnë vullnet të mirë dhe se me arsyetimin e duhur që do t’i propozojmë me të gjitha amendamentet do t’i mbështesin”, shtoi Filipçe.

Ndryshe, debati i komisionit për Propozim-Buxhetin për vitin 2025 në Kuvend do të fillojë nesër, më 14 nëntor, ndërsa seanca plenare për miratimin e tij pritet të caktohet në javën e dytë të dhjetorit.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments