Pika e ngarkim shkarkimit të mbeturinave në Tetovë është mbushur tej mase, madje mbeturinat kanë filluar të dalin edhe jashtë saj. Me ngritjen e temperaturave, kjo pikë ka filluar të bëhet pengesë për banorët që jetojnë për rreth, e sidomos ata që mbjellin nëpër fushat rreth kësaj pike.
“Banorët shprehen se përveç helmimit të tokës pjellore që ndodh nga pika e ngarkim-shkarkimit të mbeturinave që ndodh këtu në fushat e Tetovës, rreth dyzet puse që kanë qenë me ujë të pijshëm tanimë janë bërë të papërdorshëm nga ujërat e zeza që përfundojnë në këto fusha”, raporton Bashkim Sulejmani, gazetar.
“Unë kam stallë aty, krejt shpezët aty rrinë. Kam do pemë janë shkatërruar krejt, misrin për së dyti e kemi mbjellë. S’kemi ku të ankohemi, komuna e ka bë këtë. Shumë më dëmton, bimët krejt për së dyti i kam mbjellë krejt shpezët rrinë aty, e për aromë mos pyet”.
“Ndot shumë, ja shihi vet të mbjellat shihi si janë. Nga mbeturinat ka aromë të keqe. Bunarët nuk përdoren më janë bë pis krejt. E shkatërroi tokën ja shihe”.
“Qamet është bë s’rrihet aty. Pikërisht aty e kam tokën, katastrofë është, s’di çka të them. Krejt i ka djeg, specin domaten, e sidomos kur bie shi dhe avullohet ajo”.
Kërkuam përgjigje edhe nga ndërmarrja publike komunale “Tetova”, nga ku, përmes telefonit janë përgjigjur se, shkak për stërmbushjen e kësaj pike, kanë qenë reshjet e dendura që ka pamundësuar lëvizjen e kamionëve me pesha të mëdha në Rusino.
“Moti i keq ka pamundësuar bartjen normale të mbeturinave, në rrugën për në Rusino, e cila është me shumë ujë dhe baltë. Kërkojmë mirëkuptim nga banorët, ndërsa premtojmë se së shpejti kjo pikë e ngarkim-shkarkimit do të zbrazet tërësisht dhe vendi do të jetë i pastër. Po ashtu, pika e ngarkim shkarkimit, me ndarjen e ndërmarrjes dhe privatizimin e saj, e njëjta do të largohet nga ai vend, dhe do gjendet një lokacion ku nuk do pengoj aspak” – janë shprehur nga Ndërmarrja publike komunale “Tetova”.
Ndryshe, vendi ku për momentin gjendet pika e ngarkim-shkarkimit të mbeturinave, është edhe pa urbanizim, që nënkupton edhe mungesë të kanalizimit atmosferik, me çka ujërat e zeza mblidhen nëpër fushat e mbjella të kësaj zone. Deponia në këtë vend është dislokuar që në vitin 2018, kur edhe nga ankesa e banorëve, e njëjta, u largua nga hyrja e Tetovës. /Alsat.mk