Prej disa muajsh ka stagnuar realizimi i projektit infrastrukturor të deponisë Rusino në Gostivar. Komuna e Gostivarit e cila në mënyrë direke është e tanguar nga problemi i mbeturinave, për vonesat fajëson administratën e Qeverisë dhe atë të rajonit planor të Pollogut, e cila, sipas kreut të kësaj komune Arben Taravari, vonon dokumentet e nevojshme për realizimin e projektit.
Janë procedura më së shumti që vonohen mes Qeverisë dhe pushtetit lokal, gjegjësisht të administratës së Rajonit të Pollogut. Këtu nuk është vetëm faji i administratës së Pollogut por edhe ndërkombëtarëve, të cilët disi u vonuan në përpilimin dhe përgatitjen e funksionimit të ndërmarrjes rajonale. Kur them ndërkombëtarëve them ata që e financojnë këtë projekt pra financues është Agjencia për zhvillim e Zvicrës që jep një sasi të konsiderueshme të parave- deklaroi Arben Taravari.kryetar i komunës së Gostivarit.
Nga ministria e ekologjisë e cila ka ingerencat mbi deponinë Rusino, thonë se s’ka vonesa të aktiviteteve.
Ministria e Ekologjisë
“Procesi i vlerësimit të planit ka përfunduar në dhjetor të vitit 2019. Raporti për procesin e vlerësimit të planit është dorëzuar në Ministri për miratim në 29 janar të këtij viti dhe po punohet në këtë dokument. Nuk ka vonesa të aktiviteteve”
Të pyetur për problemin në fjalë, nga komuna e Tetovës kanë refuzuar të prononcohen para kamerave, ndërsa me shkrim janë përgjigjur se kanë ndarë nga buxheti mjetet për asfaltimin e pjesës së dytë të rrugës.
Komuna e Tetovës
“Komuna e Tetovës si kofinancuesi i dytë më i madh i këtij projekti, javë më parë ka miratuar ndarjen e mjeteve prej 2.5 milion denarëve për financimin e vazhdimit të asfaltimit të rrugës dhe mburojave të hekurit”. Janë shprehur nga kjo komunë”
Vonesa e realizimit të punëve në Rusino të Gostivarit, dëmton më tepër komunat e vogla, të cilat detyrohet që mbetjet ti bartin në Drislla të Shkupit.
Është një vonesë që neve na krijon shumë probleme në terren. Kur vjen faza e dërgimit në Rusino, atje hasim në pengesa që faktikisht na shkakton edhe probleme në funksionim, pastaj edhe keqkuptime tek qytetarët sepse nuk mund ti hedhim në kohën e caktuar. Jemi të detyruar ti dërgojmë diku tjetër, si Drislla në Shkup e cila ka një kosto shumë të madhe- deklaroi Albon Xhemaili. Kryetar i komunës së Bogovinës
Sipas Regjonit planor të Pollogut që janë edhe realizues të projektit, tenderimi për pjesën e dytë të asfaltimit të rrugës, pritet që të hapet brenda dhjetë ditësh, ndërsa afati përfundimtar i realizimit të projektit është muaji qershor. Shfrytëzimi i deponisë rajonale Rusino nga nëntë komunat e Pollogut, ka filluar që para 15 vitesh. Që atëherë, është planifikuar modernizimi i kësaj deponie, me qëllim mbrojtjen e banorëve nga ndotja e tokës dhe ujit, por edhe pse premtime ka pasur gati çdo palë zgjedhje në programet e partive politike, ende deponia si e tillë vazhdon të ndotë ajrin tokën dhe ujin në fshatrat rreth deponisë.
Bashkim Sulejmani