10.8 C
Tetovo
E martë, 30 Shtator, 2025
BallinaLajmeDepartamenti i Shtetit Amerikan: Të bësh biznes në Maqedoni të Veriut është...

Departamenti i Shtetit Amerikan: Të bësh biznes në Maqedoni të Veriut është lehtë në përgjithësi, sfidë kryesore është korrupsioni

Të bësh biznes në Maqedoni të Veriut është lehtë në përgjithësi, ndërsa korniza ligjore është në masë të madhe në përputhje me standardet ndërkombëtare, edhe pse korrupsioni është sfidë e vazhdueshme. Kompanitë e mëdha të huaja që punojnë në Zonat Zhvillimore Teknologjike Industriale (ZZHTI) në përgjithësi raportojnë përvoja pozitive në investime dhe ruajnë marrëdhënie të mira me përfaqësues qeveritarë, bëhet e ditur në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për klimën investuese për vitin 2025.

Në raport thuhet edhe se vendi, i cili është kandidat për BE që nga viti 2005 dhe anëtar i NATO-s nga marsi i vitit 2020, vazhdon të jetë e hapur për investime komerciale amerikane.

“Megjithatë, mjedisi i përgjithshëm rregullator në vend mbetet kompleks, ndërsa ndryshimet e shpeshta rregullatore dhe ligjore, të shoqëruara me interpretimin jokonsistent të rregullave, krijojnë një mjedis afarist të paparashikueshëm të favorshëm për korrupsion. Qeveria në përgjithësi zbaton ligjin, por ka raporte të shumta se disa nëpunës janë ende të përfshirë në aktivitete korruptive. Transparensi Interneshënëll e renditi Maqedoninë e Veriut në vendin e 88-të nga 180 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2024, me rezultat prej 40 deri 100. Përveç disa njoftimeve se qeveria po punon për të promovuar investime të reja, në vitin 2024 u vunë re përpjekje të kufizuara për të tërhequr investime të reja, duke u përqendruar në vend të kësaj në përmirësimet e efikasitetit të energjisë, ndihmën financiare për familjet në nevojë dhe zbutjen e presioneve inflacioniste. Megjithatë, qeveria angazhoi kompani dhe investitorë të huaj për projekte publike në infrastrukturën e transportit dhe energjisë”, qëndron në raport.

Theksohet edhe se Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka hapur disa hetime në lidhje me korrupsionin, duke përfshirë disa në të cilat ishin përfshirë funksionarë të lartë, edhe pse, siç vërehet, vetëm disa deri më sot rezultuan me ndjekje penale.

Digjitalizimi dhe energjia e gjelbër, siç bëhet e ditur në raport, janë fusha të cilat ofrojnë mundësi të mira për investime amerikane për shkak të përkushtimit të Qeverisë që të tërheqë dhe mbështet investime në këta sektorë strategjikë. Si përparësi e Maqedonisë së Veriut theksohet edhe lokacioni i vendit në udhëkryqin e korridoreve transportuese panеvropiane VIII dhe X, që është mirë për kompanitë sepse prodhimtaria e tyre do të jetë më afër qendrave të konsumit në Evropë.

Për perspektivat e rritjes ekonomike theksohet se në vitin 2023 ishte penguar nga çmimet më të larta të energjisë, inflacionit, zinxhirëve të rrezikuar të furnizimit për shkak të pasigurisë së krijuar nga lufta ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës dhe ngadalësim të investimeve.

“Edhe krahas masave stimuluese qeveritare për të ndihmuar rimëkëmbjen, PBB-ja u rrit vetëm me 2,2 për qind në vitin 2024, me çka PBB reale vlerësohet në 12 miliardë dollarë. Mbështetja qeveritare gjithashtu zbuti ndikimin e krizës në tregun e punës, me shkallën e papunësisë në tremujorin e dytë të vitit 2024 që arriti në 12,5 për qind. Në Planin e saj të Përshpejtimit të Rritjes, qeveria vendosi objektiva për të dyfishuar normën mesatare vjetore të rritjes së PBB-së nga 2,5 për qind në 5 për qind në periudhën 2022-2026, për të krijuar 156.000 vende të reja pune dhe për të ulur papunësinë në 8,6 për qind”, shkruan në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit mbi klimën e investimeve në vend.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments