Pjesë të këndit të lojërave në Tetovë u gjetën në lumin Shkumbin, pasi që disa individë të pandërgjegjshëm paraprakisht e dëmtuan dhe e thyen pajisjen urbane. Ky rast është evidentuar nga shërbimet komunale në këndin e lojërave i ndërtuar në kejin e lumit Shkumbin mes rrugës “Bllagoja Toska” dhe “Video Smilevki-Bato”.
“Veprimet e këtilla të shëmtuara nuk kanë dobi, përkundrazi paraqesin pasqyrë të shëmtuar për qytetin tonë. Pajisja është e të gjithëve, qyteti është i yni. Nëse nuk punojmë së bashku, do ta kemi të vështirë të zhvillohemi dhe të shkojmë përpara. U bëjmë thirrje qytetarëve ta mbrojnë qytetin. Shpresojmë se kompetentët do t’i gjejnë dhe dënojnë ata të cilët i dëmtuan rekuizitat që i shfrytëzojnë fëmijët”, kumtuan nga Komuna e Tetovës.
AIM (MIA) publikoi hulumtim në tetor të vitit të kaluar, 2023, i cili e pasqyron gjendjen e këtillë të vazhdueshme me veprimet e pandërgjegjshme të qytetarëve. Edhe pse me vite ekzistojnë kamera në Parkun e gruas në Tetovë, kjo nuk i ka ndalur deri më tani individët e pandërgjegjshëm pothuajse tërësisht ta shkatërrojnë vendin dhe pajisjen.
Në vitin 2017 në kohën e kryesisë së kaluar komunale përfundoi rikonstruimi i atij vendi, por rekuizitet për fëmijë ka kohë që nuk janë tashmë sepse disa muaj më pas u shkatërruan tërësisht. E njejta gjë është bërëe edhe me të gjitha ulëset, shportat e mbeturinave, pajisjet për stërvitje.