Bashkimi Evropian rithekson përkushtimin për perspektivën evropiane të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe do të mirëpres përkushtimin e këtyre vendeve për këtë perspektivë si një zgjidhje e tyre strategjike. Kjo do të jetë porosia e “Deklaratës së Zagrebit”, të cilën do ta miratojnë liderët e shteteve anëtare të BE-së dhe ata të rajonit në një video-konferencë të mërkurën më 6 maj.
Deklarata e Zagrebit
Sot, BE-ja dhe një herë rikonfirmon mbështetjen e pa rezervë për perspektivën Evropiane të Ballkanit Perëndimor, partnerët nga Ballkani Perëndimor konfirmojnë përkushtimin ndaj perspektivës Evropiane si zgjidhje të vendosur të tyre strategjike.
Siç njofton Radion Evropa e Lirë, fjala “zgjerim” apo “integrim në BE” nuk figuron askund në draftin e tekstit të kësaj deklarate. E para është se disa shtete skeptike ndaj zgjerimit, si Holanda, Franca dhe Gjermania, nuk kanë dashur të jetë ky samit i zgjerimit. Arsyeja tjetër është për shkak të dallimeve rreth statusit të Kosovës dhe pjesëmarrjes së saj në këtë takim. Spanja dhe disa shtete, thonë këto burime, nuk do të merrnin pjesë sikur të jepej ndonjë shenjë se Kosova po trajtohej si shtet.
Në samit do të kërkohet më shumë angazhim për të zgjidhur mospajtimet mes partnerëve në rajon, pajtim dhe bashkëpunim rajonal, reforma në drejtësi dhe luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Po ashtu thuhet se respektimi i vlerave evropiane dhe rezultatet në sundimin e ligjit do të jenë kusht për ndihmën që BE-ja do t’i jep rajonit në të ardhmen. Në pjesën më të madhe të dokumentit përmendet ndihma që BE ka dhënë dhe planifikon të jep për vendet e rajonit të Ballkanit për përballje me pasojat e pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi. Ky samit fillimisht ishte menduar të jetë një takim i cili do të zhvillohej në kryeqytetin e Kroacisë e në të cilin do t’i jepej një shtytje e re procesit të zgjerimit. Por, rrethanat e krijuara për shkak të pandemisë ndikuan që ky takim, në vend që të jetë në Zagreb, të zhvillohet përmes një video-konference.