lajmi aktiv që qarkullon
=============================================================
lajmi interaktiv
hulumtim
Deklarata e Mickosit se nuk do lejojë ndryshime kushtetuese:HESHTJA VLEN-in,e bën bashkëpërgjegjës politik dhe juridik.
Refuzimi i kryeministrit Mickoski për të lejuar ndryshime kushtetuese, ku si ndryshim i parë janë përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë pastaj si nevojë kur hapet kushtetuta edhe statuti i gjuhës shqipe të ndryshojë veçanërisht ato që garantojnë barazinë gjuhësore dhe heqjen e termit “20%”, nuk është vetëm çështje politike e brendshme. Ai ka pasoja drejtpërdrejta për integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
Sipas standardeve të BE-së, një nga kushtet kryesore për avancim në procesin e pranimit është respektimi i të drejtave të pakicave, barazia e qytetarëve dhe funksionimi i institucioneve demokratike. Mosndryshimet kushtetuese që pengojnë njohjen e barazisë gjuhësore dërgojnë një sinjal të qartë: kjo qeveri refuzon të harmonizojë rendin kushtetues me parimet demokratike dhe të standardeve evropiane.
Në praktikë, kjo llogarit Maqedoninë jashtë procesit të BE-së, duke e bërë të pamundur përparimin e vendit drejt anëtarësimit derisa të vazhdojë ky bllokim institucional. Heshtja e aleatëve shqiptarë e legjitimon këtë politikë, duke u bërë bashkëpërgjegjës për izolimin ndërkombëtar dhe pengimin e reformave thelbësore.
Qëndrimi i kryeministrit Hristijan Mickoski kundër ndryshimeve kushtetuese përbën jo vetëm qëndrim politik, por shkelje të parimeve themelore kushtetuese dhe bllokim të vetëdijshëm të rendit juridik. Në seancën e Kuvendit, gjatë pyetjeve të deputetëve, duke iu përgjigjur deputetit Skender Rexhepi, kryeministri deklaroi se përderisa ai është në krye të Qeverisë nuk do të ketë ndryshime kushtetuese, duke e vendosur veten mbi Kushtetutën dhe mbi kompetencat ekskluzive të Kuvendit.
Sipas nenit 8 të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, parime themelore të rendit kushtetues janë ndarja e pushteteve, barazia e qytetarëve, si dhe respektimi i lirive dhe të drejtave të njeriut. Deklarimi i kryeministrit për pamundësimin e ndryshimeve kushtetuese përbën cenim të drejtpërdrejtë të parimit të ndarjes së pushteteve, pasi Qeveria nuk është organ kushtetformues dhe nuk ka kompetencë të diktojë vullnetin e Kuvendit në këtë proces.
Në përputhje me nenin 9, qytetarët janë të barabartë para Kushtetutës dhe ligjeve, pa diskriminim mbi bazë gjuhe apo përkatësie etnike. Mbajtja në fuqi e termit “20%”, i cili nuk e njeh gjuhën shqipe si gjuhë kushtetuese, përbën trajtim të pabarabartë dhe diskriminim të vazhdueshëm, duke cenuar barazinë reale të qytetarëve shqiptarë.
Sipas nenit 7 të Kushtetutës, gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj janë gjuhë zyrtare, ndërsa gjuhët e komuniteteve që përbëjnë mbi 20% të popullsisë kanë përdorim zyrtar në përputhje me ligjin. Refuzimi politik për ta harmonizuar këtë nen me realitetin shoqëror dhe standardet evropiane, duke hequr termin numerik “20%”, ruan një formulim përjashtues dhe ofendues që bie ndesh me parimin e dinjitetit dhe barazisë gjuhësore.
Po ashtu, sipas nenit 51, të gjitha ligjet dhe aktet duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën, ndërsa secili është i detyruar ta respektojë atë. Deklaratat politike që paralajmërojnë bllokim të përhershëm të procesit kushtetues përbëjnë precedent të rrezikshëm dhe minojnë rendin kushtetues.
Në këtë kontekst, heshtja e aleatëve qeveritarë nga radhët e VLEN-it (VREDI) nuk është neutrale. Ajo përbën bashkëpërgjegjësi politike dhe juridike, pasi me mosveprim po tolerohet një situatë që bie ndesh me parimet kushtetuese të barazisë, ndarjes së pushteteve dhe përdorimit të gjuhëve. Mospërmbushja e zotimeve të dhëna publikisht për ndryshime kushtetuese e zhvesh këtë koalicion nga legjitimiteti moral dhe përfaqësues.
Në thelb, nuk kemi të bëjmë me mungesë konsensusi politik, por me refuzim të vetëdijshëm për të korrigjuar një padrejtësi kushtetuese, me pasoja afatgjata për barazinë, rendin juridik dhe funksionimin demokratik të shtetit…www.telegrami.mk
=============================================================
Mesut Shabani

