Stërvitja shumëkombëshe “Defender Europe ’25”, një nga stërvitjet më të mëdha dhe më komplekse të dekadës së fundit në Evropë dhe Afrikë, nisi disa ditë më parë nga Shqipëria.Në kuadër të stërvitjes, në ujërat territoriale të Durrësit u zhvillua një operacion i simuluar detar, rreth 6 milje larg portit. Sipas mediave, në këtë skenar morën pjesë anije të Flotës Detare Shqiptare “Lissus”, “Oriku” dhe “Semani”, si dhe dy anije amerikane dhe dy helikopterë “Cougar” të Forcës Ajrore.
Ambasada Amerikane në Tiranë tha se deti Adriatik u shndërrua sot në një skenë simulimi për të zhvilluar operacione detare si pjesë e “Defender25”.
Në postimin e saj në Facebook, u tha se dy anije patrullimi nga Skuadroni i Sigurisë së Ekspeditës Detare të Marinës së ShBA-së, shoqëruan anijet e Forcës Detare Shqiptare gjatë stërvitjes, e cila përfshiu forcat shqiptare që zbritën me litar dhe hipën në një anije të Forcës Detare.
Në postimin e saj në Facebook, ambasada tha se “DEFENDER 25 është stërvitja vjetore më e madhe e Ushtrisë Amerikane në Evropë, që bashkon 25,000 trupa nga 29 vende aleate dhe partnere për të rritur shpërndarjen e shpejtë dhe gatishmërinë për operacione të përbashkëta”.
“Këto stërvitje janë thelbësore për të siguruar që Aleatët e NATO-s të mbeten të gatshëm për të përballuar sfidat e vërteta të sigurisë”, u shpreh Ambasada Amerikane në Tiranë.