7.3 C
Tetovo
E martë, 17 Mars, 2026
BallinaLajmeDebat për shërbimet e ujit në Tetovë: Privatizim i fshehtë apo zgjidhje...

Debat për shërbimet e ujit në Tetovë: Privatizim i fshehtë apo zgjidhje teknike? (Video)

Debati publik mbi studimin e fizibilitetit për shërbimet e ujit në Tetovë ka nxitur reagime të shumta nga qytetarët, opozita dhe shoqëria civile të cilët alarmojnë se me këtë paralajmërohet privatizimi i ndërmarrjes për ujësjellës dhe kanalizim. Ndërkaq sipas Komunës së Tetovës, nuk do të privatizohet uji por planifikohet të shkohet në partneritet publiko-privat për instalimin e ujëmatësve, matjen dhe inkasimin e pagesave, raporton Portalb.mk.

Edhe pse nuk shitet uji, nga shoqata ‘Më Mirë për Tetovën’ thonë se shërbimet nga partneriteti-publiko privat do t’i paguajnë qytetarët, ashtu siç ndodhi me partneritetin publiko-privat për mbeturinat.

Elmedina Abudllai nga kjo shoqatë tha se edhe drejtori i ndërmarrjes edhe kryetari i komunës e pranuan se nuk kanë kapacitet për të menaxhuar si në ndërmarrjet tjera ashtu edhe në ndërmarrjen e ujit dhe kërkon ndihmë nga partneriteti privat.

“Zgjidhja që gjendet nga komuna është përsëri në kurriz të qytetarëve. Nuk shitet uji, e kuptoj, është në rregull të gjithë të paguajnë ata që e shfrytëzojnë mirëpo zgjidhja që ofron komuna është gjithmonë në kurriz të qytetarëve”, tha Abudllai.

Ajo tha se në këtë rast edhe orëmatësit që do të vendosen nëpër shtëpi do të paguhen nga qytetarët që e shfrytëzojnë shërbimin.

“Furnizimin që do e bëjë rrjetin, faturimi di të bëhet në kurriz të qytetarëve, të gjitha planifikimet në buxhet që i kishin bërë 40 punësime dhe kjo do të bëhet në kurriz të qytetarëve. Jemi kundër këtij vendimi, duhet të gjendet zgjidhje por jo me partneritet publiko-privat dhe të dëmtohen xhepat e qytetarëve”, tha Abdullai.

Vërejtje pati edhe këshilltari nga BDI-ja, Berat Murati.

“Me sa e shoh ky projekt shkon drejt rrugës së privatizimit. Siç tha kryetari, këtu bëhet privatizimi vetëm i orëmatësve me arsyen se në qytetin tonë nuk paska persona adekuat që merren me këtë profesion, dhe ai parasheh që këtë pjesë të orëmatësve ta privatizojë. Nuk do të votojmë me sy të mbyllur”, tha Murati.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami sqaroi se bëhet fjalë për studim fizibiliteti i cili ka marrë parasysh disa modele të zgjidhjes së problemit të ujit të pijshëm në qytet.

“Në bazë të studimit është konstatuar që komuna duhet të punojë fillimisht në instalimin e ujëmatësve, nga momenti kur nuk kemi ujëmatës dhe nuk kemi përfshirje më të madhe të qytetarëve që e konsumojnë ujin e pijshëm në Tetovë ne nuk mund të kemi informata të sakta se në cilat gypa të rrjetit primat apo sekondar kemi më shumë humbje të ujit dhe ku duhet komuna të intervenojë më urgjent”, tha Kasami.

Që të mund ky problem njëherë e përgjithmonë të zgjidhet, Kasami tha se në bazë të studimit del se në këtë fazë duhet të kyçet edhe partner privat i cili do të ofronte teknologjinë për sa i përket matjes, faturimit dhe inkasimin e ujit të pijshëm, që pastaj Komuna e Tetovës të vazhdojë me investimet publike.

“Ata qytetarë që janë të rregullt në pagesën e ujit, garantoj se ata qytetarë do të paguajnë më pak dhe do të kenë furnizim më të rregullt me ujë. Në këtë rast do të sanksionohen ata qytetarë të cilët nuk do e paguajnë, kjo do të bëhet përmes sistemit inteligjent të orëmatësve do t’u ulet tensioni i ujit”, tha Kasami.

Ai tha se nëse nuk do vendoset të shkohet me këtë opsion, do të vazhdohet me mënyrën aktuale të menaxhimit por që do të jetë e vështirë të instalohet sistemi i faturimit, matjes dhe inkasimit.

Përndryshe, Tetova përdor dy rrjete-sisteme të ujësjellësit, gjatë periudhës së vjeshtës dhe dimrit furnizohet nga i riu, ai i Leshnicës ndërsa në pranverë dhe verë nga ai i Kodrës së Diellit, rezervarët e Malit Sharr apo njohur ndryshe si burimet e vjetra.

Edhe pse rrjeti i ujësjellësit qytetarëve u ka kushtuar miliona, ai vazhdimisht pëson defekte.

Premtimet e kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit nuk janë realizuar siç ai ka premtuar.

Pavarësisht se ka pasur intervenime, qytetarët në këto katër vite janë përballur me mungesa, restrikcione dhe probleme të ndryshme të furnizimit me ujë. Kasami është arsyetuar se punët që nuk janë bërë brenda dyzet viteve nuk mund të bëhen brenda një viti apo katër viteve.

Para zgjedhjeve lokale 2021 në #Debatpërnime tha se si Lëvizje Besa prioritet mbi prioritetet do të kenë që njëherë e përgjithmonë “Me ka krejt” për katër vite të zgjidhin këtë çështje.

Në programin e tij zgjedhor 2021-2025 për menaxhimin me Tetovën, Kasami te pjesa e urbanizmit premtoi rrjet të ri të ujësjellësit dhe kanalizimeve.

Ndërsa edhe në programin e tij zgjedhor 2025-2029 për menaxhimin me Tetovën, te pjesa e urbanizmit vazhdon të premtojë rrjet të ri të ujësjellësit dhe kanalizimeve.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments