Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së, Daut Haradinaj, ka dalë hapur pro sulmit me vezë ndaj Avdullah Hotit, Zëvendëskryeministër i Qeverisë së Kosovës.
“Kushdo që e ka bërë, ka bërë shumë mirë dhe kjo duhet kuptuar që nuk do e lejojmë Serbinë dhe Rusinë në Kosovë”, ka thënë Haradinaj, në një përgjigje për T7.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti sot është sulmuar me vezë afër ndërtesës së qeverisë.
Një person teksa e godet i thotë “Nuk bënë me hjek taksë”.
Ndaj sulmit të sotëm ndaj Avdullah Hotit ka reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe shumë deputet të tjerë.
Ndaj këtij sulmi reagoi edhe vet Hoti duke thënë porositësit e veprimit të sotëm tentojnë ta mbajnë Kosovën të izoluar
“Porositësit e veprimit të sotëm tentojnë ta mbajnë Kosovën të izoluar. Kosova më nuk është e izoluar. Të izoluar janë vetëm ata që po japin urdhra të tillë. Shtëpia pa miq nuk mbahet. Qeveria e re, me LDK-në brenda si partner kyç, nuk bënë kompromis me miqësinë me SHBA-në. Sinjalet qarta nga Qeveria e re se krimi ekonomik, zhvatja dhe kapja e shtetit po marrin fund i kanë trishtuar ata që na kanë mbajtur të izoluar.Ne nuk do të lejojmë që raportet me miqtë tanë të nëpërkëmbën për interesa elektorale.Ne jemi të vendosur t`i japim vendit zgjidhje, bashkë me miqtë tanë”, ka shkruar Hoti.