Distancime të reja brenda Aleancës për Shqiptarët, krahu i udhëhequr nga zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai. Mosmarrëveshjet e brendshme kanë çuar në largimin e disa figurave të njohura partiake, të cilat kanë vendosur ta vazhdojnë angazhimin e tyre politik brenda koalicionit VLEN, që pritet së shpejti të shndërrohet në parti politike.
Deputetja Mimoza Musa, ministri i Shëndetësisë Azir Aliu, si dhe disa zyrtarë të tjerë, mësohet se janë distancuar nga qëndrimet e Fetait, veçanërisht lidhur me procesin e shkrirjes së VLEN-it në parti.Në një iftar të organizuar së fundmi, zyrtarët që kundërshtojnë linjën e Fetait u panë së bashku, duke theksuar se në këtë moment prioritet mbetet procesi i transformimit të VLEN-it në subjekt politik. Në mesin e të pranishmëve ishte edhe deputeti Ilir Demiri, i cili më herët u shkëput nga Ziadin Sela për të vepruar si deputet i pavarur në Kuvend.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, deklaroi se Demiri “është në shtëpinë e vet dhe aty ku e ka vendin”, duke theksuar se qëllimi i takimit ishte dërgimi i një mesazhi uniteti dhe bashkëpunimi brenda strukturave, veçanërisht gjatë muajit të Ramazanit.Në këtë iftar, i vetmi nga zyrtarët e lartë që mungoi ishte Arben Fetai, duke shtuar edhe më shumë pikëpyetje mbi zhvillimet e fundit brenda kësaj force politike.
