Rreth 660 milionë euro nga tatimet dhe kontributet duhet t’i mbledhë Drejtoria e të Ardhurave Publike deri në fund të këtij viti, për të realizuar planin buxhetor në anën e të ardhurave. Këtë në emisionin Biznes 21 e deklaroi drejtoresha e DAP-it, Elena Petrova. Megjithatë, këto janë vetëm të ardhurat që DAP duhet t’i mbledhë nga TVSH-ja, tatimi mbi të ardhurat personale dhe tatimi mbi fitimin, si dhe kontributet. Sipas Petrovës, deri në fund të nëntorit janë mbledhur 3 miliardë e 970 milionë euro.“Ky është realizim prej 91 për qind deri më 10 dhjetor, që do të thotë se për arkëtim kanë mbetur edhe 211.7 milionë euro, ndërkohë që përpara kemi saktësisht edhe 20 ditë. Te kontributet kemi të dhëna pak më të vjetra, deri më 30 nëntor. Aty plani vjetor është 2 miliardë e 190 milionë euro, ndërsa arkëtimi deri më 30 nëntor ka qenë 1 miliard e 737 milionë euro, që do të thotë se mbetet një diferencë prej rreth 450 milionë eurosh për realizim”, u shpreh drejtoresha e DAP, Elena Petrova.
Ndërkohë, në tabelën e Ministrisë së Financave rezulton se deri më 11 dhjetor, të ardhurat totale në buxhet janë rreth 5.1 miliardë euro, apo rreth 86 për qind. Kjo do të thotë se deri në fund të vitit duhet të mblidhen edhe rreth 800 milionë euro për të realizuar planin buxhetor të të ardhurave prej gati 5.9 miliardë eurosh në arkën shtetërore. Vetëm nga tatimet dhe kontributet në buxhet duhet të derdhen rreth 5.2 miliardë euro. Këtu përfshihen edhe të ardhurat e tjera tatimore si akcizat, taksat doganore të importit dhe tatime të tjera që duhet t’i mbledhin institucione të tjera.
Petrova pret një realizim solid të të ardhurave në pjesën që i takon DAP-it. Ajo thotë se edhe nëse do të ketë devijime nga projeksionet, ato nuk do të jenë drastike.
Parregullsi, përveç në fiskalizim dhe mosparaqitje të qarkullimit – për të cilat DAP ka zbuluar parregullsi në çdo kompani të katërt të kontrolluar – ka edhe në paraqitjen e tatimeve. Këtë vit deri në tetor janë konstatuar 64 milionë euro tatime shtesë, që paraqet rritje prej 70 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Një nga gjetjet më të mëdha, sa i përket tatimeve shtesë të përcaktuara gjatë kontrolleve, te një tatimpagues mjaft i madh, lidhet pikërisht me interpretim dhe zbatim të papërshtatshëm të rregullores gjatë disa viteve me radhë, ku kemi pasur një gjetje prej rreth, gati dhjetë milionë eurosh. Ka edhe të ashtuquajturat mashtrime ‘feniks’, kur një kompani ndoshta edhe me vetëdije i llogarit gabim tatimet dhe kur DAP e zbulon këtë përmes kontrollit dhe i përcakton tatimet, kompania pushon së vepruari”, shtoi Elena Petrova, drejtore e DAP.
Petrova shpjegon se kompania nuk zhduket nga regjistri tregtar, por nuk ekziston më në terren dhe hapet një kompani tjetër. Vetëm këtë vit, mbi 700 drejtorë dhe themelues të kompanive të tilla janë obliguar të paguajnë tatimet e tyre. Petrova është optimiste se ka hapësirë për uljen e evazionit tatimor nga paraqitja e pasaktë e tatimeve.
