6 C
Tetovo
E premte, 30 Janar, 2026
BallinaLajmeDaja i Bilall Kasamit ka qenë donator i Komunës së Tetovës së...

Daja i Bilall Kasamit ka qenë donator i Komunës së Tetovës së bashku me hartuesin e planit urbanistik të ri për “Shik Jellak”

https://portalb.mk/https-portalb-mk-hulumtim-cfare-pritet-te-ndertohet-tek-ish-monopolli-i-tetoves-a-e-shiti-kasami-per-pak-para-pronen-publike/

Kompania “Murana Compani” në pronësi të Rakip Aliit, i cili është i afërm i kryetarit të Komunës të Tetovës dhe liderit të BESA-s, Bilall Kasami (Alii është pronar edhe i BMW-së luksoze me të cilën Kasami shkoi në takimin e fundit të liderëve në Klubin e deputetëve), ishte donatore e Komunës së Tetovës së bashku me një kompani ndërtimi, e cila po harton planin e ri urbanistik për hapësirën te “Shik Jellak”, shkruan Fokus, transmeton Portalb.mk.

Gjatë vitit 2023 Komuna e Tetovës në krye me Kasamin solli vendim për pranimin e një donacioni nga kompania e dajës së tij, Aliit, si dhe nga një kompani tjetër –“Pro Engineering”. Në Gazetën Zyrtare nr. 12 të Komunës thuhet se Këshilli Komunal më 14.07.2023 mori vendim për pranimin e donacionit nga këto subjekte.

Vendim i Komunës së Tetovës, foto nga Fokus
Vendim i Komunës së Tetovës, foto nga Fokus

Në fakt kjo ka të bëjë me ndërtimin e një pusi për ujë të pijshëm në fshatin Falisht të Tetovës, vlera e përgjithshme e të cilit është 1.920.000 denarë. Praktikisht, Këshilli i kryesuar nga Besar Durmishi nga Besa, i cili pas ndryshimeve politike u bë ministër i Ekonomisë në Qeveri, e autorizoi kryetarin e komunës Kasami të lidhë një marrëveshje me donatorin e donacionit, për rregullimin e qëllimit dhe mënyrës së përdorimit.

Ndërkohë, interesant është fakti se kompania e dytë donatore, pra “Pro Engineering” është kompania që po përgatit dokumentacionin urbanistik për planin e ri për pjesën e Tetovës ku ndodhet ish-kombinati “Shuik Jellak”, një pjesë e madhe e të cilit është në pronësi të biznesmenit kontrovers malazez Miodrag Davidoviq-Daka, i cili u vu në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara për kontrabandë dhe pastrim parash.

Përkujtojmë se menjëherë pas formimit të Qeverisë së vjetër-të re LSDM- BDI në vitin 2020, pushteti i atëhershëm lokal në Tetovë i udhëhequr nga BDI-ja, e cila kishte shumicën në Këshillin Komunal dhe nga radhët e të cilit vinte kryetarja e Komunës Teuta Arifi, miratoi plan urbanistik për zonën tek “Shik Jellak”, në të cilin parashihej ndërtimi i 4 qendrave tregtare, njëra prej të cilave ishte gjigante, si dhe 27 ndërtesave shtatëkatëshe.

Mirëpo, menjëherë pas fitores së Kasamit në zgjedhjet lokale në vitin 2021, pas të cilave shumica në Këshillin Komunal ishte nga radhët e BESA-s, Këshilli vendosi ta pezullojë këtë PDU, pas çka u iniciua një procedurë për miratimin e një plani të reviduar për të njëjtën zonë. Konkretisht, në vitin 2022 Këshilli i Tetovës miratoi një vendim për pezullimin e këtij PDU për Bllokun Urban 57 (57a).

Në periudhën në vijim Këshilli miratoi disa vendime për pezullimin e pjesshëm të planit, në pjesën ku toka është në pronësi të shtetit. Por edhe 4 vjet pas pezullimit të parë ende nuk është miratuar një PDU i ri, edhe pse me Ligjin për Planifikimin Urbanistik është paraparë që kjo të bëhet brenda 6 muajve ose një viti, varësisht nga ajo nëse pezullimi është i plotë apo i pjesshëm.

Edhe pse që dhjetorin e kaluar Fokus kërkoi përgjigje nga Komuna e Tetovës në lidhje me situatën aktuale dhe hapat e mëtejshëm në lidhje me këtë plan urbanistik, pavarësisht këmbënguljes deri më sot nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Ajo që mund të shihet nga informacionet e disponueshme publikisht është se në periudhën e kaluar është miratuar Program Planor për hartimin e një pjese të PDU-së për 57 (57a) dhe një Draft PDU për një pjesë të Bllokut 57 (57a). K.K. Tetova 1.

Në Programin Planor të publikuar në prill të vitit 2023, të cilin e përgatit kompania e lartpërmendur “Pro Engineering”, thuhet se lëndë e PDU-së është krijimi i “kushteve reale për rregullimin dhe përdorimin e hapësirës së parcelave kadastrale të lëndës…”. Gjithashtu parashihen “sipërfaqe më të mëdha për përdorim publik, parqe dhe gjelbërim për planifikimin e një jetese më njerëzore në kuadër të mbulimit të planit”.

Bazuar në këtë Program, në korrik të vitit 2023 u miratua një Draft Plan për një pjesë të Bllokut 57 (57 a), i cili sërish u hartua nga “Pro Engineering” me kërkesë të Komunës të Tetovës. Në pjesën tekstuale thuhet se PDU-ja ka për qëllim krijimin e kushteve për zhvillim hapësinor, me ç’rast do të krijohen kushte për modernizimin e kushteve të jetesës përmes ndërtimit të ndërtesave të reja për banim, komerciale dhe afariste, si dhe sipërfaqeve të gjelbra me karakter rekreativ.

Në vazhdim theksohet se në kuadër të mbulimit janë formuar 36 parcela ndërtimore, me atë që sipërfaqja maksimale për ndërtim në nivelin e mbulimit të planit është 219.108 metra katrorë ose: A-Banim = 157.406 metra katrorë; B-Qëllime komerciale dhe afariste = 60,251 metra katrorë; C-Veprimtari dhe funksione publike = 1.315 metra katrorë; E-Infrastruktura = 135 metra katrorë.

Kur krahasohet plani i vjetër i pezulluar dhe plani i ri i projektit, mund të konkludohet se në projektim, në mes të hapësirës, në vend të 2 ndërtesave për banim është vizatuar një ndërtesë me qëllim D3 ose sport dhe rekreacion në sipërfaqe të gjelbra, ndërsa është paraparë edhe ndërtimi i një shkolle. Pjesa më e madhe, ose 40 përqind, do të jenë ndërtesa për banim, 21 përqind do të jenë ndërtesa afariste, etj.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments