Mendoj se duhet të pranojmë, nëse asgjë tjetër, ne në Amerikë, që rusët tashmë u kanë shpallur luftë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në shumë mënyra që konsiderohen akte lufte. Konflikti nuk është vetëm në Ukrainë, konflikti është edhe këtu në Ballkan, në Lindjen e Mesme, në Kaukaz, në mbarë botën.
Uashingtonit do t’i duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje dhe burime kësaj. Ne duhet të fokusohemi në ndihmën ndaj ukrainasve, por edhe aleatëve tanë në Ballkan.
Kështu i tha Radios Evropa e Lirë (REL) Glenn Corn, profesor në Institutin amerikan për Politika Botërore (IWP) në Uashington, i cili mori pjesë në Konferencën e sigurisë në Sarajevë, e organizuar nga Instituti New Lines për Strategji dhe Politika.
Corn, ish-drejtues i lartë në Agjencinë Qendrore të Inteligjencës (CIA), i cili kaloi 34 vjet në komunitetin e inteligjencës dhe atë diplomatik, duke punuar në Rusi, Turqi, Azinë Qendrore dhe Lindjen e Mesme, konsideron se rajoni i Ballkanit Perëndimor “është ende një fuçi baruti”.
Radio Evropa e Lirë: A do të përpiqet Kremlini ta zgjerojë këtë konflikt përtej kufijve të Ukrainës?
Glenn Corn: Duhet të pranojmë se Rusia tashmë e ka përhapur këtë konflikt përtej kufijve të Ukrainës. Kjo nisi edhe para Ukrainës, në Gjeorgji dhe Moldavi.
Mendoj se pikëpamja ruse është se ata kanë qenë në luftë me Perëndimin për të paktën dhjetë vjet, nëse jo më gjatë, që nga vitet 1990. Në ato vite, mbase ka ekzistuar shansi që njerëzit që udhëhoqën Rusinë në vitet 1990 të mos kenë menduar se ishin në konflikt me Perëndimin. Kjo ndryshoi kur (Vladimir) Putin erdhi në pushtet.
Në thelb, ne jemi në luftë në shumë nivele. A do të përhapet lufta? Shumë njerëz sot janë të shqetësuar nëse do të përdoren armë bërthamore. Ata pyesin se cili është niveli tjetër i luftës.
Mendoj se duhet të pranojmë, nëse askund tjetër, ne në Amerikë, që rusët tashmë i kanë shpallur luftë SHBA-së në shumë mënyra që konsiderohen veprime lufte.
Radio Evropa e Lirë: Në gjithë këtë, çfarë roli luan siguria energjetike në Evropë? Vendet e Ballkanit Perëndimor varen nga energjia ruse, Bosnja dhe Hercegovina blen gaz ekskluzivisht nga Gazpromi?
Glenn Corn: Siguria energjetike është absolutisht kritike. Këtë e dinim edhe para shkurtit të vitit 2022. Në Uashington kishte shqetësime se si Rusia do të përdorte varësinë e vendeve të tjera nga nafta, gazi dhe energjia ruse, si do ta manipulonte atë dhe do t’u diktonte vendeve se si të pozicionoheshin.
Turqia u përball me këtë problem dhe ai është ende sfidë për atë vend. Moldavia përballet me të njëjtin problem. Kjo është sfidë edhe për vendet e Ballkanit.
Ne duhet të gjejmë një zgjidhje për varësinë nga energjia ruse.
Nëse Rusia do t’i trajtonte fqinjët e saj si një vend normal, biznesi do të vazhdonte dhe nuk mendoj se do të ishte një kërcënim.
Për sa kohë që Rusia përpiqet të manipulojë dhe të përcaktojë se si duhet të jetojnë vendet e tjera, është e rrezikshme si për Perëndimin ashtu edhe për ato vende.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë hapash duhet të ndërmarrin SHBA-ja, BE-ja, NATO-ja, Perëndimi në përgjithësi, për të forcuar lidhjet me Ballkanin Perëndimor në dritën e veprimeve që vijnë nga Moska? Si munden aleatët perëndimorë t’i kundërshtojnë ndikimet indirekte të ashtuquajtura “proxy” [luftërat mes shteteve më të forta që zhvillohen në shtete tjera} në këtë rajon?
Glenn Corn: Unë mendoj se SHBA-ja duhet të pranojë se mbase jemi në luftën e tretë botërore. Ne duhet t’i dedikojmë burimet tona për ta menaxhuar atë konflikt. Kjo do të thotë se duhet t’i kushtojmë më shumë vëmendje dhe të investojmë më shumë.
Konflikti nuk është vetëm në Ukrainë, është edhe këtu në Ballkan, është edhe në Lindjen e Mesme, në Kaukaz, në mbarë botën. Madje edhe në Amerikën e Jugut.
SHBA-ja duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje gjithë asaj që po ndodh dhe të investojë më shumë në luftën kundër ndikimit malinj të Rusisë dhe aleatëve të saj.
Nëse flasim veçmas për Ballkanin, duhen më shumë investime dhe më shumë përfshirje në proceset në këtë rajon.
Mendoj se SHBA-ja po përpiqet të bëjë gjithçka që mundet, ashtu si Bashkimi Evropian, por shumë burime janë shpërndarë, prej vitesh, në shumë drejtime.
Këtu kemi pasur luftëra në vitet 1990. Kemi Lindjen e Mesme, Irakun, Afganistanin, kemi pasur atë që quhej luftë globale kundër terrorizmit dhe tani kemi një pushtim të plotë rus të Ukrainës.
Ne duhet të fokusohemi në ndihmën ndaj ukrainasve, por edhe aleatëve tanë në Ballkan. Për këtë do të nevojitet shumë më tepër vëmendje në Uashington, angazhim më të mirë dhe më shumë resurse.
Radio Evropa e Lirë: Presidenti i entitetit Republika Sërpska, Millorad Dodik, është takuar me liderin rus, Putin, pesë herë që nga shkurti i vitit 2022, dhjetë herë që nga aneksimi rus i Krimesë më 2014. Çfarë përfaqëson Dodik për Putinin dhe çfarë mund të bëjë Putin përmes Dodikut për të dëmtuar Perëndimin?
Glenn Corn: Unë nuk jam ekspert për Ballkanin, por mendimi im është se ky rajon është ende një “fuçi baruti”.
Falë Zotit, sot jemi ulur në një hotel në një qytet që në vitet 1990 u përball me tmerrin, me të cilin po përballen sot ukrainasit. Ju u granatuat nga kodrat. Të gjithë jemi mjaft të vjetër për të kujtuar imazhet e masakrës së njerëzve në rrugë (të Sarajevës). Falë Zotit, u ndalua!
Megjithatë, të gjithë e dimë se situata këtu është shumë e ndjeshme.
Mendoj se Rusia mund të përdorë z.Dodik dhe aleatët e vet, bashkëpunëtorët e vet ose bashkëpunëtorët potencialë për të destabilizuar situatën këtu dhe për të larguar vëmendjen nga rajonet e tjera.
Kur i kthehemi 7 tetorit të vitit të kaluar, që ishte një ditë e tmerrshme për të gjithë botën, mendoj se Rusia është i vetmi vend që kishte përfitim nga ajo që bëri Hamasi (të cilin SHBA-ja dhe BE-ja, ndër të tjera, e konsiderojnë organizatë terroriste) – sulmi masiv terrorist në Izrael.
Ai largoi vëmendjen nga ajo që po ndodhte në Ukrainë.
Mendoj se ne, si SHBA, duhet të jemi shumë të kujdesshëm kur flasim për vende të tjera ku Putini mund të kërkojë një shans për të krijuar kaos, shkatërrim, në mënyrë që të largojë presionin nga Moska dhe lufta konvencionale që po bën në Ukrainë.
Putini mund të përdorë aleatët e tij, bashkëpunëtorët e tij, për të destabilizuar këtë rajon.
Radio Evropa e Lirë: Si e shihni Serbinë dhe presidentin Aleksandar Vuçiq, i cili drejtpeshon ndërmjet Lindjes – Kinës dhe Rusisë, dhe Perëndimit – BE-së dhe SHBA-së? Serbia refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë, mbështet sovranitetin e Ukrainës, blen avionë ushtarakë francezë, dakordon shitjen e litiumit në Gjermani, shet miniera dhe fabrika te kinezët, arabët ndërtojnë “Beogradin mbi ujë”, dakordon me dhëndrin e Donald Trumpit, Jared Kushner, ndërtimin e një kompleksi banesor-afarist dhe të ngjashme.
Glenn Corn: Nuk do të doja të gjendesha në një situatë të tillë. Besoj se serbët e dinë mirë se rusët nuk janë partnerë të besueshëm, se Rusia është një vend me të cilin ata mund të ecin në shtigje të gjata. Është një drejtpeshim ndërmjet interesave të shumta në atë vend. Rusia ka ndikimin e saj në Serbi dhe mendoj se ne të gjithë e dimë shumë mirë këtë.
Mendoj se Qeveria e Serbisë po përpiqet me të gjitha forcat të ecë në këtë tel të hollë. Mendoj se pyetja e vërtetë është se si ne, si SHBA dhe BE, do të përfshihemi dhe çfarë alternativë do të ofrojmë.
Ajo që ne shpesh harrojmë në Perëndim është se duhet të ofrojmë një alternativë. Nuk mundeni vetëm t’u thoni njerëzve që të mos punojnë me rusët, kinezët apo ndonjë vend tjetër dhe të mos u ofrosh atyre një alternativë.
Secila qeveri duhet të kujdeset për njerëzit e saj, mirëqenien dhe ekonominë e tyre. Nëse keni vende që vijnë dhe ofrojnë ndihmë, ndërkaq ju nuk mund të ofroni diçka konkrete për ta kundërshtuar këtë, nuk do të arrini asgjë dhe nuk do të jeni në gjendje të drejtoni politikën e jashtme në mënyrë efektive.
Çështja është se sa mund të jemi ne më gjithëpërfshirës dhe më të vëmendshëm, dhe shpresoj se mund ta bëjmë këtë për një periudhë më të gjatë kohore sesa oponentët tanë.
Radio Evropa e Lirë: Shpesh flitet për luftën hibride. Çfarë taktikash hibride të luftës përdor Rusia në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor?
Glenn Corn: Rusët i quajnë “masa aktive”. Propaganda, ndikimi politik, likuidimet, sabotimet përdoren jo vetëm këtu në Ballkan, por edhe në Evropë dhe SHBA. Fushatat e dezinformimit ishin shumë të fuqishme, duke nisur në fillim të viteve 2000, si vazhdimësi e asaj që pamë në kohët sovjetike.
Moska e ka bërë dhe e bën këtë kryesisht në vendet që i konsideron brenda të ashtuquajturës sferë e influencës ruse, kundër SHBA-së dhe aleatëve të saj. Pas vitit 2012 u përhap në të gjithë botën, duke përfshirë SHBA-në dhe Evropën. Ne kemi parë përpjekje për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.
Në Mal të Zi pamë përpjekjen për të rrëzuar Qeverinë. Kemi parë likuidime dhe tentativa likuidimi. Ne kemi parë prova të besueshme të tentativave për sulme ndaj depove të armëve në Evropë. Shembulli i fundit ishte gjatë Lojërave Olimpike në Paris. Dikush u përpoq të sabotonte hekurudhën.
Në Ukrainë e bënë këtë përpara se të fillonin pushtimin. Fillimisht nisën me fushata dezinformuese, pastaj kaluan në ndikimin politik brenda shoqërisë ukrainase, brenda Qeverisë dhe duke përdorur kishën, duke shfrytëzuar korrupsionin.
Kemi pasur likuidime dhe tentativa për likuidime të zyrtarëve ukrainas që i konsideronin antirusë. Kemi pasur tentativë për të helmuar kandidatin për president. Ishim dëshmitarë të sulmeve kibernetike.
Radio Evropa e Lirë: Ju përmendët zgjedhjet presidenciale. Në nëntor janë zgjedhjet presidenciale në SHBA. Shumë analistë besojnë se – kushdo që fiton – fokusi i SHBA-së do të zhvendoset edhe më shumë në Paqësor dhe veçanërisht në Kinë. A mund të bashkëpunojnë Kina dhe SHBA-ja apo do të shohim ndonjë konflikt, veçanërisht rreth Tajvanit?
Glenn Corn: Mendoj se kinezët nuk duan një luftë me Tajvanin dhe më me qejf do të dëshironin të shihnin skenarin e Hong Kongut.
Sa i përket fokusit të Amerikës në Azi, SHBA-ja është një shtet që përmes bregut perëndimor del në Oqeanin Paqësor. Ekonomia jonë është e integruar në atë kineze po aq sa ajo kineze është e integruar në atë amerikane.
Ne kemi lidhje të forta tregtare, pavarësisht rivalitetit politik dhe diplomatik. Sa i përket Kinës, nuk jam veçanërisht i shqetësuar, por nëse do të konkurrojmë me Kinën, duhet ta bëjmë në të gjithë botën.
Le të kujtojmë se çfarë ndodhi gjatë Luftës së Ftohtë dhe se si presidenti Ronald Reagan zgjidhte çështjet me Bashkimin Sovjetik.
Politika e tij ishte se ne nuk mund të fokusoheshim vetëm te Bashkimi Sovjetik. Aleanca ishte një sfidë për Perëndimin dhe për vlerat dhe idealet perëndimore. Reagani konsideronte se SHBA-ja duhet t’i përgjigjet sfidave në çdo pjesë të botës, qoftë nëse bëhej fjalë për Afrikën, Amerikën e Jugut apo Azinë.
Këtë duhet ta bëjmë edhe sot. Kinezët janë sfiduesit dhe ne duhet të jemi gati të konkurrojmë me ta me produkte dhe shërbime më të mira. Unë mendoj se kompanitë perëndimore mund ta bëjnë këtë, por ne duhet të punojmë më shumë, sepse kinezët kanë treguar se mund të jenë efektivë.
Rusia është më shumë një kërcënim momental. Moska është e gatshme të përdorë forcën vdekjeprurëse për t’u diktuar vendeve të tjera dëshirat e saj dhe ajo po kërcënon aleatët tanë.
Nuk mund ta injorojmë këtë. Ne duhet të shohim se cilët janë aleatët tanë dhe cilët janë aleatët tanë potencialë, si kë do të mund të tërheqim në anën tonë për të qenë partnerët tanë.
Nuk është më 1991 dhe SHBA-ja duhet ta trajtojë luftën botërore. Dhe, ne kemi nevojë për aleatë të fortë. Kjo ndonjëherë nënkupton aleatë që marrin vendime të pavarura nga Uashingtoni.
Unë gjithmonë jap shembullin e Turqisë, e cila është një vend i rëndësishëm, shumë i fuqishëm në shumë sfera. Por, turqit marrin vendime si komb sovran dhe për të mirën e tyre, dhe ato vendime nuk janë gjithmonë në përputhje me interesat e SHBA-së. Por, ne duhet të jemi të durueshëm dhe të kujtojmë vlerën e përgjithshme të aleancës sonë. Mendoj se Turqia është aleatja jonë.
Radio Evropa e Lirë: Turqia dëshiron të anëtarësohet në BRICS. A është e mundur të jesh në një aleancë me Rusinë dhe në të njëjtën kohë të jesh anëtar i NATO-s?
Glenn Corn: Nuk mendoj se kjo nuk është zgjedhje ekskluzive. Ne duhet t’i ofrojmë Turqisë më shumë dhe t’i tregojmë asaj ku janë përfitimet e të qenët aleati ynë.
Mendoj se ata e dinë këtë, por duhet t’ua përkujtojmë ndonjëherë. Ju përmendët se sa herë është takuar Dodik me Putinin. Mendoj se ndaj çështjeve të tilla duhet të tregojmë më shumë vëmendje, në një nivel më të madh./REL