Një debat verbal mes dy personave nga fshati Bogovinë i Tetovës, mëngjesin e sotëm ka përfunduar me të shtëna me armë zjarri ku si pasojë ka mbetur i vrarë 47 vjeçari A.J.
I dyshuari M.M. 50 vjeçar, pasi ka kryer vrasjen është nisur me veturën e tipit BMW nga Bogovina për në Tetovë ku edhe është ndaluar dhe arrestuar nga policia. Në veturën e tij është gjetur edhe arma me të cilën dyshohet se është kryer vrasja. Rastin e konfirmuan edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme.
“Sot (02.06.2024) në ora 10:30 në rrugën “Cvetan Dimov”, pjesëtarët e policisë nga SPB-Tetovë, kanë privuar nga liria personin M.M (50) nga Bogovina e Tetovës, i cili ka qenë duke vozitur “BMW” me targa të regjistrimit të Tetovës . Ai dyshohet se ka vrarë me armë zjarri A.J., rreth orës 10:15”, thanë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
I dyshuari për vrasjen po mbahet në polici për procedurë të mëtejshme. Nga Ministria e Punëve të Brendshme gjithashtu njoftuan se në vendin e ngjarjes ndodhet edhe Prokurori Publik dhe zyrtarë të policisë të cilët po kryejnë hetime.